
Mjaftuan dy ditët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë në vend për të kuptuar se Shqipëria është shndërruar në një plaçkë ku janë dyndur fqinjët kush e kush të zmadhojë sa më shumë pakicat minoritare, edhe aty ku nuk kanë të tilla.
Në Pustec, ku Shqipëria njeh si minoritet maqedonasit u ndal ambasadori bullgar në Tiranë. Zyrtarisht, vizita pati si qëllim ndihmën për qendrën shëndetësore të bashkisë së vogël shqiptare. Jozyrtarisht bashkë me ndihmat importoi edhe sherrin etnik bullgaro-maqedonas për etninë.
Ofensiva bullgare nisi me vizitën e zv.Presidentes Ilana Iotova në Shqipëri. Pas takimeve me zyrtarët shqiptarë, ajo u ndal edhe në Elbasan. Këtu vuri theksin te ‘potenciali i Elbasanit’ për t’u shndërruar, sipas saj, epiqendër e bullgarizmit në Shqipëri.
Deri para vitit 2017-të, Shqipëria nuk njihte minoritet bullgar. Gjërat ndryshuan në atë vit me miratimin e ligjit të ri për pakicat kombëtare, ku numri i minoriteteve nga 8 u bë nëntë. Bullgarët ishin ata që u shtuan.
Ndryshimit të ligjit i parapriu një fushatë agresive bullgare në Shqipëri, të përqëndruar fillimisht në Pustec dhe zonat e thella të Librazhdit për të identifikuar si bullgarë komunitete etnike që njiheshin si sllavo-maqedonas.
Por, fushata nuk u ndal vetëm me maqedonasit. Bullgaria zgjeroi artificialisht minoritetin e saj në Shqipëri përmes skemës së dhënies së pasaportave edhe për shqiptarët. Të joshur nga një pasaportë e një vendi anëtar të BE-së, shumë shqiptarë u bullgarizuan. Përmasat e fenomenit do të mësohen vetëm në përfundim të censusit, ku askush nuk ka pse të çuditet nëse bullgarët do të dalin minoriteti i dytë më i madh në Shqipëri, pas grekëve.
Pengesa e vetme është gjoba nëse deklarohet një kombësi tjetër nga ajo e regjistruar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile.
Veç bullgarëve, edhe grekët janë hedhur në ofensivë, ku përmes rrjeteve sociale, ku përmes vizitave në terren. Qëllimi është deklarimi i sa më shumë qytetarëve shqiptarë me kombësi greke. Ftesë për t’u deklaruar grekë, qarqet nacionaliste greke u kanë bërë edhe vllehëve, të cilët i ftojnë të mos bien pre e propagandës rumune, pasi janë grekë.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.