
Komisioni Europian do t’i propozojë Këshillit për herë të parë aktivizimin e një direktive, që do t’u jepte të drejta të barabarta me shtetasit e BE-së të gjithë refugjatëve ukrainas të zhvendosur nga lufta me Rusinë.
E miratuar në vitin 2001 pas luftërave në ish-Jugosllavi dhe Kosovë, Direktiva e Mbrojtjes së Përkohshme është një skemë e jashtëzakonshme që u jep mbrojtje të menjëhershme dhe të përkohshme personave të zhvendosur nga vendet jashtë BE-së, të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të një konflikti të armatosur, dhunës, ose shkeljeve sistematike të të drejtave të tyre njerëzore.
Mekanizmi synon të funksionojë kur sistemi tradicional i azilit është i mbingarkuar nga një mbërritje masive dhe e papritur e emigrantëve. Ai është krijuar për të vendosur një "ekuilibër përpjekjesh" midis shteteve anëtare: shpërndarja e refugjatëve bëhet sipas kapaciteteve akomoduese të çdo vendi të BE.
Teksti nuk saktëson se çfarë përbën një "fluks masiv" dhe thjesht përshkruan një "numër të madh personash të zhvendosur" të cilët nuk janë në gjendje të kthehen të sigurt në vendet e tyre.
Hapi i parë duhet të vijë nga Komisioni Europian. Pas vlerësimit të situatës në terren, ekzekutivi mund t'u paraqesë një propozim shteteve anëtare. Analiza duhet të shpjegojë profilet që do të lejohen të aplikojnë për mbrojtjen e përkohshme, një vlerësim të madhësisë së fluksit dhe datën e fillimit të mekanizmit.
Duke marrë parasysh propozimin e Komisionit, Këshilli i BE-së, i cili përbëhet nga ministrat e vendeve anëtare, mund të votojë për aktivizimin e mbrojtjes së përkohshme me një shumicë të cilësuar (të paktën 15 shtete anëtare që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së).
Pasi Këshilli voton pro aktivizimit të mekanizmit, të gjitha shtetet e BE-së, me përjashtim të Irlandës dhe Danimarkës, janë të detyruara të pranojnë personat e zhvendosur dhe të respektojnë një sërë detyrimesh.
Detyrimi kryesor është lëshimi i lejeve të qëndrimit për ata që kanë marrë kohë mbrojtje në mënyrë që ata të mund të qëndrojnë ligjërisht në vend për kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre. Ligji u kërkon vendeve të reduktojnë formalitetet "në minimum" për shkak të urgjencës së situatës.
Për më tepër, vendeve të BE-së u kërkohet të ndihmojnë njerëzit e mbrojtur për të marrë leje pune, trajnime, strehim të përshtatshëm, akses në arsim, trajtim mjekësor dhe ndihmë profesionale. Fëmijët duhet të lejohen të hyjnë në sistemin arsimor në të njëjtat kushte si banorët e shtetit anëtar.