Zhdukja e Ervis Martinajt nga një grup rival nga Vlora? Policia kontrolle në qytetin bregdetar

25 August 2022, 21:05Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Zhdukja e Ervis Martinajt nga një grup rival nga Vlora? Policia kontrolle

Teza se Ervis Martinaj është ekzekutuar nga rivalët në biznes përforcohet nën dyshimet se policia ka nisur kontrolle në Vlorë në kuadër të hetimit për zhdukjen e tij prej datës 9 gusht.

Sipas kësaj piste hetimore, dyshohet se Marinaj është rrëmbyer nga një klan mafioz rival nga Vlora, ku më pas dyshohet se është ekzekutuar. Fillimisht, klani mafioz dyshohet se ka marrë peng familjarë të shtetasit G. B nga Fushë Kruja.

'Prapaskena.al' nxjerr me iniciale badigardin që Voxnews.al solli ditën e mërkurë si personi që ka nxjerrë në pritë Martinajn. G. B ishte i besuari kryesor i Martinajt.

Përmes pengmarrjes së familjarëve, shkruan Prapaskena, grupi nga Vlora, i cili kryen aktivitet kriminal edhe në Tiranë, e ka detyruar G. B që të ‘shesë’ shefin e tij, Elvis Martinaj. Gjithsesi, ende nuk ka një pistë zyrtare për ngjarjen.

Ende nuk dihet nëse Martinaj është ekzektutuar apo kemi të bëjmë me një inskenim. Një burim i tha Vox News në ekskluziven e së mërkurës se Martinaj është shoqëruar dhe nga një tjetër ish-polic, veç Jeton Lamit të arrestuar, por ish-polici mendohet se është ekzekutuar bashkë me Martinajn.

Sipas të njëjtit burim grupet rivale të Ervis Martinajt kanë shkuar në familjen e ish-badigardit të tij dhe e kanë kërcënuar se do t’i zhdukin familjen nëse nuk ua nxjerr në pritë. Ish-polici që luante rolin e badigardit është takuar me rivalët e Martinajt dhe kanë rënë dakord për bashkëpunimin kundrejt një shume të madhe parash.

Sipas versionit që disponon Voxnews.al badigardi i ka thënë Ervis Martinajt se është kapur peng një nga rivalët e tij dhe duhet të shkojnë ta ekzekutojnë. Kjo ka qenë rruga e fundit e Martinajt pasi ka shkuar në gojë të ujkut.

Aty është marrë peng dhe sipas dyshimeve të hedhura është keqtrajtuar dhe më pas ekzekutuar. Por grupet që e nxorën në kurth nuk janë mjaftuar me kaq. Në momentin që do t’i jepnin shpërblimin tradhtarit që e nxori në pritë e kanë vrarë dhe badigardin e tij.

Për shkak se ngjarja është në hetim dhe shumë sensitive Voxnews.al zgjodhi të mos publikojë as emrat e as inicialet e personave të përfshirë.

Versioni i mësipërm, i thënë nga burime jo zyrtare policore mbetet për t’u verifikuar nga organet kompetente. Rreth dy javë më parë, xhaxhai i Ervisit, Faik Martinaj, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Lezhë se ka humbur kontaktet me nipin.

Në korrik të vitit 2021, teksa përfundoi hetimet për vrasjen e Santiago Malkos, SPAK nënvizonte se plani ishte ekzekutimi edhe i Ervis Martinajt por s'kanë mundur ta gjejnë atë edhe pse kishin informacion se kishte udhëtuar në Spanjë apo Turqi.

Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen. Ai ka thënë se 500 mijë euro do paguante Ervis Martinaj për këtë vrasje.

Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro.

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.


Video