
Dosja “5D” ishte aksioni më i fundit i SPAK, duke vendosur 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa 6 të tjerat janë detyrim paraqitje.
Prokuroria e Posaçme nisi hetimet duke dalë në përfundimin se Redian Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion”.
Por për të mos dalë vetë në skenë, sipas SPAK, kompaninë e kishin lënë në emër të Eduard Metës, Muhamet Petritit dhe Nestor Muhametllarit.
Të tre kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje si me drejtorat në Bashkië e Tiranës si me Mariglen Qaton ashtu edhe me Redian Mollën.
Çfarë është ‘5D Konstruksion’, dhe lidhja me drejtorat e bashkisë së Tiranës?
Më 21 janar 2016 regjistroi kompaninë "V.A.S. Konstruksion", më pas ia ndryshoi emrin në "IGOR ELEKTRIK".
Kompania u regjistrua në emër të Eduart Metës, mik i afër i Qatos, i cili më pas i shet 75% të aksioneve Muhamet Petritit.
Në kontratë shkruhet se aksionet janë shitur për vetëm 75 lekë kur xhiroja vjetore ishte 760 mijë dollarë.
Lidhja mes tyre bëhet në faktin se Muhamet Petriti është vjehrri i vëllait të Mariglenit, Alfred Qatos.
Muhamet Petriti, me profesion bukëpjekës, njëherëzi vjehrri i vëllait të Mariglen Qatos, në dhjetor të vitit 2018, bëhet aksioner me 100% të kapitalit i kompanisë ‘5 D Konstruksion.
Tre vite pasi u bë aksioner me 100 % të kapitalit te shoqërisë, Muhamet Petriti në 10 mars të vitit 2021, ja shet kompaninë vartësit të tij Nestor Muhametllari.
Muhamet Petriti e shet kompaninë në një kohë që përgjatë katër viteve, ajo kishte realizuar një xhiro prej 9 milionë eurosh, dhe fitim më shumë se dy milionë euro.
Si Petriti, ashtu edhe Meta, zgjodhën si administrator Nestor Muhametllarin, me profesion inxhinier. Një person me eksperiencë, që menaxhon një kompani ndërtimi.
Por lëvizjet në kompani nuk përfundojnë me aq, pasi në vitin 2018, Muhamet Petriti blen edhe 25% të aksioneve të mbetura në pronësi të Eduard Metës, duke dalë i vetëm si pronar.
Kompania ecte mirë, madje kishte 2 milionë euro fitime, por Petriti gjen momentin për t'i shitur aksionet administratorit Nestor Muhametllari.
“5D” ka fituar edhe leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, ku drejtorat (de-fakto pronar) punonin vetë dhe kanë ndërtuar disa pallate në Tiranë.
Në dosjen e SPAK të siguruar nga Voxnews, shkeljet ishin më flagrante pasi ndërhynin në vlerësimin e tenderave është fakti që Muhametllari kishte dhe "userat" e antarëve të komisionit të vlersimit të ofertave.
Pra, vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
1- Faktet e SPAK dhe roli i Redian Mollës në dosjen “5D”
Nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që Redian Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.
Shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi nga “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.
2- Faktet e SPAK dhe roli i Mariglen Qatos në dosjen “5D”
Në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, "5D" ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi.
Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv, me të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.
Në katër procedura, Mariglen Qato kur ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Faktet e SPAK dhe roli i Taulant Tushës në dosjen “5D”
Taulant Tushe, akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.
Përgjimet që nxorën zbuluar kompaninë e "5D" të drejtorave
Përgjimet e komunikimeve mes punonjësve të ndryshëm të kompanisë sugjerojnë gjithashtu se pronësia e Qatos dhe Mollës mbi kompaninë ishte një sekret që e dinin të gjithë dhe as nuk kishte ndonjë përpjekje shumë të fortë për ta mbajtur të maskuar.
Përgjimet paraqesin gjithashtu një mjedis pune të dominuar nga sherret dhe presioni, punonjës që marrin qetësues për të fjetur gjumë dhe një inspektim të çuditshëm nga ana e Tatimeve, në të cilën inspektorët tatimorë “kishin parë diçka që nuk duhej të shihnin”.
SPAK njoftoi se ka vendosur në sekuestro preventive aksionet e kompanisë si dhe pronësinë e saj të pjesshme në sipërfaqe toke prej mbi 35 mijë metrash katrorë në zonën pranë fshatit Mangull në jug të Tiranës.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.