Lear Kurti është 32-vjeçari i cili ndërroi jetë në duart e policisë pas shoqërimit në komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë. Shkaku i vdekjes së të riut është ende i paqartë, teksa historia e jetës së Learit është tejet e trishtë.
Në dëshminë për mediat, babai i Lear Kurtit, Artur Isai tregon se nuk është babai biologjik i tij, por adoptues. Arturi tregon se e ka marrë të riun kur ishte 2 vjeç nga Shtëpia e Fëmijës për ta rritur bashkë me të shoqen ndërsa sot e kërkon nëpër dyert e morgut për t’i parë trupin.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që punonjësit e policisë akuzohen për dhunë apo tejkalim të kompetencave. VoxNews po ju rëndit disa nga rastet e fundit ku disa qytetarë kanë humbur jetën ose kanë mbetur në duart e Policisë së Shtetit.
Vrasja e Klodian Rashës
Rasti më i bujshëm është vrasja e Klodian Rashës nga polici Nevaldo Hajdaraj, i dënuar me 10 vjet burg për “vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”.
Rasha u ekzekutua pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës, pasi Hajdaraj e ndoqi për ta ndëshkuar për shkeljen e orës policore të vendosur për shkak të pandemisë dhe mosmbajtjen e maskës anti-Covid.
Efektivët i kanë bërë thirrje për të ndaluar në zonën e Don Boskos, por ai është frikësuar dhe ka vendosur që të largohet me vrap.
SHÇBA doli në përfundimin se veprimet e Hajdarajt, bien në kundërshtim me procedurat standarte të përdorimit të armëve të zjarrit dhe se nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Zjarrvënia e qëllimshme e Arben Micit në Kamëz
Një ngjarje e rëndë u regjistrua pak më shumë se disa muaj më parë, pikërisht në ambientet e një komisariati policie. Bëhet fjalë për komisariatin numër 5 në Kamëz, ku si pasojë e një zjarri të rënë në ambientet e dhomave të personave të ndaluar, 26-vjeçari Arben Mici humbi jetën i asfiksuar nga tymi.
Në këtë ngjarje, një tjetër i paraburgosur dhe një punonjës policie, u dërguan në spital, por pa pasoja për jetën. Mici, banues në Çerkezë, kishte dhunuar nënën e tij dhe ishte arrestuar, ai ndezi dyshekun prej sfungjeri dhe duke u mbyllur në tualetin e nëndheshëm të komisariatit, priti fundin e jetës.
Teksa shumë pikëpyetje rëndojnë mbi policinë e Kamzës dhe çdo ambient tjetër paraburgimi në komisariatet e kryeqytetit, efektivi Hajredin Boja dhe inspektori Fatmir Isufi ndodhen në burg.
Hetimet zbuluan se oficerët e sigurisë nuk respektuan procedurat për të ndaluarit në Komisariatin e Kamzës, duke i lejuar të ndaluarit që të mbante në qeli një çakmak me vete, që shkaktoi një ngjarje me pasoja të rënda.
Vdekja e dyshimtë e Enea Ftoit në Korçë
Vdekja e 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili humbi jetën në komisariatin e Korçës në 17 maj 2018, ka mbetur akoma e pazbardhur, të paktën sipas familjarëve. Prokuroria e Korçës e ka pushuar hetimin në lidhje me rastin e vdekjes në komisariat të të riut.
Prokuroria mori dëshmitë e policëve dhe disa personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohën kur i riu ndodhej i shoqëruar. Por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës, thuhej në argumentimin e prokurorit.
Enea Ftoi ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e paraburgimit të Korçës, ku kishte tre ditë që qëndronte, pasi ishte ndaluar për ‘vjedhje me dhunë’. Ftoi, ditën kur ndodhi ngjarja, duhej të dilte në sallën e gjyqit për akuzën që rëndonte ndaj tij.
Ndonëse familjarët e prisnin në sallën e gjyqit, ata u njoftuan për ngjarjen e rëndë. Familjarët e viktimës hodhën akuza të rënda për policinë, pasi kishin dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim, gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen.
Vrasja e Jonada Avdiat
Jonada Avdia erdhi në Shqipëri me prindërit e saj dhe po shijonte detin e bukur të jugut, por një incident me gomone i mori jetën.
Helikat e mjetit lundrues që drejtohet nga Arjan Tase, shef i Policimit në Elbasan dëmtuan rëndë shtatë vjeçaren, që vdiq në vend.
Çfarë ndodhi me Lear Kurtin
Lear Kurti 32-vjeç ndërroi jetë në duart e policisë pas shoqërimit në komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë. Shkaku i vdekjes së të riut është ende i paqartë, historia e jetës së Learit është e trishtë.
Në dëshminë babai i Lear Kurtit, Artur Isai tregon se nuk është babai biologjik i tij, por adoptues.
Arturi tregon se e ka marrë të riun kur ishte 2 vjeç nga shtëpia e Fëmijës për ta rritur bashkë me të shoqen ndërsa sot e kërkon nëpër dyert e morgut për t’i parë trupin.
Ngjarja e rëndë, ndodhur sot pak pas mesnate në Tiranë, ku 32 vjecari Lear Kurti ndërroi jetë pasi u ndalua nga policia, vijon të jetë e mbushur me mister.
Ekspertiza
Në ekspertizën paraprake ka rezultuar se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës.
Në stomakun e tij është gjetur një përmbajtje plastike disa centimetra, ku dyshohet se viktima ka gëlltitur lëndën narkotike. Kjo substancë është dërguar për analiza të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka qenë kokaine apo jo.
Në stomakun e 30-vjeçarit ka shenja hemoragjie, çka mund të jetë shkaktuar nga gëlltitja e lendes plastike ku dyshohet se mbahej lënda narkotike.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.