
Njoftimi zyrtar i SPAK-ut në lidhje me operacionin e arrestimit të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë me akuzën e korrupsionit sugjeron edhe njëherë tjetër se prokurorët e posaçëm nuk ndjekin të njëjtat standarde për çështjet e korrupsionit.
Në rastin e sekretares së Ministrisë së Shëndetësisë, SPAK jo vetëm që nuk ka vënë nën akuzë e arrest asnjë biznesmen, por as e ka përmendur në njoftimin zyrtar.
E kundërta ka ndodhur në rastin e dosjes së inceneratorëve, ku SPAK jo vetëm që i përmendi që në njoftimin zyrtar, por kërkoi arrestimin dhjetëra biznesmenëve që mbahen sot ende në burg. Ky është standardi i dyfishtë me sjelljen ndaj biznesit, që në rastin e inceneratorëve barazohet me zyrtarin e akuzuar për korrupsion, ndërsa në rastin e sekretares së ministrisë së shëndetësisë, Joana Duro biznesi shmanget nga përgjegjësia penale.
Edhe në rastin e tenderit për uniformat e reja të policisë së shtetit, kompania e përfshirë në këtë tender nuk u përfshi në dosje. Por cili është standardi që duhet ndjekur?
Pak ditë më parë ishte ish ministri i drejtësisë që e ngriti shqetësimin e goditjes së biznesit në rastin e inceneratorëve. "Shihni me vëmendje se në bankën e të akuzuarve po vendoset biznesi. Po të bëj një tolerancë deri diku të zyrtarit publik, të cilët paguhen nga taksat tona, por jo të bien në bankën e të akuzuarve ata që paguajnë taksa. Njësoj si ata që shpenzojnë taksa. Nuk funksionon kështu, nuk është drejtësi kjo dhe nuk mendoj që i shërben publikut. Nuk mendoj se kjo sjellje ligjore i shërben drejtësisë, rendit juridik dhe kushtetues në vend, duke akuzuar biznesin me akuza të stisura. Biznesi ka një detyrë, të ngrihet në mëngjes të shpenzojë dhe të fitojë para dhe nuk është turp të fitohet para, sepse këtu është krijuar ideja se këta janë kulak. Ka kulakë, ka oligarkë, ka borgjezë, terma komunistë, bolshevik. Biznesi për këtë punë është, të fitojë para", theksoi Manjani në Top News.
SPAK njoftoi këtë të shtunë zyrtarisht operacionin e arrestimit të sekretares së ministrisë së shëndetësisë, që akuzohet për korrupsion. Ajo dyshohet se ka përfituar 330 mijë lek për të favorizuar një operator ekonomik në një tender në shëndetësi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.