‘Hileja’ e Ministrisë së Financave me akcizën. Ulja e taksës te nafta, kompensohet nga rritja e TVSh

7 Prill 2026, 09:47Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Enea Karakaçi, Delina Ibrahimaj, Edi Rama, Petrit Malaj

Buxheti i shtetit nuk humbet asnjë qindarkë nga ulja me 20 për qind e akcizës së naftës kur çmimi për një letër tejkalon 220 lekët. Të ardhurat e munguara në buxhet nga reduktimi i kësaj takse kompensohen nga rritja e taksës mbi vlerën e shtuar për shkak të rritjes së çmimit.

TVSH-ja mbi naftën në Shqipëri llogaritet me normën 20 për qind mbi çmimin final, i cili përfshin koston e naftës, akcizën, taksën e qarkullimit dhe atë të karbonit.

Kjo do të thotë se TVSH-ja aplikohet si "taksë mbi taksë", ku me çmimin aktual prej 224 lekësh që ka caktuar bordi, qeveria arkëton vetëm nga kjo taksë 44.8 lekë për litër, ose të paktën 8 lekë për litër më shumë se sa arkëtohej para rritjes së çmimit të karburanteve.

Shifra përkon me nivelin e uljes së akcizës prej 20 për qind. Aktualisht, akciza që aplikohet mbi karburantet është rreth 40 lekë për litër, që do të thotë se niveli i reduktuar i saj përfaqëson fiks 8 lekëshin shtesë që arkëtohet nga TVSh prej rritjes së çmimit.

Ndoshta kjo ka qenë llogaria që ka bërë Ministria e Financave kur ka vendosur që ulja e akcizës prej 20 për qind të aplikohet vetëm kur çmimi i naftës tejkalon 220 lekët. Nëse ky çmim rritet përtej këtij niveli, qeveria jo vetëm që nuk humbet nga akciza e reduktuar, por arkëton të ardhura shtesë prej TVSh.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video