Dhjetëra punonjës të inceneratorit të Fierit dolën në protestë për të kërkuar pagat e tyre, që prej pesë muajsh nuk i marrin. Rroga për punën e tyre në këtë impiant është e vetmja e ardhur që çojnë në familje.
Ata thonë se kanë kontaktuar me administratorin e kompanisë dhe shqetësimin e kanë ngritur edhe te institucionet shtetërore prej kohësh, por asgjë nuk është zgjidhur deri më tani. Punonjësit thonë se përgjatë këtyre muajve janë zhytur në borxhe, madje edhe ushqimet i kanë marrë me lista.
Por, cili është burimi i problematikës së tyre. Mospagesa për pesë muaj përkon me periudhën kur përmes një vendimi arbitrar dhe në shkelje të detyrimeve kontraktuale, Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku ndërpreu pagesat për këtë incenerator.
Bëhet fjalë për pagesa nga qershori deri në tetor të vitit të kaluar, që në total shkojnë në 315 milionë lekë, ose rreth 2.7 milionë euro. Pagesat, sipas kontratës së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së inceneratorit të Fierit do të shërbenin për shlyerjen e pagave për punonjësit dhe për mbylljen e plotë të investimit, pasi një turbinë e këtij incineratori është bllokuar në doganë nga Belinda Balluku.
Kompania e inceneratorit të Fierit, në pronësi të Klodian Zotos, është sekuestruar me vendim gjykate që në dhjetor të vitit 2021. Prej asaj kohe ajo menaxhohet nga Agjencia shtetërore për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara me në krye Faraudin Arapin.
Kjo do të thotë se i gjithë problemi për mospagesën e punonjësve të inceneratorit buron nga zinxhiri shtetëror me shkaktare kryesore Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës të drejtuar nga Belinda Balluku. Ky është një nga rastet e shumta dhe tipike kur shteti penalizon qytetarët e tij duke shkaktuar kriza sociale për mosshlyerjen e detyrimeve për të cilat zotohet në kontrata me privatët.
Megjithatë, rasti i inceneratorit të Fierit është vetëm maja e ajsbergut e detyrimeve të prapambetura të Ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku. Sipas raportit final financiar të detyrimeve të prapambetura të vitit të kaluar, kjo ministri ka një stok borxhesh prej gati 4 miliardë lekësh, ose më shumë se 35 milionë eurosh. Gjysma e këtyre detyrimeve të prapambetura janë ndaj investimeve që kryhen nga privatët.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.