Qeveria e majtë me oligarkët – “Ndërtuesi” Afrim Qendro prishi brenda 24 orëve banesën për ndërtimin e rrugës që lidh portin me rrugën Transballkanike

4 Prill 2026, 22:38Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim - Vox News

Politikat e mazhorancës aktuale janë totalisht të djathta; tenderat, lejet, tokën shtetërore dhe koncesionet i marrin vetëm një grusht njerëzish, ata më të pasurit. Madje, këta persona diktojnë edhe vendimmarrjet e institucioneve shtetërore, duke i “urdhëruar” të shkatërrojnë gjithçka që u del përpara, në dëm të shtresave më në nevojë apo njerëzve të thjeshtë.

Për t’i hapur rrugë projekteve që kanë të pasurit, shteti u vë ruspat bizneseve, banesave e magazinave të njerëzve hallexhinj. Rastet janë me dhjetëra, ku sa herë ka ruspa që prishin ndërtime në Theth, Velipojë, Kepin e Rodonit, Durrës, Vlorë, Himarë apo Sarandë, nga pas lind një projekt mbi tokën “e grabitur” dhe shtetërore.

Në këto radhë do të ndalemi në zemër të Vlorës, atje ku paradokset janë të shumta, ku nga njëra anë shteti vepron pa mëshirë, në dëm të banorëve vendas dhe nga ana tjetër i ka dhënë oligarkëve me 1 euro një sipërfaqe të stërmadhe, truallin e Portit, për të ndërtuar pallate, hotele e restorante private. Brenda 24 orëve, IKMT-ja e drejtuar tashmë nga ish-Prefekti i Vlorës, Afrim Qendro, familja e të cilit merret edhe me ndërtime, i ka prishur një familjeje banesën dykatëshe, për t’i hapur rrugë ndërtimit të “Marina Vlorës”.

Qeveria e majtë me oligarkët – “Ndërtuesi”
Faksimile: Vendimi i IKMT-së i datës 2 prill 2026 për të prishur banesën dykatëshe të ndërtuar në tokë private dhe e legalizuar

Por nëse nga një anë AZHT-ja miraton javë pas jave lejet e ndërtimit për godinat e shumta dhe shumëkatëshe të “Marina Vlorës”, nga ana tjetër qeveria e majtë u prish banesat me letra banorëve vendas, pa i kompensuar apo shpronësuar, vetëm e vetëm që të kënaqë oligarkët e radhës. Duket se, oligarkët që po ndërtojnë atë kompleks janë mësuar që t’a kenë tokën falas dhe jo të negociojnë me pronarët legjitimë.

Në këtë rast, qeveria e majtë duhet të bënte të kundërtën, të mbronte banorët vendas dhe jo t’i hidhte në rrugë, siç edhe bëri me familjen që me mund e me djersë ndërtoi në tokën e tyre godinën. Brenda 24 orësh, “ndërtuesi” Afrim Qendro mori vendimin për ndërtimin pa leje dhe dërgoi me urgjencë ruspat, duke e shkatërruar pronën e familjes.

Sipas dokumentit që disponon Vox News, vendimi i IKMT-së ka numrin 17, të datës 2 prill 2026, i cili bën fjalë për prishjen e objektit të kundraligjshëm. “Në bazë të procesverbalit me numër 4, i datës 26 mars 2026, inspektorët e IKMT-së, pasi ushtruan një kontroll në subjektin juridik Vrion Çuni, Elizabeta Çuni, në adresën lagja ‘1 Maji’, rruga ‘Irakli Pylli’, Bashkia Vlorë, kanë konstatuar kundravajtjen administrative objekt 1 kat dhe 2 kat pa leje ndërtimi”, thuhet në dokument.

Qeveria e majtë me oligarkët – “Ndërtuesi”
Në foto: Harta e vendit ku u prish banesa është në fakt “rruga” për në kompleksin “Vlora Marina”

IKMT-ja vendosi “dënimin e kundravajtësit Vrion Çuni, Elizabeta Çuni me prishjen e objektit të kundraligjshëm objekt 1 kat dhe 2 kat pa leje ndërtimi”. Në fund të këtij dokumenti shkruhet se “kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim i drejtpërdrejtë në gjykatë, brenda 10 ditëve, duke filluar nga data e njoftimit të vendimit. Ankimi gjyqësor kundër këtij vendimi nuk pezullon ekzekutimin e tij”, thuhet në dokument, i firmosur në fund nga kryeinspektori Afrim Qendro.

