Sulmi që Rusia ka nisur ndaj Ukrainës e ka futur botën në një gjendje ankthi dhe pasigurie dhe të gjithë sytë janë drejt Kievit duke pritur diçka që askush nuk e di se çfarë është.
Perëndimi është tashmë më i bashkuar se kurrë, por a bëri aq sa duhet që të shmangte këtë që po ndodh me Ukrainën?
Pse qasja e administratës Trump i la Rusisë fushë të lirë, dhe i hoqi amerikanëve monopolin e të qenit “polici i botës”?
Çfarë synon Presidenti Putin me këtë agresion ndaj Ukrainës, dhe cila është ëndrra e tij që është shprehur që në vitin 2000 kur erdhi në pushtet?
A duhet që Shqipëria të jetë kaq aktive kundër Rusisë, dhe pse Kosova është vendi më i rrezikuar nga kjo luftë që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës.
Për këto dhe ndikimin ekonomik që do ketë lufta, në vendin tonë, por dhe në kontinentin europian, Vox News ka ftuar për një bisedë zonjën Teuta Vodo.
Ajo ka mbajtur postin e zëvendësministres së Drejtësisë në Qeverinë “Rama 2” dhe ka qenë Sekretare e PS për Marrëdhëniet me Jashtë, aktualisht pedagoge.
Zonja Vodo, si njohëse e marrëdhënieve ndërkombëtare bën një skaner të përplasjes Rusi-Ukrainë, pasojave që ajo do të ketë në të gjithë kontinentin dhe rendin e ri botëror.
Vodo thotë se Putin po kërkon të rikthejë lavdinë e Bashkimit Sovjetik...
Intervista
-Zonja Vodo, çfarë pasojash do të ketë për Europën dhe në veçanti për rajonin tonë konflikti i armatosur mes Rusisë dhe Ukrainës? A do të zgjerohet ky konflikt dhe mes vendeve të tjera dhe a janë shqiptarët të rrezikuar nga kjo situatë?
-Përsa i përket pasojave, sigurisht që kemi të bëjmë me një konflikt pasojat e të cilit nuk mund të mos kishin një karakter global. Aq më tepër në një botë kaq të ndërlidhur sic ëhstë bota ku jetojmë. Fenomeni i globalizimit ka bërë që bota të ketë lidhje reciproke të drejtpërdrejta, interesa të përbashkëta bankare/financiare/tregtare. Mos të harrojmë çdo marrëveshje bilaterale ose multilaterale midis shteteve sjell si pasojëqë kur një vend është i izoluar ose i agresuar, ose edhe kur është vetë agresori, ka absolutisht një ndikim të drejtpërdrejtë në pjesën tjetër të globit. Rajoni i Ballkani është padyshim i kërcënuar, Kosova në veçanti për aq kohë sa kemi në një anë një Serbi nën një influencë të qartë ruse. Kjo do të thotë se kemi një prezencë ruse në Ballkan dhe Kosova nuk është një nga ato çështje që është pranuar nga Rusia aq sa dhe vetë presidenti Putin e përmend Kosovën në kulmin e konfliktit me Ukrainën. Prandaj, kërcënimet që po bëhen nga ana e Rusisëduhen konsideruar me seriozitetin maksimal për aq kohë sa Presidenti Putin ka vënë në zbatim gjithçka që ka thënë derimëtani, përmend këtu pushtimin e Krimesë, konfliktet e tjera në Gjeorgji etj.
-Mendoni se mund të shmangej kjo përplasje, dhe pse nuk u negociua më shumë tepër që të shmangej një ndërhyrje ruse në Ukrainë?
Patjetër që çdolloj konflikti dhe përplasje mund të shmanget së pari, nëse ka vullnet të mirë politik nga të dyja palët dhe së dyti, nëse ka dhe një angazhim edhe më të gjerë në spektrin diplomatik. Duhet të kemi parasysh këtu, që sa herë që arrihet një marrëveshje e caktuar politike, shumë shtete përpiqen që të mbajnë një pozicion neutral edhe për shkak të pasojave ekonomike që vijnë nga një atmosferë politike e tensionuar. Kjo sjell shumë pasoja në një rajon të caktuar. Unë nuk jam shumë e sigurt nëse mund të ishte shmangur kjo luftë pasi Putin ka pasur ambicie politike që kur është zgjedhur në vitin 2000, pikërisht që të mund të rikthente në një mënyrë apo në një tjetër Bashkimin Sovjetik në formatin që kishte apo qoftë edhe një tjetër më të evoluar. Pra, ndoshta jo me të njëjtin emër, apo me të njëjtin format, por kërkonte që të rikthente lavdinë e dikurshme dhe pozicionimin e fortë në arenën botërore.
Këtë e ka treguar kur e kanë pyetur në një konferencë se kur do të aplikonte për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe ai është shprehur që nuk mund të aplikojmë dhe të kalojmë përmes së njëjtës procedurë aplikimisi një shtet ‘çfarëdo.’ E vërteta është që Rusia nuk është një vend çfarëdo. Për mendimin tim, ka pasur disa momentume që mund të ishte bërë diçka më shumë, por nuk ishte as vizioni i asaj kohe.
