Tunelet që “hanë” para’, 1.3 milionë euro për mirëmbajtje dhe sistem anti zjarr në Kardhiq–Delvinë

15 Nëntor 2025, 16:14Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
1.3 milionë euro për mirëmbajtje dhe sistem anti zjarr në Kardhiq–Delvinë

Historia e ndërtimeve të tuneleve në rrugët shqiptarë ka qenë tepër e dyshimtë, duke filluar nga ai në rrugën Durrës – Kukës, tuneli i Krrabës në aksin Tiranë - Elbasan, i Murrizit në rrugën e Arbrit, Llogaraja dhe ai në rrugën Kardhiq – Delvinë. Në pjesën më të madhe të këtyre veprave, vlera është rritur ndjeshëm, duke favorizuar firmat fituese.

Gjithmonë ka pasur dyshime se fituesit janë paracaktuar, pasi disa nga këto vepra kanë qenë edhe dosje penale. Prokuroria e Përgjithshme hapi vite më parë një hetim penal për fryrjen e kostove të tunelit të Thirrës, madje duke marrë të pandehur edhe ish-ministrin e Infrastrukturës së asaj kohe Lulzim Basa. Çështja u pushua për procedurë, duke qenë se i pandehuri pretendoi se nuk kishte marrë dijeni për këtë çështje.

Më vonë, historia u përsërit në tenderin e lotit të 7-të të rrugës Kardhiq – Delvinë, ku ish-drejtoresha e ARRSH-së është vënë nën akusë dhe dënuar për favorizim të një firme. Ndërkohë, dosja më e madhe deri më tani është pikërisht ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, ku nën akuzë dhe e pandehur është zv.kryeministrja Belinda Balluku, drejtori aktual i ARRSH-së Gentian Gjyli, ish-drejtori Evis Berberi, si dhe disa nëpunës të tjerë të lartë.

Një histori e gjatë abuzimesh që s’ka të sosur, teksa nga dita në ditë, java në javë, apo muaj pas muaji, i njëjti institucion shtetëror, Autoriteti Rrugor Shqiptar, vijon të paguajë dhe të fryjë kostot e veprave publike. Njëjtë siç ka ndodhur me Unazën e Tiranës, me Korçë – Ersekë, Qukës – Qafë Plloçë apo edhe tani me zgjerimin e Tiranë – Durrës. Por, para’ hidhen edhe në ato rrugë që kanë qenë dosje në SPAK.

Tunelet që “hanë” para’, 1.3 milionë euro
Faksimile: Njoftimi i ARRSH-së për hapjen e tenderit të radhës për mirëmbajtjen e tunelit të rrugës Kardhiq – Delvinë

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender tjetër për aksin Kardhiq – Delvinë, pas projektimit, ndërtimit, mbikëqyrjes, sinjalistikës apo edhe të sistemit anti zjarr. Një mori procedurash, disa prej të cilave në shkelje, siç i konstatoi edhe Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme. Por, kjo s’e ka penguar që të shtojë para për të njëjtën vepër.

ARRSH-ja, sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, ka hapur procedurën me objekt të prokurimit “mirëmbajtja e rrugës Kardhiq-Delvinë, loti-7 (tuneli)”. Fondi limit është 42.930.000 lekë, ose rreth 450 mijë euro. Sërish një “mal” me para për Tunelin, i cili gjatë këtyre kohëve që është hapur ka pasur një mori problemesh.

Rruga ka një pjerrësi të madhe, si nga krahu i Gjirokastrës ashtu edhe nga Saranda dhe shpeshherë janë djegur makina, në rrugë apo edhe në afërsi të tunelit. Ka pasur raste edhe të djegje së makinave brenda tunelit, teksa sipas raportimeve të redaksisë sonë, firma ndërtuese “Gjoka” nuk ka vendosur sistem anti zjarr.

Tunelet që “hanë” para’, 1.3 milionë euro
Faksimile: Tenderi i hapur nga ARRSH për instalimet e sistemit të mbrojtjes nga zjarri në tunelin Kardhiq – Delvinë

Disa javë më parë, VoxNews denoncoi se një tjetër skandal në bërjen e punëve publike, ku veprat ndërtohen, riparohen pas përurimit apo ribëhen nga e para. I tillë është edhe ndërtimi i tunelit të Skarficës, pjesë e rrugës së re Kardhiq–Delvinë, një rrugë e nisur vite më parë dhe e përuruar në vitin 2022, pas një kalvari të gjatë tenderësh dhe ankimimesh.

Tenderi i lotit 7 ka qenë më i debatuari, madje çështja ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, ku ish-drejtoresha e Rrugëve Sonila Qato është marrë e pandehur për shpërdorim detyre. Ajo dyshohet se favorizoi një kompani në dëm të firmës “Gjoka”, por pas ankimimeve firma që bën tunelet në Shqipëri e fitoi garën dhe vlerën prej rreth 20 milionë eurosh.

“Tre vite pas përurimit të tunelit dhe të të gjithë rrugës, kanë filluar problemet e para. Apo më saktë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gjetur mangësi tepër të dukshme. Një ndër to ka qenë edhe mungesa e një sistemi për mbrojtjen nga zjarri në tunelin Kardhiq – Delvinë. Një skandal nëse do ta mendosh që ai tunel nuk e ka një sistem të tillë.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ARRSH ka hapur tenderin me objekt “qendra e MZSH dhe instalimet për mbrojtjen nga zjarri në tunelin Kardhiq- Delvinë”. Fondi limit i procedurës është 800 mijë euro, teksa bën fjalë për stacion për mbrojtjen nga zjarri.

Por, natyrshëm pas këtij tenderi lindin disa pyetje; A nuk ishte projektuar që tuneli të kishte një sistem anti zjarr? Nëse po, përse u bë? Nëse jo, kush mban përgjegjësi. Natyrisht që të gjithë mbajnë përgjegjësi, zyrtarët aktualë apo edhe ish-zyrtarët e ARRSH-së të cilët lejuan që diçka e tillë të ndodhë.

Tunelet që “hanë” para’, 1.3 milionë euro
Faksimile: Tenderi i ndërtimit të tunelit u fitua nga kompania Gjoka në bashkëpunim me dy firma të tjera

Institucionet shtetërore duhet të bëjnë një analizë të plotë të kësaj situate. Nëse çështja shkoi në atë kohë në SPAK, a kishte mangësi në bërjen e një vepre të tillë? Natyrisht që po, pasi vetë shteti shpenzoi në atë kohë 20 milionë euro dhe tashmë hedh të tjera para për të bërë një sistem që duhet të ishte bërë.

Firma ndërtuese është një emër i njohur i përfituesve të tenderëve publik, nga veriu në jug, ku ka fituar shumicën e procedurave në rrugët ku ka tunele. “Punët e ngjashme” e kanë favorizuar në procedurat e tunelit në Llogora, të cilën e ka ndërtuar me një firmë turke.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video