
Hajdutët kanë vjedhur më 8 shtator katër piktura të Pierre-Auguste Renoir-it nga Muzeu Renoir në Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës. E gjithë grabitja zgjati më pak se pesë minuta, ndërsa dy prej pikturave u lanë pas gjatë arratisjes.
Alarmi i muzeut u aktivizua në orën 5:48 të mëngjesit dhe policia mbërriti pesë minuta më vonë. Por deri atëherë, hajdutët ishin larguar. Nga 12 veprat e Renoir-it që ekspozoheshin në muze, ata morën katër.
Sipas kryetarit të qytetit, Bryan Masson, hajdutët ishin “të pajisur dhe të përgatitur mirë”. Ata përdorën një sharrë elektrike për të prerë mbajtëset që siguronin kornizat e pikturave.
Dy vepra vazhdojnë të mungojnë. “Madame Colonna Romano” vlerësohet në 2 milionë euro, ndërsa “Jeune femme au puits” në 200 mijë euro. Dy pikturat e tjera, “Portrait de Madame Stephen Pichon” dhe “Coco lisant”, hajdutët u detyruan t’i linin pas gjatë arratisjes.
Komuna e cilësoi vjedhjen si një paralajmërim për sigurinë e muzeve në Francë. Sipas saj, autoritetet lokale nuk mund ta përballojnë të vetme koston gjithnjë në rritje të masave të sigurisë. Për këtë arsye, ajo i kërkoi shtetit francez më shumë fonde për t’u përballur me kriminelë “gjithnjë e më të organizuar”. Muzeu do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të ri.
Historiania e krimeve në art, Laura Evans, i tha CNN-it se Renoir-i është ndër artistët veprat e të cilëve janë vjedhur më shpesh gjatë shekullit të fundit. Pikturat e tij janë vjedhur në vitet 1951, 1985, 1990, 2000 dhe sërish në mars të këtij viti.
Sipas saj, pikturat e Renoir-it janë të vogla dhe mund të merren lehtë, çka i bën objektiva tërheqës për hajdutët. Megjithatë, ato njihen aq lehtë sa është pothuajse e pamundur të shiten. Për këtë arsye, të gjitha veprat e tij të vjedhura më parë janë kthyer.
“Dy-tre njerëz, brenda pak minutash, mund të shkaktojnë një humbje që na përket të gjithëve”, tha Evans. Sipas saj, në raste të tilla nuk vidhet vetëm një pikturë, por edhe mundësia që vizitorët e ardhshëm ta shohin atë nga afër.
Vjedhja ndodh pothuajse një vit pas grabitjes në Luvër, ku hajdutët morën gjithashtu, brenda pak minutash, objekte me vlerë të jashtëzakonshme.
Europoli paralajmëron se hajdutët e muzeve po i lënë mënjanë mashtrimin dhe fshehtësinë, duke përdorur metoda më agresive dhe të dhunshme. Sipas agjencisë, kjo mund të tregojë shfaqjen e një profili të ri kriminelësh, të cilët shpesh kanë qenë të përfshirë më parë në lloje të tjera krimesh.
Ata po synojnë gjithnjë e më shumë metale të çmuara, gurë të çmuar dhe objekte me vlerë kulturore, të cilat mund të shiten lehtë në tregun e zi.