OST kapet me shkelje në tendera - Elisian Bici në gjurmët e Skerdi Drenovës, masa për 13 punonjës!

26 Prill 2026, 19:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Elisian Bici

Operatori i Sistemit të Transmetimit, një nga shoqëritë aksionere më me fitimprurëse shtetërore, është kapur sërish me shkelje flagrante në bërjen e tenderave, një problematikë e mbartur që vijon të jetë gangrenë për arkat e buxhetit të shtetit. Megjithëse prej më shumë se 16 muajsh në krye të OST-së është emëruar Elisian Bici, që zuri vendin e Skerdi Drenovës, sërish janë gjetur parregullsi të shumta në disa procedura, duke konfirmuar se vërtetë “peshku qelbet nga koka”, por ky peshk ka “infektuar” të gjithë stafin e OST-së.

Duket se, ndryshimet në kupolë nuk kanë sjellë pritshmëritë e duhura, të paktën në bërjen e letrave, pasi gjithkush s’ka pasur pritshmëri se gjërat do të rregullohen, duke qenë se OST-ja ka rroga marramendëse, trajtime për stafin, shpërblime apo rroga shtesë. Duke qenë se ky Operator është një hallkë midis prodhimit dhe shitjes së energjisë elektrikë, bilancet dalin gjithmonë me fitime, merr para’ si nga KESH-i ashtu nga OSHEE-ja, duke i dhënë një luks në bërjen e tenderave.

Të dhënat e siguruara nga Vox News hedhin dritë mbi abuzime të drejtorit aktual Elisian Bici në bërjen e tenderave, jo në një procedurë, por në disa, duke hedhur dyshime se gjithçka që bëhet në OST, është me shkelje flagrante të ligjit. Megjithatë, duket se OST-ja ka mburojë të fortë Ministrinë e Infrastrukturës, pasi të gjithë drejtorët e mëdhenj në atë dikaster e ngjyejnë sadopak gishtin apo fusin dorën në fondet e këtij Operatori, duke qenë se ata drejtorë janë edhe anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës.

OST kapet me shkelje në tendera - Elisian Bici në gjurmët e
Faksimile: Vendimi i APP-së për konstatimet te OST për shkeljet në bërjet e tenderave

Janë pikërisht drejtorët e mëdhenj të Ministrisë, njerëzit e besuar të ish-ministres Belinda Balluku, të cilët drejtojnë në fakt OST-në, ose e orientojnë apo më saktë bëjnë pazare se çfarë duhet shpenzuar dhe kujt i duhet besuar. Në Këshill kanë qenë sekretarë të përgjithshëm, zv.ministra, drejtorë të rëndësishëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilët diktojnë edhe drejtorin e Operatorit, i cili në fakt është sërish një njeri i “besuar”.

Vox News ka hulumtuar një dokument të Agjencisë së Prokurimit Publik, të datës 24 prill 2026, i cili ka kryer një verifikim në OST. Bëhet fjalë për disa procedura tenderuese, të reklamuara nga palë të treta, të cilat kanë marrë pjesë në tendera, dhe kanë konstatuar shkelje të shumta.

Në dokument detajohet se janë gjetur shkelje në të paktën 2 procedura, një kontratë publike furnizimi dhe një kontratë publike për punë. “Autoriteti kontraktor nuk ka vepruar në përputhje me nenin 92 të ligjit ‘për prokurimin publik’, lidhur me vlerësimin e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës. APP vendosi të propozojë marrjen e masës disiplinore ndaj 4 personave dhe të dënojë me gjobë 9 persona, të evidentuar përgjegjës për shkelje dhe mangësi të konstatuara në vendim”, thuhet në shpjegimin e masës së marrë.

OST kapet me shkelje në tendera - Elisian Bici në gjurmët e
Faksimile: Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së për emërimin e z. Elisian Bicit si administrator i OST-së

Këto janë shkelje tepër të rënda të një institucioni shtetëror, të denja për një dosje penale të Prokurorisë së Posaçme, pasi nëse hetimet administrative gjejnë shkelje për 13 persona, zyrtarë të OST-së, do të thotë se çdo qelizë e atij institucioni është e kriminalizuar. Një hetim penal, mund të zbardhë se ku kanë përfunduar miliona euro të akorduara, rolin e gjithsecilit, apo edhe të administratorit.

Nëse 13 punonjës kapen me shkelje, a ka mundësi që administratori Elisian Bici të mos ketë informacion? Cili drejtues lejon këto shkelje, ose u jep dorë të lirë vartësve në bërjen e tenderave, në xhirimin e milionave, në firmosjen e kontratave, në lidhjen e marrëveshjeve. Padyshim që “peshku është qelbur nga koka”, përderisa një numër kaq i lartë zyrtarësh është gjetur me shkelje.

Vox News ka mësuar se drejtori aktual, Elisian Bici, ka ardhur në detyrë në muajin janar të vitit 2025, duke zëvendësuar Skerdi Drenovën. Në vendimin e datës 10 janar 2025, Këshilli Mbikëqyrës ka emëruar Bicin si administrator, teksa kohët kaluan dhe, megjithëse pati ndryshime në qeveri apo me largimin e Ballukut, ai sërish është në atë post. Ai i ka krahët e ngrohta, si në ministri ashtu edhe në Këshill, pasi në ministri janë sërish njerëzit e besuar të Ballukut, të cilët janë njëkohësisht edhe anëtar të Këshillit Mbikëqyrës.

©Copyright VoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video