Kristian Shkreli, kryetari aktual i Bashkisë së Vaut të Dejës, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhjet e 11 majit. SPAK e akuzon se ai u kërkoi banorëve vota në favor të PSD-së, duke u ofruar edhe të mira apo favorizime në vendimet e bashkisë.
Dosja e prokurorisë vjen disa kohë pasi kryeministri Edi Rama iu drejtua Shkrelit në një takim që “mos luaj me dy porta”. Pavarësisht se Shkreli është përfaqësues i PS-së, ai njihet në zonë si një nga mbështetësit e Partisë Social Demokrate të Tom Doshit.
Kjo ishte dosja e parë në SPAK. Një tjetër dosje mund të hapet në të ardhmen, pasi bën fjalë për një konflikt të pastër interesi. Kristian Shkreli, para se të merrte detyrën e kryetarit të bashkisë, ka qen nënkryetar i saj, për shumë vite. Ai ka qenë një vartës i Mark Babanit, i cili e ka drejtuar bashkinë e Vaut të Dejës për disa vite.


Duke qenë se kemi të bëjmë me një marrëdhënies shef – vartës, e tillë ka ndodhur edhe pasi Babani ka lënë detyrën e kryetarit, për t’ia kaluar stafetën Kristan Shkrelit. Sipas dokumenteve që disponon ekskluzivisht VoxNews, bashkia e Vaut të Dejës ka finalizuar ditët e fundit ankandin e dy pronave shtetërore, në pronësi të pushtetit lokal në zonë.
Njoftimi i mësipërm është publikuar disa ditë më parë në APP, i cili bën fjalë për “njoftim fituesi për dhënie me qira”. Bëhet fjalë për një konkurrim publik i zhvilluar me datë 22 shtator 2025, në orën 11.00, me objekt “dhënie me qira
e sipërfaqeve prej 0.049 ha dhe 0.0735 ha, pjesë e pasurisë nr 546/4, Zk nr 3506, me afat 10 vjet, lloji pa fryt, ndodhur në fshatin Stajkë, Njësia Administrative Bushat”.
Sipas dokumenteve, kanë qenë pjesëmarrës në këtë procedurë subjekti “Babani. M.G”, me numër NIPT-i L26331005A. Sipas tyre, oferta e paraqitur nga ky subjekt për sipërfaqen prej 0.049 ha, është 2.450 lekë në vit. Për rrjedhojë, firma në fjalë është shpallur edhe fituese.

VoxNews shfletoi dokumente nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku rezulton se subjekti “Babani. M.G” është në pronësi të Gentian dhe Mark Babanit. Secili ka nga 50 % të aksioneve në këtë subjekt.
Një vendimmarrje tepër kurajoze e Kristian Shkrelit, i cili vijon që t’a mbajë mirë dhe të “hajë në disa porta”. Ai herë pas herë rreshtohet me PS-në, herë të tjera me PSD-në apo në këtë rast ai i ka bërë qejfin edhe ish-kryetarit, i cili ka disa biznese në zonë.
Duke qenë se ankandi s’kishte garë, lindin dyshime se gjithçka ka qenë e paracaktuar dhe se prona do të merrej pikërisht nga Babani. Atë që s’e mori dot kur ishte kryetar, ia jep ish-zëvendësi i tij, Kristian Shkreli, tashmë në rolin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.