Nga Robert Hasa
Ditën e diel vetëm mediat e dinin që kishte zgjedhje të pjesshme lokale në pesë qytete të Shqipërisë.
Sipas shifrave të publikuara nga KQZ edhe vetë qytetarët Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit, nuk donin t'ia dinin për votimet.
Duke iu referuar statistikave nga 350 mijë votues të regjistruar, në total në kuti përfunduan pak a shumë 60 mijë vota.
Edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2023, pjesëmarrja ishte 38.23%, ndërsa në vitin 2019 kur Partia Socialiste votoi e vetme pasi Partia Demokratike dhe LSI i bojkotuan zgjedhjet, pjesëmarrja ishte 22.96%.
Kryeministri dhe kreu i PS, Edi Rama e justifikoi mospjesmarrjen e qytetarëve në votime për shkak të motit të keq.
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur të heshtë duke i injoruar këto zgjedhje sikur të mos kishin ndodhur fare.
Të dy krerët e partive nuk morën pjesë fare në fushatën zgjedhore, përvecse një posdkast i Ramës ku iu thoshte kandidatëve se mesa % do fitojmë dhe ata jepnin shifrat e tyre.
Këto zgjedhje të pjesshme nuk patën as takime elektorale, hapje apo mbyllje të fushatës, asnjë spot dhe asnjë debat publik në media.
Opozita nuk pati as kandidatë të vetët, por mbështeti disa kandidatë të pavarur, duke mos arritur ta angazhojë drejtpërdrejt elektoratin e saj.
Në këtë mënyrë, partitë politike nuk bënë asgjë për të motivuar qytetarët, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë morale procesit, pasi një kryetar bashkie që zgjidhet me më pak se 20% të votave nuk përfaqëson më shumicën e qytetarëve të bashkisë që do të drejtojë.
Qytetarët po japin sinjale të qarta ku po identifikojnë një Parti Socialiste të rrënuar nga skandalet dhe konfliktet e brendshme të heshtura dhe një PD e cila u shmanget përgjegjësive të veta.
Tani të dalim tek përfundimi i këtyre zgjedhjeve që qytetarët nuk dolën por që u kushtoi shqiptarëve miliona euro.
Pesë humbësit e këtyre zgjedhjeve janë Partia Socialiste (Kandidatët e tyre nuk ngjallën asnjë lloj entuziazmi te qytetarët e Beratit, Matit, Cerrikut, Tepelenës apo Vlorës. Tek kjo e fundit PS ka pësuar një disfatë kur në zgjedhjet e viti 2023 ka fituar me më shumë se 28 mijë vota, ka përfunduarn me mbi 15 mijë vota. Pra duket se qytetarët e këtyre bashkive nuk janë të kënaqur me administratën e këtyre bashkive dhe as me kryetarët e sapozgjedhur.)
Partia Demokratike (edhe kjo sigël është humbsja më e madhe pasi nuk arriti të marrë as bashkinë e Matit të cilën e kanë udhëhequr për disa mandate më parë. Por jo vetëm kaq votuesit e tyre pathuajse nuk dolën fare, ku duket se ata e kishin pranuar humbjen).
Edhe qytetarët e këtyre bashkive humbën mundësinë që pakënaqësitë e tyre t'i ndëshkonin me vote kundër ose të pavlefshme që ti jepnin një mesazh të qartë se gjërat nuk po ecin mire.
Buxheti i shqiptarëve minus 306 milionë lekë për disa zgjedhje formale ku flitej vetëm se sa % do fitojmë dhe askush nuk thoshte si do ja përmirësojmë jetën qytetarëve të këtyre bashkive.
Kandidatët e pavarur (nën ombrellën e PD) u përdorën thjeshtë për të legjitimuar zgjedhjet, pasi fituesit diheshin.
Pesë fituesit janë kryetarët/et e sapozgjedhur dhe rrethi i tyre janë të vetmit që janë kënaqur nga këto zgjedhje pasi do gëzojnë ofiqet e bashkisë dhe tu plotësojnë dëshirën miqve të tyre me tendera.
Zgjedhjet e kësaj të diele dëshmuan neverinë nga politika dhe bindjen e publikut se nuk mund të presë zgjidhje nga partitë politike apo liderët e tyre. Pra fitoi kandidati dhe humbën zgjedhësit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.