Kush është Inna Derusova, gruaja e parë që merr titullin (pas vdekjes) të Heroit të Ukrainës

13 March 2022, 19:31Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kush është Inna Derusova, gruaja e parë që merr titullin

Për herë të parë një grua ka marrë titullin e Heroit të Ukrainës: Inna Derusova, mjeke rreshtere e ushtrisë ukrainase është dekoruar pas vdekjes nga presidenti Volodymyr Zelensky, i cili i dha Yllin e Artë së bashku me 106 ushtarakë të tjerë – 17 nga të cilët u vranë në betejë – për “trimërinë dhe heroizmin e treguar në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Nga 24 shkurti, Derusova ishte me detyrë në qytetin e Okhtyrka, në rajonin lindor të Sumy, ku duke rrezikuar jetën e vet shpëtoi të paktën 10 ushtarë: u vra nga goditjet e artilerisë ruse, ndërsa ishte duke ndihmuar të plagosurit.

“Kam firmosur dy dekrete të rëndësishme për të nderuar 106 ushtarët që luftuan me kurajo për pavarësinë e Ukrainës: 17 prej tyre, për fat të keq, vdiqën si heronj”, konfirmoi në Telegram Zelensky.

Inna Nikolaevna Derusova është “e para grua” që merr këtë nder, konfirmoi presidenti ukrainas. “I përjetshëm do të jetë kujtimi për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Ukrainën! Lavdi të gjithë heronjve! Lavdi Ukrainës!”, përfundoi presidenti.

 


Video