Jurgis Çyrbja, një ish-deputet i Partisë Socialiste i qarkut të Durrësit, u dënua në datën 24 prill 2026 nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, ndër të tjera edhe për korrupsion aktiv në zgjedhje, teksa Prokuroria e Posaçme kishte disa letra që e lidhnin rikandidimin e Çyrbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare me influenca nga bota e krimit.
Këto letra u pranuan me “sy mbyllur” nga gjykatat, madje me një akuzë dhe masë dënimi që as ato vetë s’do ta besonin, nëse do ta analizonin pak më thellë, ose të paktën të zbardhnin të gjithë historinë. Nëse këto personazhe të botës së krimit do të ndërhynin për ta rikandiduar, cili është përgjegjësi? Çyrbja apo drejtues të Partisë Socialiste?!
Vox News ka siguruar ekskluzivisht dokumente nga dosja hetimore kundër Jurgis Çyrbjas, të cilat në plan të parë duken mjaft qesharake, për të tria veprat penale, korrupsion aktiv në zgjedhje, nxjerrje e sekretit shtetëror dhe përkrahje e autorit të krimit. Le t’i marrim me radhë;


Një nga tri akuzat e ngritura nga SPAK-u, lidhet mbi akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhje, për një episod bashkë me shtetasin Altin Hajri. Vox News ka analizuar dosjen hetimore, ku rezulton se në asnjë moment të përgjimeve në SKY EÇ nuk evidentohet një komunikim i drejtpërdrejtë, një premtim, kërkesë apo përgjigje e vetmja nga Jurgis Çyrbja. Si mund të ngresh një akuzë të tillë, si korrupsion aktiv në zgjedhje kur s’ka asnjë provë fajësie, ndërhyrjeje, blerje votash, etj?
Prokuroria e lidh korrupsionin me kandidimin e Jurgis Çyrbjas për deputet në qarkun e Durrësit, me siglën e Partisë Socialiste. A është faji i tij që kandidoi? Çfarë korrupsioni aktiv kreu Çyrbja duke kandiduar si deputet? Cilët korruptoi?
Prokuroria e Posaçme ka marrë në cilësinë e dëshmitarëve Ardian Çelën dhe Vangjush Dakon, si dy drejtuesit politik të Partisë Socialiste në Durrës. Më konkretisht, në datën 11 dhjetor 2024, në pyetje është marrë Ardian Çela, ish-administrator i Përgjithshëm i OSHEE, ndaj të cilit janë bërë disa pyetje, e para nëse kishte njohje me Jurgis Çyrbjan, nëse po prej sa kohësh dhe në çfarë rrethanash.
“E njoh shtetasin Jurgis Çyrja që prej më shumë se 10 vitesh, e kam njohur si kryetar i Partisë Socialiste të fshatit Xhafzotaj, ku ai jetonte dhe banonte dhe që prej asaj kohe kemi bashkëpunuar si anëtar dhe pjesëtar të Partisë Socialiste, për organizimin e partisë në atë zonë. Në lidhje me renditjen e shtetasit Jurgis Çyrbja për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 nuk më kujtohet që të më ketë takuar njeri apo të kem ndikuar tek njeri në organizatën e partisë, pasi në këto zgjedhje që flasim nuk ishte e rëndësishme renditja, pasi ishte me sistem mazhoritar, pra vendosja në radhë nuk ishte ndonjë privilegj”, ka deklaruar Ardian Çela.
Ai është pyetur edhe për njohje e shtetasin Altin Hajri, për të cilën pretendohet se ka ndikuar që Jurgis Çyrbja të futej në listën për deputet.
“E kam njohur rastësisht këtë shtetas para shumë vitesh në lidhje me detyrën që kam pasur si drejtor i Përgjithshëm i OSHEE në vitin 2015, edhe asnjëherë s’e kam takuar personalisht e për më tepër në periudhën e zgjedhjeve të vitit 2021”, ka pohuar Çela.
