Padia për gazetën austriake, Ilir Meta reagon pas lajmit të Vox News: Nuk kisha lek të paguaja avokatin!

25 August 2022, 17:25Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Padia për gazetën austriake, Ilir Meta reagon pas lajmit të Vox
Skema e pastrimit të parave të korrupsionit që u përdorën për lobim në SHBA nga Ilir Meta

Ilir Meta hoqi dorë nga padia ndaj gazeta austriake “Kronen Zeitung” për të përgënjeshtruar artikullin e kësaj të fundit, ku që në titull e cilësonte Metën si ‘thellësisht të korruptuar’.

Gazeta e publikoi këtë artikull në fillim të muajit qershor, kohë kur Ilir Meta ishte ende President i vendit. Në reagimin e parë, Meta tha se do ta padiste gazetën jo si individ, por sepse kishte shpifur, sipas tij, ndaj Presidentit të Shqipërisë.

Tani, “turpi po hahet me bukë” dhe Ilir Meta ka hequr dorë nga pastrimi i emrit të vet dhe për më tepër të Presidentit të Republikës. Arsyeja që jep: nuk paguan dot avokatin.

“Mund t’ju them se kjo gjë mu vlerësua e panevojshme dhe jo produktive nga disa kompani që merren me shpifje. Padyshim që gjyqi ishte i fituar. Për shkak të ligjeve austriake, kompensimi do ishte i përmasave modeste ndërkohë që shpenzimet për ndjekjen e këtij gjyqi ishin të larta dhe për efekt për transparencën, nuk ia vlente. 300 euro ora për një studio ligjore. Ishte një gjë e panevojshme, gazeta vetëm ka prodhuar shpifje. Këto padyshim që vijnë për shkak se të kërkuarit janë në Vjenë. Ai që ka bërë kallëzimin, herë pas here ka qenë në Vjenë”, deklaroi Meta.

300 euro për njeriun që ka paguar me mijëra euro për lobim të pasuksesshëm në SHBA janë shumë pak për të qenë arsye tërheqjeje nga padia. Prandaj, arsyeja e vetme e tërheqjes nuk janë paratë, por pamundësia për ta fituar gjyqin.

Gazeta “Kronen Zeitung” nuk e ka bazuar artikullin e vet në hamendësime e thashetheme, por në prova të mirëdokumentuara dhe të tërhequra nga zyra amerikane, të paktën në pjesën e lobimit. Aty janë me radhë, ashtu siç ka sjellë edhe më herët Voxnews.al të gjitha shpenzimet që Ilir Meta ka bërë për lobim duke paguar përmes sekserëve dhe kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video