Tenderat e zhvilluara nga pushteti qendror dhe ai vendor në Shqipëri kanë qenë gjithmonë problematike, me shumë dosje të hapura në Prokurorinë e Posaçme, me dy ish-zv.kryeministra nën akuzë, me ministra, deputetë a drejtor të mëdhenj që janë arrestuar apo janë nën hetim. Ndërkohë, e njëjta tabllo edhe me pushtetin vendor, ku bashkitë janë kthyer në noterizues të parave publike, të marra nga taksat apo shërbimet që kryejnë.
Një çudi e madhe vjen kësaj herë nga qyteti i Vlorës, ku bashkia e këtij qyteti që s’ka gjetur karar me kryetarët, pasi njërin s’e di kryeministri, tjetri e ka mendjen te diplomacia, e tjera pa ardhur mirë në atë post mendon për fasadë, është gjetur me shkelje në një procedurë të zhvilluar para 3 vitesh. Dokumentet e institucioneve kontrolluese, siç është Agjencia e Prokurimit Publik por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, kanë evidentuar një fakt tepër të dyshimtë; rindërtimi i një shkolle është bërë pa leje ndërtimi!
Por nëse një qytetar i thjeshtë në atë qytet do të ndërtonte një shtëpi pa leje, çfarë do t’i ndodhte? Nëse një banor do ndërtonte një mur, direkt në vendngjarje do të shkonin disa polici apo disa inspektoriate, të cilat do të shpejtonin për të çuar letrat në prokurori për ndërtim pa leje. Por kur këtë fakt e bëjnë zyrtarë të lartë të administratës vendore, ata të cilët favorizojnë X apo Y firmë në tendera, duke shpejtuar procedurat, çfarë u ndodh?


Pas një periudhe reflektimi, ku institucionet përpiluan dokumente, Agjencia e Prokurimit Publik, më saktësisht Drejtoria Juridike dhe e Profesionalizmit, vendosi më datë 31 korrik 2026 të përjashtojë nga tenderat firmën “Asi-2A Co”.
“Pas verifikimeve, APP ka nisur procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik ‘Asi-2A Co’ nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit me objekt ‘rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare ‘Avni Rustemi’, me fond limit 53.389.166 lekë pa Tvsh, zhvilluar në datë 30.11.2023, nga Bashkia Vlorë” thuhet në dokumente.
Më tej citohet se arsyet e fillimit të procedimit administrativ kanë nisur bazuar në raportin përfundimtar të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, lidhur me kontrollin e kryer për autoritetin kontraktor Bashkia Vlorë. “Në përfundim të procedimit administrativ të nisur, u arrit në konkluzionin se ndodheshim në kushtet kur APP përjashton një operator ekonomik nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet për keqinformim dhe dorëzim të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi”, vijon dokumenti, duke vulosur në fund skualifikimin e kompanisë me 12 muaj nga pjesëmarrja në tenderët publikë.


Vox News shfletoi edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili evidenton faktin se në atë tender me vlerë mbi 500 mijë euro janë gjetur një mori shkeljesh. “Nga shqyrtimi i dokumentacionit pjesë e dosjes së prokurimit, rezulton se Bashkia Vlorë, nuk është pajisur me ‘leje ndërtimi/infrastrukture’ dhe ‘oponenca teknike’. Zbatimi i kontratës së sipërmarrjes në mungesë të lejes së ndërtimit, përbën një risk të shtuar, për sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, si dhe për plotësimin e kushteve për kryerjen e punimeve” thuhet në dokumente.
Sipas saj, miratimi i projektit të zbatimit në mungesë të një oponence teknike përbën një risk të shtuar për kryerjen e punimeve të ndërtimit në mospërputhje me normat dhe standardet e përcaktuara në dispozitat ligjore që rregullojnë veprimtarinë e ndërtimit. “Në përfundim, në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e konstatuara më sipër, ngarkohet me përgjegjësi titullari i AK D.L” vijon dokumenti. Pra, KLSH ka konstatuar se shkelës në gjithë këtë procedurë është ish-kryetari i Bashkisë Dritan Leli, ndërkohë që nëse e gjithë dosja do të hetohet do të gjenden një mori shkeljesh.


Por, edhe pasi u shpenzuan mbi gjysëm milioni euro për të rindërtuar shkollën, sërish mediat lokale në Vlorë kanë denoncuar në vijimësi problematikat, ku një ndër to ka qenë lënia e kabujve të energjisë elektrike të zhveshur, duke rrezikuar jetët e nxënësve.
Në foto duket mjaft qartë se punimet janë bërë shkel e shko, ndërkohë që si institucioni që ka bërë tenderin ashtu edhe firma që e ka fituar, janë gjetur me shkelje. Nëse do të hetohen penalisht kjo mbetet për t’u parë, pasi drejtësia lokale merret me ndërtimet pa leje të qytetarëve dhe jo të zyrtarëve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016