Tri dekada e gjysmë më parë, shqiptarët morën malet e detet për të ikur nga sytë këmbët dhe përgjatë kësaj periudhe shumica dërrmuese e ka provuar të paktën një herë jetën si emigrant, qoftë i apo i paligjshëm.
Shumë u pritën nga Italia, që ç’është e vërteta në një pjesë të mirë të saj hapi dyert për shqiptarët që në pjesën më të madhe ishin me rroba trupi. Por, tre dekada e gjysmë më parë, kur shqiptarët mësynin ambasadat, malet e detet me barkun bosh pakkush e mendonte se do vinte një kohë kur Shqipëria do të shndërrohej në strehë për emigrantë të paligjshëm, qoftë edhe tërthorazi.
Ka nisur të mërkurën zbatimi në terren i marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për qendrat e përpunimit të emigrantëve, marrëveshje që më shumë se mes dy vendeve është konsideruar një pak personal mes Giorgia Melonit dhe Edi Ramës.
Ky i fundit, që emigracionin e ka provuar në kurriz të vet në Francë, e ka mbrojtur ujdinë përballë kritikave me arsyetimin se Shqipëria ia ka borxh Italisë që prej fillimit të viteve ’90. Por, siç po tregojnë orët e para të marrëveshjes, shqiptarët me ‘enklavën’ italiane të krijuar në Shëngjin më shumë se sa Italisë po u shërbejnë agjendave personale të Giorgia Melonit.
Kjo e fundit fiton një bast të vendosur me Brukselin për një ide me të cilën mori jo pak vota në zgjedhjet që e shpallën fituese, ndërsa Edi Rama konsolidon mbështetjen personale të Romës në Bruksel,pasi mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë fatmirësisht nuk është lëkundur për asnjë sekondë, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në Tiranë.
Kjo është një arsye se përse marrëveshja e pazakontë nuk mund të konsiderohet një model suksesi, të paktën jo deri kur të kenë kaluar disa muaj dhe të shihet në terren zbatimi praktik i saj. Nëse modeli rezulton me sukses, nuk do të ishte çudi që për hir të strehimit që Franca i ka bërë Edi Ramës kur ishte emigrant, Shqipëria të pranojë edhe një kamp tjetër francez, duke pasur parasysh se në Bruksel edhe vetë Presidentja e KE udhëzon vendet anëtare që të shohin mundësitë e hapjes së këtyre kampeve në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë rast, Shqipëria mund të shndërrohej në geto periferike e Bashkimit Europian, sërish nën argumentimin se ja kemi borxh. Por, ç’është e vërteta shqiptarët nuk u kanë borxh askujt, sepse me këtë logjikë, SHBA, ku një shekull më parë mijëra italianë gjetën strehë për t’i ikur varfërisë dhe regjimit të Musolonit, mund t’i lindte e drejta që të kërkonte një Guantanamo, për shembull në Siçili.