Shqipëria pa rezerva ushqimore është e varur fort nga gruri rus e ukrainas

1 March 2022, 18:46Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqipëria pa rezerva ushqimore është e varur fort nga gruri rus e

Në konferencën me gazetarët pas takimit të jashtëzakonshëm të vendeve të NATO-s, ditën e premte, Kryeministri Edi Rama u përqëndrua te ndikimi që do të ketë te sektori energjitik lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ai tha se fakti që Shqipëria nuk është e varur nga energjia me lëndet djegëse, por siguron pjesën më të madhe të nevojave për konsum nga burimet hidrike të brendshme është një avantazh dhe se nuk priste që lufta të kishte një ndikim të drejtpërdrejt te ne.

Por, ka një sektor tjetër, po aq, në mos më shumë jetik ku Shqipëria ka varësi të lartë nga importet ruse dhe ukrainase; drithërat dhe plehrat kimike.

Të dhënat e ComTrade, agjencia e OKB-së për statistikat tregojnë se në vitin 2020 Shqipëria dhe Rusia patën një volum tregtar rreth 155 mln dollarë. Deficiti tregtar i Shqipërisë me Rusinë është i thellë. Të dhënat e OKB-së thonë se në 2020 Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 130 mln dollarë, ndërsa ka eksportuar mallra me vlerë rreth 16 mln dollarë.

Rreth 40 për qind e totalit të eksporteve ruse drejt Shqipërisë, ose rreth 50 mln euro, ka qenë gruri dhe drithërat e tjera, ndërsa pjesa tjetër vaj, minerale etj. Rusia është prodhuesi i tretë më i madh në botë i grurit, pas Kinës dhe Indisë. Por, për shkak të popullsive të mëdha, prodhimet në Kinë dhe Indi nuk eksportohen, ndërsa ai rus po.

Lufta dhe sanksionet ndërkombëtare kanë rritur kërkesën e grurit, ku shumë vende po mbushin rezervat shtetërore. Kina është blerësja më e madhe e grurit rus për këtë vit. Pasojat në çrregullimin e tregut parashikohet që të ndjehen edhe në Shqipëri para muajit qershor, kohë deri kur kompanitë kryesore shqiptare të importit të miellit dhe grurit, siç mëson Voxnews.al presin dërgesa nga Rusia, gjithmonë nëse konflikti nuk përshkallëzohet më shumë dhe të bllokojë fare tregtinë.

Me Ukrainën tregtia është bllokuar plotësisht. Nga ky vend Shqipëria importon produkte me vlerë rreth 30 mln dollarë, sipas të dhënave të OKB-së për 2020, ku kryeson hekuri dhe çeliku. Por, në listë është edhe gruri dhe soja me një vlerë rreth 6 mln dollarë si dhe një sasi e konsiderueshme e plehrave kimike që përdoren në bujqësi.

Importet e grurit nga Rusia dhe Ukraina nuk plotësojnë konsumin e tregut shqiptar dhe pjesa tjetër importohet nga Serbia. Nga situata dhe rritja e mundshme e kërkesës mund të përfitojë pikërisht Serbia, duke rritur çmimin e grurit dhe të miellit, që më pas do të pasohej me një efekt zinxhir në tregun vendas.

Megjithatë, ndryshe nga vendet e rajonit, problemi në rastin e Shqipërisë është edhe më i thellë për shkak të mungesës së rezervave ushqimore shtetërore dhe në një krizë të mundshme për grurë e miell, çmimi i lartë do të ishte problemi më i vogël.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video