Pyetja tjetër ka qenë nëse ka biseduar me Vangjush Dakon për listën dhe renditjen e kandidatëve për deputet të qarkut Durrës të Partisë Socialiste.
“Dua t’ju bëj me dije se janë diskutuar emrat për kandidat të listët për deputet me një grup të vogël njerëzish si përfaqësues lokal të bashkisë që ka qarkut Durrës dhe funksionarë të partisë dhe mbaj mend që diskutimet janë bër për listën në përgjithësi dhe jo në veçanti për emra në renditje”, ka vijuar ai.
Një dëshmi e qartë që rrëzon se, Hajri “sponsorizoi” Çyrbjan për t’a emëruar deputet!


Në dosjen hetimore, një kopje të së cilës e disponon edhe Vox News, detajohet një tjetër episod mjaft interesant, një dëshmi e drejtpërdrejtë të një funksionari të lartë të Partisë Socialiste, Vangjush Dako, i cili është pyetur nëse ka influencuar për futjen në lista të Jurgis Çyrbjas. Dako është marrë në pyetje në datën 2 dhjetor të vitit 2024, teksa pyetjet kanë qenë të njëjta me Çelën, nëse e njihte Jurgis Çyrbjan, prej sa kohësh dhe në çfarë rrethanash.
“E njoh që prej vitit 2012, e kam njohur si kryetar i Partisë Socialiste në Xhafzotaj, ku ai jetonte dhe banonte dhe që prej asaj kohe kemi bashkëpunuar si anëtar dhe pjesëtar të Partisë Socialiste, për organizimin e partisë në atë zonë. I deleguari i PS-së në Durrës në 2021 ka qenë Ardian Çela, i cili bënte konsultime me drejtuesit lokal. Në lidhje me renditjen e shtetasit Jurgis Çyrbja nuk më kujtohet që të më ketë takuar njeri apo të kem ndikuar tek njeri në organizatë, pasi në këto zgjedhje që po flasim nuk ishte e rëndësishme renditja. Çyrbja ka qenë në listë për deputet edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, në vitin 2017 ka qenë në listë i gjashte edhe i shpall fitues si deputet, pra edhe në vitin 2-21 do të ishte pjesë e listës për kandidat, pasi ka qenë me rezultate të shkëlqyera”, pohon Dako.
Edhe Dako u pyet nëse e ka njohur Altin Hajrin, teksa ka dëshmuar se e njihte, por nuk mbante mend rrethanat, në media apo në tavolina. Pyetja e fundit ishte nëse kishte diskutuar me Ardian Çelën për listën e deputetëve.
“Nuk e mbaj mend saktësisht, por besoj që po, por dua t’ju bëj me dije se mund të kemi diskutuar për listën në total, por jo për renditjen e saj konkrete”, përfundon edhe dëshmia e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit.
Ndërkohë, Vox News ka mësuar se, në dosje ndodhet edhe shkresa e dërguar nga avokati mbrojtës Ilir Murati, drejtuar Partisë Socialiste, lidhur me kriteret e rikandidimit të ish-deputetit Jurgis Çyrbja. Përgjigjja zyrtare e ardhur sqaron se “përzgjedhja është bërë në bazë të statutit të Partisë Socialiste dhe se lista e kandidimit është nënshkruar nga kryetari i partisë”. Pra, listën për kandidatët për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, e ka hartuar ekskluzivisht Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.



Pyetja që qëndron është se mbi bazën e cilit deklarim, të cilës provë, apo të cilit person janë mbështetur agjentët e BKH-së dhe prokurori Adnan Xholi për të arritur në përfundimin se kandidimi i Jurgis Çyrbjes lidhet me ndërhyrjen e Altin Hajrit? Me cilët nga të lartpërmendurit ka bërë korrupsion aktiv në zgjedhje Jurgis Çyrbja?!
