Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, Anila Hoxha zbulon arsyen: BKH ka kryer përgjime...

2026-11-10 11:14:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, Anila Hoxha zbulon arsyen: BKH ka
Erion Veliaj

Gazetarja Anila Hoxha, e ftuar në emisionin “Breaking” në Top News me Fiori Dardhën, ka folur për kushtet e paraburgimit të Erion Veliajt, të drejtën e tij për të takuar familjarët dhe avokatin, si dhe arsyet e mundshme që mund të kenë çuar në transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.

Sa i përket transferimit të Veliajt në Fier, gazetarja tha se, përtej tensioneve politike, deklaratave dhe letrave të bëra publike nga kryebashkiaku i Tiranës, ekzistojnë dyshime se ky vendim mund të mos jetë marrë vetëm për shkak të kapaciteteve të burgut.

Sipas informacioneve jozyrtare që ajo disponon, ekziston mundësia që Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) të ketë pasur të dhëna nga përgjime të caktuara, të cilat mund të kenë ndikuar në vendimin për transferimin e Veliajt.

“Bëhet me dije jozyrtarisht se, pavarësisht tensionit politik, statuseve dhe letrave që ka dërguar nga burgu, si dhe thuajse atij mini-ditari që po e publikon, ka dyshime se Erion Veliaj është transferuar nga burgu i Durrësit në atë të Fierit jo vetëm për shkak të kapaciteteve të burgut. Bëhet me dije se, me shumë mundësi, BKH-ja mund të ketë pasur të dhëna dhe të ketë kryer përgjime të caktuara, pas të cilave, menjëherë sapo ka lëvizur nga BKH, zonja Bodo ka vendosur të firmosë transferimin, fill pasi ajo mori detyrën si shefe e sistemit penitenciar në Shqipëri. (...) Kjo do të thotë se BKH-ja dhe SPAK-u mund të kenë pasur në procedim një çështje, për të cilën është vendosur se përse Erion Veliaj duhet të transferohet. Nuk kam më shumë informacion, por ky informacion është i besueshëm dhe vjen nga burime shumë të sigurta. Nuk e di nëse bëhet fjalë për përgjime të të burgosurve të tjerë, ku përmendet Erion Veliaj, apo nëse këto përgjime janë kryer drejtpërdrejt ndaj tij, në mënyrë ambientale ose jo", tha ajo.

Nga ana tjetër sipas gazetares, pas transferimit nga Durrësi në Fier, Veliaj është takuar me bashkëshorten, ndërsa personi që e viziton çdo ditë është nëna e tij, e cila i dërgon edhe ushqime.

“Sipas ligjit për të paraburgosurit, edhe Veliaj nuk bën dallim nga të tjerët. Ai ka të drejtë të takojë familjarët e tij dhe avokatin mbrojtës. Te familjarët përfshihen bashkëshortja, nëna dhe vëllai. Deri tani, ai është takuar me bashkëshorten, fill pas transferimit nga Durrësi në Fier. Ndërsa personi që e takon çdo ditë është nëna e tij, e cila i çon edhe ushqime. Pasi, mesa kuptohet, Erion Veliaj i refuzon vaktet e ushqimit të burgut, siç ka ndodhur në burgun e Durrësit dhe atë të Fierit. Ky veprim bëhet nga shumë të burgosur, të cilët refuzojnë vaktet standarde të burgut dhe marrin ushqim nga jashtë”, tha Anila Hoxha.


Video