Si vidhen të sëmurët mendorë - 33 tendera me shkelje në Spitalin Psikiatrik të Vlorës: Kush i mbron drejtuesit?!

13 Prill 2026, 22:44Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Spitali Psikiatrik i Vlorës

Spitali Psikiatrik i Vlorës është kapur me shkelje të shumta nga një raport i nxjerrë nga Agjencia e Prokurimit Publik, duke hedhur hije të mëdha dyshimi se çdo procedurë prokuruese në atë institucion bëhet me shkelje, teksa akoma më e paqartë mbetet fakti se nuk janë marrë masa për drejtuesit.

Raporti në fjalë meriton një hetim të plotë, pasi të gjithë jemi dëshmitarë të përballjes të pacientëve të atij spitali me mungesë infrastrukture, kushtesh, medikamentesh apo edhe për ushqim, ndërsa mediat kanë raportuar në vijimësi për shkelje të shumta edhe në trajtimin çnjerëzor të të sëmurëve.

Duket se, problemet vijnë nga koka, nga titullarët. Aktualisht, në krye të atij institucioni është Elpiniqi Mërkuri, e cila ka marrë detyrën në muajin dhjetor të vitit 2025, teksa vitet e fundit ajo po ngre shkallët e karrierës, pasi nga një punonjëse e thjeshtë në Tiranë, në një kompani farmaceutike, u katapultua si Kryetare e Këshillit Bashkiak të Vlorës.

Në atë post, si kryetare e Këshillit Bashkiak, Elpiniqi ka firmosur gjithçka që i serviret nga Bashkia, qoftë në faljen e pronave për fotovoltaikë, për leje plazhi, për krijimin e shoqërive që do gllabërojnë prona në qytetin bregdetar, apo edhe në zaptimin e hapësirave publike.

Ndërkohë, abuzimet në Spitalin Psikiatrik ende s’kanë një përgjegjës, është përgjegjësi e drejtoreshës aktuale apo të ish-drejtuesve?! Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Agjencia e Prokurimit Publik ka gjetur shkelje në të paktën 33 tendera. Të vjedhësh të sëmurët mendore, t’u marrësh ushqimin, veshmbathjet, ilaçet është një krim çnjerëzor, që të paktën meritohet të hetohet edhe penalisht.

Si vidhen të sëmurët mendorë - 33 tendera me shkelje në
Faksimile: Raporti i APP-së për tenderat me shkelje në Spitalin Psikiatrik të Vlorës

Vox News ka hulumtuar dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik, në të cilat janë detajuar shkeljet e drejtuesve të këtij spitali, teksa nuk përcakton nëse shkeljet janë të Elpiniqit apo ish-drejtuesve. Në dokument shkruhet se janë audituar dhe gjetur me shkelje plot 33 tendera, 25 procedura dhe 8 kontrata.

Shkelje janë gjetur në 2 procedura të hapura, në 7 procedura të thjeshtuara, në 16 procedura prokurimi me vlerë të vogël. Gjithashtu janë gjetur parregullsi të shumta në 11 kontrata publike furnizimi, në 13 kontrata publike për shërbime dhe në 1 kontratë publike për punë. Pra, shkelje në gjithçka!

Ndër shkeljet e konstatuara, sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, është se Spitali dhe vetë drejtuesit nuk kanë vepruar në përllogaritjen e vlerës së prokurimit. Gjithashtu edhe me kriteret e kualifikimit, pra duke vendosur kritere që “kapeshin” nga firma të caktuara. A mos vallë kanë qenë të paracaktuara?!

Shkeljet vijojnë se, Spitali Psikiatrik nuk ka dëshmuar nëse për kontratat, të jenë zbatuar kërkesat e parashikuara në dokumentet e tenderit dhe detyrimeve të kontratës. Raporti parashikon se është gjetur shkelje edhe në një VKM, që s’është zbatuar.

 

Si vidhen të sëmurët mendorë - 33 tendera me shkelje në
Faksimile: Raporti i APP parashikon masa për dhjetëra punonjës

Nëse do t’i analizojmë shkeljet e sipërpërmendura, do të vërejmë që ka jo vetëm abuzime, por edhe disa vepra penale. Nuk janë pak, por plot 33 procedura me një dëm të madh ekonomik për buxhetin e shtetit, apo edhe një dëm ndaj pacientëve të atij spitali.

“Në bazë të ligjit ‘për prokurimin publik’, APP vendosi të propozojë marrjen ? masës disiplinore ndaj 14 personave dhe të dënojë me gjobë 8 persona, të evidentuar përgjegjës për shkelje dhe mangësi të konstatuara në vendim” thuhet në këtë vendim.

Duket se, në gjithë abuzimet e sipërpërmendura, drejtuesit janë “amnistuar”, pasi nuk ka asnjë masë ndaj tyre, drejtoreshës aktuale apo ish-drejtuesve të mëparshme. Nëse 14 punonjës apo vartës të tyre abuzuan, a e dinin drejtuesit për këto abuzime? Kush i urdhëroi këta punonjës të bënin tendera?

Natyrisht, raporti i APP-së apo edhe KLSH-së meriton një hetim të plotë dhe të thelluar. Organet ligjzbatuese kanë një indicie të fortë për të hapur të paktën një dosje. Nëse do t’i shkojnë deri në fund, kjo mbetet për t’u parë, por të paktën këto abuzime, që rëndojnë pikërisht pacientët me probleme, të hetohen.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video