Paradoksi i dënimit të Jurgis Çyrbjas – Akuzohet për dekonspirim të operacionit, por “i kërkuari” ishte jashtë Shqipërisë dhe u shpall i pafajshëm nga SPAK-u!
Një lajthitje e prokurorisë, gjykatës apo një dosje penale e shtirur?! Vox News vijoi të hulumtojë fashikujt e shumtë të akteve ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili u dënua disa ditë më parë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, për disa vepra penale, një për korrupsion në zgjedhje, jo se kishte blerë vota, por përse kishte futur veten e tij në lista.
Nëpërmjet dokumenteve, redaksia jonë faktoi se Çyrbja u fut në listat e deputetëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 nga kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri aktual Edi Rama. Madje, dëshmitë e Vangjush Dakos, Ardian Çelës, por edhe një shkresë e Partisë Socialiste, faktonte një gjë të tillë. Ndërkohë, këto letra u pranuan dhe ai, jo vetëm u hetua, por edhe u gjykua, kur në fakt vendimmarrja ishte gjetkë.
Por, një tjetër paradoks në atë dosje, ka të bëjë me një tjetër akuzë, e cila më vonë u pranua me “sy mbyllur” nga gjykatat, që ka të bëjë me dekonspirimin e një operacioni të Policisë së Shtetit. Relatorja e Gjykatës së Apelit të Posaçëm, Daniela Shirka, ka cituar se Çyrbja ka njoftuar një person të kërkuar se do “të kapej”. Në fakt, ai person, i quajtur Kreshnik Budlla (Farriku), në atë kohë nuk ndodhej fare në Shqipëri. Për më tepër, në momentin që është kapur, i njëjti person është shpallur i pafajshëm dhe është liruar po nga Prokuroria e Posaçme.
Por, në vend të kësaj, të gjitha këto thashetheme, prodhuan një vendim tepër absurd, me dënimin e një ligjvënësi se kishte dekonspiruar operacionin, kur në fakt vetë Policia e Shtetit, e cila duhet të ishte palë e “dëmtuar” ka konfirmuar nëpërmjet një dokumenti se personi në fjalë nuk ishte fare në Shqipëri. Duket se, dosja penale ndaj Çyrbjas mund të ketë qenë me “urdhër”, pasi faktet apo episodet për të cilat ai akuzohet, kanë qenë tepër të diskutuara.

Në datën 2 mars të vitit 2021, sipas dokumentit të mësipërm, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i ka nisur një kërkesë informacioni në Policinë e Shtetit, për shtetasin Kreshnik Budlla (Farruku). Gjykata shkruan se informacioni i duhej SPAK-ut.
“Pas shqyrtimit të kateve të dosjes nga ana e gjykatës, është bërë njoftimi i palëve në proces, i subjektit ndaj të cilit kërkohet konfiskimi, shtetasi Kreshnik Budlla (Farruku), nëpërmjet Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për t’u paraqitur në seancë gjyqësore. Në bazë të urdhërimit të gjykatës, nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është kthyer përgjigje se në referim të shkresës me numër 1159, të datës 23 shkurt 2021, se për këtë shtetas nuk është bërë e mundur njoftimi i tij, pasi rezulton të jetë jashtë territorit të Republikës së SHqipërisë dhe është person në kërkim” shkruhet në këtë dosje.
Pra, si mund të ketë dekonspiruar operacionin, apo të ketë nxjerrë të dhëna sekrete hetimore, deputeti Jurgis Çyrbja, kur në fakt personi ndodhej jashtë shtetit? Nëse SPAK-u e ka kaluar dhe është bazuar në disa komunikime në SKY EÇ, po gjykata dhe relatorja Daniela Shirka, a nuk e pa? Më shumë se sa një dosje hetimore, e gjithë akuza ndaj Çyrbjas duket se është tepër qesharake, me prova tepër të diskutuara, kur në fakt, nëse drejtësia s’ka prova të mjaftueshme, atëherë favorizohet i akuzuari dhe jo organi i prokurorisë.
