“Sondazhi për emigracionin si statistikat e OJQ-ve për numrin e prostitutave” (Replika e sociologut me gazetaren)

14 March 2022, 21:18Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Sondazhi për emigracionin si statistikat e OJQ-ve për numrin e
Emigracioni. Foto ilustruese

Televizioni Scan ka bërë një sondazh ku sipas tyre më shumë se 4 në 10 shqiptarë mendojnë të emigrojnë nga vendi.

Më saktësisht, 43% e shqiptarëve e mendojnë apo planifikojnë emigrimin, ndërsa vetëm 57% shprehen se nuk kanë ndërmend të emigrojnë.

Të dhënat vijnë në formën e një ankete gjithëpërfshirëse në të gjithë Republikën, çka do të thotë se nuk është e fokusuar vetëm te të rinjtë, por te të gjitha grupmoshat, gjë që i jep edhe më shumë peshë shifrës prej 43% të atyre që e mendojnë të largohen nga vendi.

Të dhënat i referohen tremujorit të fundit të vitit të kaluar dhe tregojnë se nuk ka ndryshime në raportin e përgjithshëm mes atyre që e mendojnë dhe atyre që nuk e mendojnë të largohen nga Shqipëria, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Po ky përfundim i anketës ka ngjallur një reagim me revoltë te sociologut të njohur Fatos Tarifa.

Në një replikë me një nga gazetaret e Scan tv, profesor Tarifa e quan këtë studim të barabartë me studimet që janë bërë më parë për 30,000 prostituta shqiptare në Europë, çka do të thotë se çdo familje shqiptare ka një vajzë ose një kushërirë të parë që është prostitutë.

“Sondazhi për emigracionin si statistikat e OJQ-ve për numrin e
Te dhenat e anketes

Më poshtë replika mes tyre në rrjetin social LinkedIn...

Dafina Hysa (Producente në SCAN TV, lektore dhe eksperte e komunikimit): 43% e shqiptarëve mendojnë të emigrojnë; 6% kanë një plan konkret dhe 2% kanë valixhet gati.

Fatos Tarifa: Boll me këto statistika “fake”, se janë bërë bajate, si puna e atyre OJQ-ve shqiptare që kanë “statistika” se në Europë ka mbi 30,000 prostituta shqiptare, çka do të thotë se çdo familje shqiptare ka një vajzë ose një kushërirë të parë që është prostitutë. Boll! Statistika të tilla nuk janë as shkencë, as lajm!

Dafina Hysa: (SCAN): I nderuari z. Tarifa, këto janë gjetjet e anketës së realizuar me 1,000 individë në një kampion gjithëpërfshirës. Me një kampion të tillë qytetarësh dua t’ju kujtoj se realizohen edhe studime te Akademisë së Shkencave, po i lë mënjanë OJF-të. Si çdo sondazh, edhe ky ka marzhin e tij të gabimit. Mbase numri i atyre që duan të ikin nga sytë këmbët është edhe më i madh.

Fatos Tarifa: Kam frikë, zonjë e nderuar, se i përcillni publikut të dhëna krejt të pasakta. Në statistikë nuk ka kampion “gjithëpërfshirës”, ka kampion përfaqësues. Dhe marzhi i gabimit është një element esencial. Me një kampion “gjithëpërfshirës”, që s’dihet ç’është, realiteti mund të jetë krejt ndryshe nga ky që thoni ju, madje i kundërt me të. Është madje krejt e pafalshme dhe krejt joprofesionale të thuash, siç bëni ju, se “mbase numri i atyre që duan të ikin është edhe më i madh”. Pra ju edhe vetë i vini në dyshim rezultatin që thoni se keni “zbuluar” me kampionin tuaj “gjithëpërfshirës”. Duhet ta dini zonjë se 1,000, 10,000 apo 100,000 individë kanë fare pak rëndësi për një kampion, nëse ky përfaqëson besnikërisht karakteristikat kryesore të krejt popullsisë—dhe jo vetëm ato demografike. Teorikisht, nëse të gjithë anëtarët e një shoqërie do të ishin tërësisht identikë, 1 individ i vetëm do të mjaftonte për të “matur” opinionet ose sjelljen e tij. Edhe diçka tjetër: një gazetareje që punon në një televizion serioz nuk i lejohet të përdorë shprehje të tilla si “duan të ikin nga sytë këmbët”.

Dafina Hysa: (SCAN): Në faqen e SCAN TV ka një seksion të dedikuar për studimet e “SCAN Intelligence Unit” në bashkëpunim me “Idra Research and Consulting”. Nëse e shfletoni, jam e bindur se nuk do të keni më dyshime për seriozitetin e punës së ekipit. Ju përshëndes.

Fatos Tarifa: Dyshimi metodologjik dhe relativizmi, jo besimi absolutist, e kanë çuar dijen dhe shkencën përpara. Besojeni këtë që ju them.

Vanova (Gjicali) Strakosha: Don’t kill the messanger, Mr. Tarifa.

Fatos Tarifa: What does that mean, young lady?

Vanova (Gjicali) Strakosha: It means let’s agree to disagree.

Fatos Tarifa: That’s what I’m doing. But I am also a sociologist by training and my education in social science as well as my vocation as a public sociologist tell me to never take anything for granted if solid proof is not provided, and if we do not use our unique gift of critical thinking as humans. These matter a lot to me, especially when things go public.

Nga Bertand Russell kam mësuar se mendimi kritik nënkupton edhe vetë reflektimin kritik ndaj çdo gjëje që merret si mendim kritik.

Është absurde të mendosh se 43% e shqiptarëve mendojnë të largohen nga vendi i tyre. Dy vite më parë, një sondazh me të rinjtë studentë e nxirrte këtë shifër 80%. Ç’do të thotë “mendojnë” të largohen? Ëndërrojnë të largohen? Dëshirojnë të largohen? Parashikojnë të largohen? Planifikojnë të largohen? Përgatiten të largohen? E shohin largimin si një mundësi?

Këto nuk janë e njëjta gjë. Nëse 43% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi i tyre, përse nuk janë larguar deri më sot, ose përse nuk largohen? Nuk i kanë mundësitë të largohen? Nuk janë të sigurtë nëse duan ose jo të largohen? Janë të pasigurtë për atë çfarë i pret në atë vend të huaj ku mund të dëshirojnë të vendosen si emigrantë të paligjshëm? Shumë prej tyre, me siguri, kanë dëgjuar nga të tjerë emigrantë shqiptarë se jeta jo për të gjithë në Perëndim, madje as për një pjesë të mirë të popullsisë vendase, është la dolce vita që ata mund të kenë ëndërruar?

 Jemi lodhur me statistika të tilla.


Video