Përse Qendro nuk priti gjykatën? Vox News ka mësuar se familja Çuni është e pajisur me vërtetim pronësie dhe certifikatë pronësie. Madje, kanë edhe një legalizim. Ata kanë kërkuar rifreskimin e certifikatës së pronësisë, por procesi është bllokuar me dashje në Kadastrën e Vlorës. Për këtë arsye, familja ka fituar gjyqin në shkallë të parë dhe tashmë çështja është në Apel, ku palë e paditur është Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Megjithë këto dokumente, sërish ruspat shkuan atje të kryesuara nga Fatmir Meta, një shef i cili është rikthyer në detyrë, pas një pezullimi të shkurtër, për shkak të sherrit me një tjetër koleg në IKMT.

Vox News ka mësuar se, trualli dhe godina e familjes Çuni kanë qenë në “rrugën” për te kompleksi që po ndërtohet pak metra më larg. Nëse do t’a shohësh me sy të lirë, banesa është shumë afër “Marina Vlorë”, e cila ka filluar të lulëzojë, pas një mori vendimesh për miratimin e lejeve të ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Qeveria e majtë me oligarkët – “Ndërtuesi”

Qeveria e majtë me oligarkët – “Ndërtuesi”
Faksimile: Leja e ndërtimit të Marina Vlorës ka si “rrugë hyrëse” objektin që u prish

Vox News shfletoi dokumente të tjera, të miratuara nga qeveria e majtë që mbështet oligarkët, të cilët bëjnë fjalë për lejen e ndërtimit për faljen e një sipërfaqe të mëdha pronë shtetërore, ku po ndërtohet “Marina e Vlorës”, me godina shumë katëshe.

“Objektet do të zhvillohen në një truall me sipërfaqe 57.502 m². Zona qendrore e caktuar për zhvillimin e Masterplanit të Marinës së Vlorës, është zona aktuale e portit. E përjashtuar nga zhvillimi (por jo nga operacionet e marinës) është gjurma e parkut të ri publik. Janë disa zona aneksesh jashtë pronave të portit, të cilat janë pjesë përbërëse e masterplanit, për të garantuar aksesueshmerine, sigurinë dhe vazhdimësinë” thuhet në dokument.

Pra, privati ka marrë edhe toka e troje të tjera përveç Portit të Vlorës, vetëm e vetëm që të kënaqë oligarkët.

Qeveria e majtë me oligarkët – “Ndërtuesi”
Në foto: Masterplani po ku ndërtohet Marina Vlorë

Në dokument përcaktohet aktualisht ka disa ndërtime ekzistuese brenda zonës së prekur të projektit. “Disa ndërtime janë planifikuar për prishje (të pjesshme) sipas projektit të Parkut Bregdetar të Vlorës. Ndërtimet e tjera duhet ose të prishen ose të rinovohen si pjesë e projektit të propozuar, ku ndër to janë edhe ‘ndërtimet dhe strukturat e jashtëligjshme”, thuhet në dokument.

Sipas saj, shumica e elementëve janë të destinuara për prishje për shkak të cilësisë së keqe ose mospërputhjes me zhvillimin e planifikuar, thuhet në dokument. Po përse nuk iu dha leje banorëve që t’i rinovojnë ndërtesat? Ose të lidhnin kontratë me oligarkun apo ndërtuese të tjerë për t’i zhvilluar?

Qeveria e majtë me oligarkët – “Ndërtuesi”
Në foto: Masterplani po ku ndërtohet Marina Vlorë

Të tjera dokumente që ka hulumtuar Vox News shkruajnë se prishja ka qenë e planifikuar vite më parë, ndërkohë që IKMT-ja nuk merrte vendim për shkak të frikës së ndonjë padie në gjykatë dhe bllokimit të vendimit. Është një skemë e vjetër që e ka realizuar për vite me radhë Inspektoriati, ku brenda disa orësh nga vendimi, dërgon ruspat për prishje. Por, fatura e dëmeve i shkon buxhetit dhe taksave të vetë qytetarëve.

Ndërtesa e familjes Çuni ka qenë në një nyje të rëndësishme për Marinën, ndërkohë që në dokumentet e KKTU-së shkruhet se “projekti varet fort nga rruga kryesore e re hyrëse që është planifikuar aktualisht nga Bashkia e Vlorës. Rruga hyrëse do të sigurojë aksesin kryesor në zhvillimin dhe Marinën, gjë që e bën duke minimizuar efektet negative në pjesën tjetër të qytetit për shkak të lidhjes së saj të drejtpërdrejtë me rrugën Transballkanike, që është rruga kryesore e Vlorës”.

Dokumentet janë të hershme dhe përcaktojnë me detaje të gjithë gjurmën, madje edhe ndërtesat aty rrotull, që nuk shpronësohen por iu vihet ruspa. Në ato prona që janë private, oligarku do të ndërtojë një parking të madh publik, parking nëntokësor dhe galerinë tregtare me sipërfaqet e veta.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video