Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta.
Kreu i SPAK, Arben Kraja i është drejtuar me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
SPAK ka kërkuar formularin e dekriminalizimit për Metën, pas një padie në strukturën e posaçme.
SPAK kërkon kështu nga KQZ vënien në dispozicion të formularit në funksion të hetimit për kryetarin e Partisë së Lirisë.
“Për nevojë të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, të dorëzuar nga ish-deputeti Ilir Meta”, thuhet në kërkesën e SPAK.
Disa javë më parë gazeta më e madhe austriake “Kronen Zeitung”, publikoi fakte të rënda në lidhje me financimin e lobimit që Ilir Meta ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta ngriti pikëpyetje për vizitën e Metës në Uashington dhe burimin e financimit të këtyre parave.
Sipas gazetës bëhet fjalë për shifra që kapin vlera qindra mijëra euro për lobim duke përdorur kompani të regjistruara në zona offshore për të shmangur burimin e të ardhurave, por dhe deklarimin në organet që kanë detyrë të kontrollojnë financimin e partive apo dhe politikanëve në Shqipëri, siç është KQZ dhe ILDKPKI.
Pas lajmit të publikuar nga media austriake që ka denoncuar aferën 700.000$ për lobim, Ilir Meta është kallëzuar në SPAK. Kallëzimi është bërë nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili tha se disponon prova se Meta gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim.
Ai thotë se së fundmi është kontaktuar nga një gazetar i huaj, emrin e të cilit nuk ka zgjedhur që ta bëjë publik, por shprehet se i ka vënë në dispozicion disa dokumente që vërtetojnë aferën korruptive të Metës.
Ish deputeti, krahas artikullit të gazetës, ka pohuar se ka prova shtesë që ia ka sjellë një gazetar i huaj, ku përfshihen fatura dhe kontrata, që konfirmojnë lotimin nga Ilir Meta me para të pajustifikuara kur ishte kryetar i LSI-së.
Ilir Meta ishte me imunitet presidencial deri në 24 korrik të këtij vitit, kur i mbaroi mandati.
Konfirmohet lobimi 700 mijë USD
Disa dokumente të publikuara në media kanë konfirmuar vërtetësinë e artikullit të botuar disa ditë më parë nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, e cila denoncoi Ilir Metën dhe LSI-në se ka paguar 700 mijë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump, në vitin 2017.
Dokumentet e dorëzuara në autoritetet amerikane komprometojnë rëndë Ilir Metën dhe LSI-në. Kontratat konfirmojnë se Ilir Meta, në fillim të vitit 2017, ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.
Po ku i gjeti Ilir Meta paratë për të kryer pagesat në janar-shkurt 2017 për kompaninë McKeon Group dhe 600 mijë euro për kompaninë “Dorelita Limited”? A i ka deklaruar Meta këto para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive?
Ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar për vitin 2017, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, LSI ka raportuar shpenzime për konsulencë dhe lobim në vlerën 3.3 milionë lekë. Konkretisht, LSI ka deklaruar në KQZ shpenzime konsulencë në vlerën 1,414,465 lekë me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA. Gjithashtu, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulence me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me anë të një raporti, ka konstatuar se LSI nuk justifikon me burime të ligjshme të ardhurash as kontratën e dytë, atë me kompaninë MCKEON GROUP, me vlerë 1.9 milionë lekë.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.