Fushata e gjobave për ata që “shajnë” Ramën, PD kërkon me urgjencë për raportim drejtuesen e AMA-s

5 November 2026, 16:34Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Fushata e gjobave për ata që “shajnë” Ramën, PD

Partia Demokratike kërkon për raportim në Komisionin e Medias, drejtuesen e AMA-s, Armela Krasniqi.

Kjo, për shkak të fushatës së gjobave që ka nisur nga kjo e fundit, për ata që “shajnë” Ramën nëpër emisione televizive.

“Kryeministrit po i rrëshqet toka nën këmbë. Sistemi që ka ngritur është aq i tronditur, sa po përdor çdo mjet represiv, çdo formë ndëshkimi dhe intimidimi ndaj kujtdo që i del kundër.

E nisi vetë, duke kërcënuar me burg këdo që proteston. Vijoi me dhunën policore ndaj protestuesve dhe me akte normative ndëshkuese. Tani po përdor AMA-n për të kërcënuar dhe shantazhuar këdo që nuk flet sipas udhëzimeve dhe urdhrave të tij.

E konsideroj këtë sjellje të AMA-s në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe parimet që duhet të udhëheqin një institucion të pavarur. Prandaj, së bashku me kolegët e opozitës dhe të Partisë Demokratike, kam firmosur kërkesën për ta thirrur AMA-n të raportojë përpara Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median.

Shqetësimet për pavarësinë e AMA-s kërkojnë përgjigje konkrete. Një institucion që duhet të garantojë zbatimin e ligjit dhe të respektojë lirinë e shprehjes nuk mund të kthehet në kamzhik politik ndaj mediave dhe zërave kritikë.

Askush nuk mund ta heshtë gazetarinë dhe as ta kthejë Shqipërinë në kohën e errët të policisë së mendimit.

Është koha për llogaridhënie. AMA duhet të përgjigjet: kush e drejton vendimmarrjen e saj, mbi çfarë baze ligjore vepron dhe kujt i shërben publikut apo pushtetit”, thotë deputetja Jorida Tabaku në një reagim për mediat.


Video