Një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike, të paktën ata që mbështesin rrymën e Lulzim Bashës dhe të Enkelejd Alibeajt mund të votojnë nismën e Partisë Socialiste për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për politikanët dhe zyrtarët e lartë, sipas kërkesës së bërë nga Autoriteti i Dosjeve.
Përveç kësaj, nuk përjashtohet mundësia që Alibeaj të dorëzojë në Kuvend një amendim në draftin e socialistëve, që djeg Ilir Metën. Amendimi mund të lidhet me pjesën e kërkesën e bërë shpesh prej korrikut nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të dosjeve dhe jo selektive.
“Pa u thelluar në të shkuarën diktatoriale, pa nxjerrë mësimet e duhura prej saj do e kemi të pamundur të ndërtojmë një të ardhme me themele të shëndosha. Partia Demokratike, është e angazhuar maksimalisht për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin, hapjen e plotë të dosjeve, ndalimin e simboleve komuniste dhe kthimin e burgut të Spaçit e kampin e Tepelenës në muze të kujtesës kolektive. Këto nisma, përbëjnë një korpus fillestar me themele për dekomunistizimin, të cilit do t’i qëndrojmë gjer në fund”, deklaroi Alibeaj.
Deklarata e tij u bë nga ceremonia e përkujtimit të viktimave të kampit famëkeq të Tepelenës. Çështja është se veç dosjeve, a do të japë Basha, Alibeaj dhe mbështetësit e tyre në Kuvend votën pro ndryshimeve që socialistët propozojnë për dekriminalizimin.
Në draftin jozyrtar që po qarkullon, PS propozon që t’u ndalohet e drejta për t’u zgjedhur personave që figurojnë bashkëpunëtorë, apo të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit. Por, sipas një deklarate të Taulant Ballës, nuk përjashtohet mundësia që në këtë kategori të shtohen edhe ish-zyrtarët e ish-funksionarët e lartë të Partisë së Punës. Një i tillë ka qenë Sali Berisha, si ish-Sekretar partie.
Ndryshimi i tillë, veç Metës do të linte jashtë Kuvendit edhe Sali Berishën. PS nën zë thotë se ndryshimet e propozuara kanë mbështetjen e amerikanëve, por edhe nëse nuk e kanë publikisht këtë mbështetje, duke njohur raportet që Berisha e Meta kanë me Ambasadën e SHBA, nuk përjashtohet miratimi në heshtje i “Rrugës së Elbasanit” për të dyja këto nisma.
Problemi është nëse PS mund të sigurojë votat për ndryshimin e këtyre dy ligjeve, pra për ligjin e dosjeve dhe për dekriminalizimin, por efektet e këtyre ndryshimeve duhet të shtrihen me ndryshime edhe në Kodin Zgjedhor. Ky i fundit kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash. PS, bashkë me tre deputetët e PSD-së bën 77 vota.
Tetë vota të tjera mund të mbërrijnë nga grupi i Enkelejd Alibeajt dhe i Lulzim Bashës në Kuvend, që nëse miratohen PS do të vriste dy zogj me një gurë duke përjashtuar nga e drejta për t’u zgjedhur si Berishën, ashtu edhe Metën.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.