Një pikë tjetër për mos t’u anashkaluar është që administrata Trump në vend që të ndihmonte për të shmangur këtë ndërhyrje të Rusisë, ka qenë në pikëpamjen time, ‘benzina në flakë.’ Me politikën e tij Presidenti Trump i përcolli në mënyrë të jo-drejtpërdrejtë një mesazh Rusisë që ‘froni’ i liderit botëror nuk është patjetër ekskluziv i SHBA-se dhe mungesa e vullnetit për të qenë prezent kudo ushtarakisht”. Kujtojmë kritikat e ashpra të tij për shpenzimet ushtarake që SHBA kishte bërë në vende si Afganistani. Pra, ky ishte mesazhi për Rusinë se ‘froni është bosh.’ Flasim këtu për fronin e “policit të botës” siç quhet ndryshe SHBA. Ndër të tjera kemi në dekadat e fundit një superfuqi si Kina që edhe pse po mban tani një profil të ulët politik, kjo nuk thotë që do të vazhdojë gjatë të jetë ky rasti.
Lufta mund të shmangej nëse si president i SHBA-së që t’i bënte ballë në mënyrë më autoritare Rusisë. Por mos të harrojmë se dhe nga ana e Bashkimit Europian kemi një kontekst shumë përçarës ku shume vende të BE-së kanë bërë hapa mbrapa, kemi parti politike të ekstremit të djathtë që nuk kanë ndihmuar aspak në bashkim duke inkurajuar edhe Putinin që të mund të përgatisë terrenin për skenar sa më të favorshëm për qëllimet e tij. Aq sa është e vërtetë, që në fjalimin e tij, nëse e vëmë re, përdor fjalët tipike nostalgjike, atdhetare tështetit komb, si “dashuria për mëmëdheun” kur i drejtohet qytetarëve të tij. Kjo tregon qartë se është duke përdorur dhe retorikën e lavdisë dhe dashurisë ndaj atdheut, një retorikë që është përdorur më së shumti në shekujt XIX dhe XX kur edhe po formoheshin shtetet-komb që njohim, me territor, popullsi, flamur dhe sovranitet, ndërkohë që globalizimi ka ndryshuar ka ndryshuar shumë këto nocione.
Prandaj, për t’iu përgjigjur pyetjes, që konflikti të mund të shmangej ose relativizohej i duhej mohuar një zgjedhje dhe orientim perëndimor një vendi të pavarur dhe sovran siç është Ukraina.
-Shqipëria është një vend i NATO-s, dhe detyrimet tona në aleancë janë të qarta, a duhet t’i bashkohemi sanksioneve që SHBA dhe BE do i vendosë Rusisë? Shqipëria bashkë me SHBA janë dy vende propozuese për një rezolutë që dënohet agresioni rus në Ukrainë, a duhet të jemi ne kaq aktiv në një betejë që zhvillohet mes superfuqive botërore?
-Shqipëria është një vend shumë aktiv i NATO-s, aq sa është e vërtetë që është përshëndetur madje edhe nga vetë ish-Presidenti Trump për angazhimet dhe respektimin e kuotave që vendi ynë ka përmbushur si një vend anëtar i aleancës. Besoj se është e drejtë që ne t’i bashkohemi sanksioneve ndaj Rusisë. Ky është momenti që Rusia duhet të izolohet jo vetëm më anë të sanksioneve financiare, por edhe me anë të ndërhyrjeve të menjëhershme bllokuese përmes detit dhe ajrit. Shqipëria duke qenë anëtare e NATO ka dhe një përgjegjësi më shumë për të qenë një zë aktiv. Për ti përgjigjur sa më drejtpërdrejt pyetjes, ne mund të mbanim një profil relativisht më të ulët nëse s’do ishim anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së por duke qenë që ky i fundit është institucioni ekskluziv mbi sigurinë, është për tu përshëndetur ky rol aktiv dhe në plan të parë i Shqipërisë. Nuk mendoj se duhet të kemi frikë se jemi në vijë të parë kundër Rusisë.
-Sa do të ndikojë ne ekonominë e vendit tonë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe cilët sektorë do të preken të parët?
-Ekonomia e vendit tonë do të preket në mënyrë të jo-drejtpërdrejtë. Duhet të kemi parasysh që ekonomi të mëdha si ato të Gjermanisë, Holandës e me radhë që janë dhe motori buxhetor i BE-së do të preken. Dhe rrjedhimisht në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, prekemi edhe ne. E theksoj që nuk është e drejtpërdrejtë pasi nuk jemi pjesë psh e tregut unik ose të marrëveshjeve tregtare aq të ngushtë si Norvegjia etj., por pa dyshim me këto vende kemi filluar të kemi shkëmbime tregtare,që pavarësisht një ekonomie modeste, do të ndjehet në eksporte në fushën e bujqësisë dhe asaj tekstile. Por ç’ka më intereson më shumë është energjetika. Patjetër që varësia nga gazi rus do ketë një ndikim në të gjitha vendet e BE-se të cilat janë duke kërkuar të gjitha alternativat (që në fakt janë por me një infrastrukture dhe një kosto tjetër në mënyrë që Rusia të mund të mos ‘luajë më kartën e gazit’ në të ardhmen. Shqipëria është si një varkë e vogël që patjetër preket nga stuhi kaq të mëdha, dhe mendoj se ajo që do ishte më interesante për vende si Shqipëria të fokusohej sa më shumë tek një linjë sa më e pastër dhe më direkte me vendet perëndimore, pavarësisht çmimit, pasi patjetër një çmim do të ketë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.