Situata në të cilën ndodhet Partia Demokratike gjithnjë e më tepër po futet në kaos.
Marrja e partisë nga Sali Berisha u duk se do të bashkonte demokratët, por tashmë ata janë më shumë të ndarë.
Vjeshta pritet të ketë zhvillime të reja në kampin blu.
Gjykata e Apelit pritet të marrë vendimin për vulën e partisë dhe gjasat janë që të rrëzohet Shkalla e Parë dhe vula t’i kalojë Alibeajt.
Kjo do të krijonte një situatë të ndërlikuar për Berishën, që do të detyrohej mos të regjistrohej në zgjedhjet e radhës me emrin Partia Demokratike, por të futej nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës.
Por zhvillimi më i ri në kampin e opozitës pritet nga Lulzim Basha.
Heshtja e tij e gjatë duket se do të marrë fund. Sipas burimeve pranë ish kreut të PD, ai po punon për krijimin e një partie të re demokrate ku do të jenë pjesë të gjithë deputetët që nuk i janë bashkuar Foltores.
Aktualisht Lulzim Basha është i angazhuar totalisht në shërbim të nënës së tij, e cila po kalon një situatë të vështirë shëndetësore, por në shtator do të vejë në jetë projektin e ri.
Sipas burimeve të VOX News partia do të jetë me theks pro amerikan edhe si kontrast i Non Gratës së Berishës.
Basha do ta regjistrojë partinë që në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen në pranverë.
Burime nga PD bëjnë me dije se ish kryetari i opozitës ka përhapur informacionin se partia ka mbështetje të të gjithë ambasadorëve të huaj këtu dhe do të jetë partia e rotacionit.
Pikëpyetja e gjithë historisë mbetet aftësia që ka Basha për të bërë një parti të re, ndërsa dështoi me një parti që ishte me struktura të ngritura.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.