“Perëndimi s’mund të pranojë një Jaltë të re me gjakun e Ukrainasve”

14 March 2022, 12:26Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Perëndimi s’mund të pranojë një Jaltë
Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Monika Zuchniak-Pazdan

Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, znj. Monika Zuchniak-Pazdan, në një intervistë për Albanian Daily News, i bën thirrje për unitet dhe solidaritet Perëndimit duke theksuar se gabimet e shkuara nuk duhen përsëritur.

Më poshtë disa nga pasazhet kryesore të intervistës së ambasadores:

“Për më shumë se 30 vjet relativisht në paqe, Perëndimi ushqeu iluzionin se rënia e Murit të Berlinit në 1989 dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik shënonin "fundin e historisë". Por, sot “historia” po përsëritet me të gjithë forcën e vet. Ky është momenti që Perëndim të tregojë se nuk do t'i nënshtrohet tiranisë. Është koha që të tregojmë se vlerat si liria dhe e drejta e vetëvendosjes së popujve nuk janë thjesht tema për të cilat flasim, por edhe gjëra për të cilat jemi të gatshëm të luftojmë. Gjaku i ukrainasve kërkon që ne të reagojmë me vendosmëri.

Sulmi i pamëshirshëm ndaj Ukrainës është një tjetër kapitull në historinë e rivendosjes së statusit perandorak të Rusisë. Putin ka vite që e zbaton këtë plan. Filloi me sulmin ndaj Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe u pasua nga pushtimi i Krimesë në 2014. Ndërsa sot synohet nënshtrimi i Ukrainën. Dhe nuk duhet të kemi iluzione: ky mund të jetë vetëm fillimi.

Prandaj, lufta e Putinit ndaj Ukrainës është gjithashtu një betejë për shpirtin e Perëndimit. Ky pushtimi i jep fund edhe një epoke iluzionesh për marrëdhëniet e perëndimit me Moskën. Është koha për të hequr dorë nga iluzionin se bota do të bëhet një vend i sigurt pa përpjekjet tona. Për paqen, gjithmonë, duhet luftuar. Dhe gjithmonë, duhet triumfuar. Kjo është prova përfundimtare. Nuk ka rrugë tjetër përveç sanksioneve të ashpra që shënjestrojnë direkt sistemin ekonomik dhe energjetik të Rusisë. Rusia mund të ndalet vetëm nga solidariteti perëndimor me Ukrainën. BE dhe NATO nuk mund të lejojnë përhapjen e idesë se ata mund të sakrifikojnë të ardhmen e Ukrainës për të rivendosur paqen.

Siguria transatlantike është e pandashme. Një kërcënim për një shtet në komunitetin euroatlantik është një kërcënim për çdo anëtar të NATO-s. Të gjithë për një, dhe një për të gjithë. Mbi themelet e solidaritetit dhe unitetit, Evropa ndërtoi paqen dhe prosperitetin pas vitit 1945. Tani Putini po përpiqet të hedhë në erë të gjithë arkitekturën e sigurisë së pasluftës. Ka një mënyrë të vetme për ta parandaluar këtë. Një Perëndim i bashkuar; BE-ja duhet të jetë në krah të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe aleatëve të tjerë në lidhje me sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë.

Autoritetet ukrainase të zgjedhura në mënyrë demokratike duhet ta ndjejnë mbështetjen tonë të palëkundur. Ne duhet t'u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë dhe partnerëve me të njëjtin mendim në mbarë botën që të qëndrojnë kundër agresionit të Rusisë atje, kundër luftës. Nevojitet një kundërpërgjigje strategjike, qoftë politikisht, qoftë ushtarakisht.

Së pari, duhet mobilizuar një koalicion ndërkombëtar humanitar.

Së dyti, duhet bërë më shumë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet. Vendet që janë të gatshme të ofrojnë pajisje mbrojtëse shtohen vazhdimisht. Por duhet vepruar shpejt për të koordinuar përpjekjet tona në mbështetur të ushtrisë së Ukrainës.

Së treti, sanksionet ekonomike duhet të thellohen më tej, duke përjashtuar çdo bankë ruse nga SWIFT, duke hequr privilegjet e institucioneve financiare ruse dhe oligarkëve të saj.

Por këto masa do ishin të pamjaftueshme nëse Evropa nuk fillon të heqë dorë nga nafta dhe gazi rus që financon makinën luftarake të Putinit. Rusia duhet privuar nga burimet e saj të financimit të armëve. Një Evropë e varur nga hidrokarburet dhe lëndët e tjera të para të blera nga Moska nuk është vetëm shkelje e sovranitetit të saj, por edhe suport financiar për oligarkët rusë.

Dhe së fundi, Evropa duhet të jetë, gjithmonë, e hapur për diplomacisë dhe kundër përshkallëzimit, me kusht që qeveria e Ukrainës të ruajë sovranitetitn dhe integritetin territorial në çdo marrëveshje të mundshme. Një Jaltë të re, e dakordësuar nga fuqitë e jashtme, mbi gjakun e popullit të Ukrainës, është e papranueshme. Tani, duhet vepruar edhe për të forcuar sigurinë euroatlantike, çfarë është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme. Aftësitë tonë parandaluese, aktualisht, janë të pamjaftueshme. Kjo nuk nënkupton vetëm fuqizimin e krahut lindor të NATO-s, por edhe mbështetje për vendeve evropiane joanëtare të NATO-s, të cilat janë potencialisht në rrezik nga agresioni rus, si Moldavia, Gjeorgjia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe ata që marrin pjesë ose mundësojnë agresionin rus, si Bjellorusia, duhet t'i nënshtrohen sanksioneve maksimale, si Rusia.

Zgjedhja tragjike me të cilën përballet, sot, Evropa është se “Kontinenti i Vjetër” thjesht nuk ka zgjidhje. Nuk ka mbetur gjë tjetër veçse të shtrëngojmë gjithnjë e më shumë sanksionet kundër regjimit të Vladimir Putin dhe të luftojmë kundër autoritarizmit të tij. Ne kemi nevojë për më shumë vendosmëri dhe guxim nëse duam që veprimet tona të jenë efektive. Izolimi i Rusisë së Putinit është thelbësor”.

 

*Intervista me ambasadoren e Polonisë në Shqipëri, znj. Monika Zuchniak-Pazdan është realizuar nga Alqi Koçiko, kryeredaktor i Albanian Daily News. Përshtati në shqip Vox News.


Video