Në vendimin e datës 24 prill 2026, të relatores Daniela Shirka, e cila e ka dënuar ish-deputetin për tri vepra penale, ajo e konsideron të provuar përkrahjen e autorit të krimit për periudhën 29 dhjetor 2020 deri më 7 mars 2021. Por, në këtë datë, ky autor, sipas vetë SPAK-ut, nuk ka qenë në Shqipëri? Cilin autor ka përkrahur Çyrbja?! A mund t’a gjejë gjykata?
Ndërkohë, në të njëjtën dosje, saktësohet se policia i ka konfirmuar SPAK-ut se Kreshnik Farruku ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë në muajin Maj 2021, periudhë në të cilën ka hyrë dhe gruaja e fëmijët e tij. Për pasojë, lind natyrshëm pyetja juridike: cili prej këtyre qëndrimeve është i saktë? Ai i datës mars 2021, ku konfirmohet zyrtarisht se shtetasi ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë apo ai i vendimit të datës 24 prill 2026, ku konsiderohet e provuar përkrahja e tij gjatë së njëjtës periudhë?
Ky është një element me rëndësi thelbësore, pasi përkrahja e autorit të krimit kërkon një lidhje konkrete faktike dhe juridike me subjektin përkatës, gjë që vihet seriozisht në dyshim kur vetë aktet zyrtare provojnë mungesën e tij nga territori.
Për mos të theksuar ngatërrimin në procesverbalin e identifikimit të kodit SKY EÇ, ku agjentet e BKH kanë gabuar në identifikimin e shtetasit Kreshnik Farruku, fakt ky i bërë publik tashmë në janar 2025.
Por, skandali thellohet më tej, po nga vetë Prokuroria e Posaçme, e cila nga njëra anë e akuzon ish deputetin Jurgis Çyrbja se ka nxjerrë sekretin hetimor, apo ka dekonspiruar operacionin për kapjen e Kreshnik Farrikut, dhe nga ana tjetër, i njëjti organ akuze, e ka liruar personin në fjalë. Në datën 2 prill të vitit 2025, Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë një njoftim për shtyp, ku lajmëron se ka marrë një kërkesë nga Farruku për konstatimin e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së procesverbalit të të identifikimit në SKY ECC PIN, ku identifikon në mënyrë të gabuar si posedues edhe atë vetë, në vend të poseduesit dhe përdoruesit real shtetasin R.F.
Po në atë datë, Gjykata e Posaçme, ka pranuar kërkesën e tij dhe revokimin e masës së sigurimit “arrest me burg”. Në fund, ka vendosur të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim Kreshnik Budlla (Farruku) nga ambientet e paraburigmit. Pra, personi që u “ndihmua” nga ish-deputeti s’ka asnjë akuzë. Cilin favorizoi Çyrbja?


Ndërkohë, Vox News ka analizuar të tjera dokumente, që kanë të bëjnë me akuzën e tretë të ngritur ndaj Jurgis Çyrbjas, atë të nxjerrjes së sekretit shtetëror. Gjykata e Apelit të Posaçëm e ka shpallur fajtor për konsumimin e kësaj vepre penale, ndërkohë që në deklarimin e tij, të datës 06.01.2025, Inio Pipero, punonjës i Interpol Tiranës, ka pohuar se “regjistri ku janë të regjistruar personat që kanë aksesuar listën e personave të shpallur në kërkim është i paaksesueshëm si pasojë e sulmit kibernetik që pësuan kompjuterët e Policisë së Shtetit”.
Në këto kushte, lind nevoja për të sqaruar mbi çfarë baze faktike dhe provuese është arritur në përfundimin e fajësisë, kur vetë regjistri që do të shërbente si provë teknike rezulton i pa aksesueshëm?
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016