Standardi i gjykatave tona/ Ilir Meta në kafaz prej xhami, kurse Naim Murseli i lirë në seancë gjyqësore!

27 Prill 2026, 14:55Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta/ Naim Murseli

Ish-presidenti Ilir Meta, pre 18 muajsh mbahet në paraburgim, ndërsa gjyqi ndaj tij vijon. Këtë të hënë, për herë të parë gjyqi në themel në GJKKO u transmetua një pjesë online.

Meta ishte në kafazin e xhamit, e pranë tij ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe avokati i tij, Kujtim Cakrani.

Disa ditë më pare Komiteti Shqiptar i Helsinkit e quante shkelje të të drejtave të njeriut dhe cenim të prezumimit të pafajësisë, mbajtjen në kafaz të të paraburgosurve.

KSHH thekson se cenohet prezumimi i pafajësisë e të drejtat e njeriut.

“Sipas nenit 341 të Kodit të Procedurës Penale, drejtimi i seancës gjyqësore dhe ruajtja e rendit në sallë janë kompetencë ekskluzive e gjykatës. Neni 344 parashikon qartë se i pandehuri merr pjesë në gjykim si person i lirë, edhe kur është i paraburgosur. Kufizimet lejohen vetëm nëse ai pengon zhvillimin e seancës. Kjo praktikë cenon prezumimin e pafajësisë dhe pengon komunikimin efektiv me mbrojtjen, duke sjellë edhe shkelje të Konventës Evropiane që garanton të drejtën për proces të rregullt”, thuheJ në reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Komiteti i Helsinkit thotë se argumentimi i Gjykatës se vendosja në kafaz është kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bie ndesh me ligjin procedural penal, ndërsa sjell edhe një rast kur GJEDNJ e kundërshton mbajtjen e të paraburgosurve  në kafaz.

 “Kjo praktikë bie në kundërshtim edhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në çështjen Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë, GJEDNJ ka nënvizuar se nuk ka asnjë justifikim që një person të trajtohet si “kafshë e egër” dhe se arsyet e sigurisë mund të adresohen me masa më pak kufizuese, si shtimi i pranisë policore”, thuhej në raportin e Helsinkit.

Modeli ndryshe i drejtësisë në Kosovë pa (kafaz) për të paraburgosurit

Rasti “Murseli”

Në seancën e 21 prillit Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Standardi i gjykatave tona/ Ilir Meta në kafaz prej xhami, kurse Naim
Naim Murseli gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Por ajo që shihej gjatë gjykimit të këtij grupi të rrezikshëm, ishte prania e tyre në seancat gjyqësore pa kafaz izolimi por vetëm me pranga dhe me prani të policisë.

Rasti i terroristëve të ‘Banjskës’:

Drejtësia e Kosovës dha verdiktin e saj edhe për të akuzuarit në rastin “Banjska”, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë të tjerë.

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, kurse Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vite burgim.

Standardi i gjykatave tona/ Ilir Meta në kafaz prej xhami, kurse Naim
Trupi gjykues duke shpallur aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë

Edhe në këtë rast ku rrezikshmëria e tyre ishte shumë e madhe, ata ishin të pranishëm në sallën e gjyqit dhe jo në një kafaz prej xhami.

Praktika e mbajtjes së të pandehurve në kafaz metalik apo kabinë xhami gjatë seancave në GJKKO po vihet në qendër të një debati të fortë juridik dhe publik.

Kjo praktikë po cilësohet si një shkelje të rëndë të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Po ashtu, një praktikë e tillë cenon edhe nenin 6, që garanton të drejtën për një proces të rregullt.

Sipas standardeve ndërkombëtare, masat e sigurisë duhet të jenë sa më pak kufizuese dhe të mos krijojnë perceptimin e fajësisë para vendimit përfundimtar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video