TIRANË – Një tjetër Samit për Diasporën shqiptare u mbyll me sukses në Tiranë javën e kaluar, njoftojnë burimet për Patronazhistin. Në këtë event madhështor të shqiptarisë erdhën politikanë nga të gjitha segmentet e trojeve nëpër Ballkan, ndërsa vendin e nderit e kishin përfaqësues të Arbëreshëve të Italisë. Me fjalë të tjera, erdhi në Tiranë ajo pjesë e diasporës që është vendalije në dheun e vet, qoftë Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, qoftë arbëreshët që kanë 500 e kusur vjet në Sicili, Pulja e Kalabri.
Për të plotësuar atë pjesë që është realisht diasporë, dmth gati 2 milionë shqiptarët e larguar nga vendi këto 30 vitet e fundit, menduan organizatorët, të cilët e mbushën sallën me mësues shkollash dhe administratë. Ata ishin instruktuar që ta hapnin gojën sa më pak, dhe nëse ishte e nevojshme, ta flisnin shqipen me aksent.
***
Një nga episodet më të suksesshme të samitit ishte ajo që s’para ndodh në ngjarje të tilla në Tiranë: Djem e vajza të veshura me kostume popullore me ngjyra të ndezura, u hodhën plot energji si drenusha e keca duke kërcyer valle popullore dhe duke bërë shqiponjën me duar. Diasporistët u mrekulluan nga atmosfera e hareshme, sepse kujtonin se samiti do diskutonte tema hijërënda e të mërzitshme. Por jo.
Përkundrazi, diskutantët, nga Presidenti Barjam Beu e kryeministri I Gjatë (socialistët u bënë pak merak se ai sikur nuk e zuri goje gjatësinë e vet kësaj rradhe), deri tek diasporistët sivëllezër të regjur në pushtet në Shkup, Prishtinë e Podgoricë, folën gjithë mallëngjim për flamurin, shqiptarinë, nevojën për të mbështetur njëri-tjetrin, gjuhën e bukur shqipe, heronjtë e dikurshëm, sakrificat e të parëve, mundimet e të dytëve, pushtllëqet e të tretëve, epokën e bukur që po përjetojnë shqiptarët (ahhh, çfarë kanë humbur ata 2 milionë budallenjtë që ikën!), domosdoshmërinë e ruajtjes së arbërishtes… dhe të gjithëve iu buhavitën sytë nga lotët dhe emocionet e forta.
Qante Dritan Abazi, vuu lotët Ali Ahmetit, i dridheshin supet Talat Xhaferit dhe shqiptaro-amerikanëve të Nju Jorkut. I Gjati përpiqej të frenonte ortekun emocional që të mos dilte situata nga kontrolli.
“E mirë mirë, se s’ka lezet tashi!”, i thoshte ai Aliut.
“Lërmë se s’mbahem dot,” ja kthente Aliu, “janë lot gëzimi”.
Një moment i pakëndshëm ngjau në këtë segment, kur prishësja e përhershme e festave, Vjosa Osmani, erdhi nga Kosova dhe u kujtoi të pranishmëve se Serbia po fshin shqiptarët e Luginës së Preshevës nga regjistrat shtetërorë për të ulur numrin e rezidentëve. Por asaj ja preu shkurt përfaqësuesi i Luginës, Shqiprim Arifi, që është kundërshtar i Albin Kurtit: “S’kena nevojë për zadhans, kena gojë vet!” Tek e fundit, mirë ja bëri, se s’mund të prishet hareja vend e pa vend.
***
Organizatorët, qejfprishur vendosën se samiti duhej të diskutonte edhe ca çështje bezdisëse jo-patriotike dhe aspak të hareshme. Më kryesorja prej tyre ishte vota e emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të atdheut. Lidhur me këtë çështje, Ministri i Financave O Mete për Vete kërkoi që diaspora të sjellë më shumë remitanca, dmth para të çdo lloji, stërlina, evro, dollaro, franga.
I pyetur mbi mundësinë e realizimit të shpejtë të votës së emigrantëve, I Gjati kishte udhëzuar Bella Balluken që sapo të dëgjonte pyetjen, t’i bënte një zile në celular. Kësisoj, I Gjati kapi telefonin dhe bënte sikur po fliste për një çështje urgjente. “Një sekondë,” ja bëri më shenjë atij që pyeti, “më ka marrë Rishi nga Anglia, ka një hall derëziu”.
Për të njëjtën pyetje, President Barjam Beu deklaroi: “Rroftë Dita e Alfabetit shqip! Rroftë Kongresi i Manastirit!”
Ministrja e Bujqësisë Adena Nilaj deklaroi se para se të fitojnë të drejtën e votës, emigrantët duhet të dërgojnë më shumë para në mënyrë që të krijohen projekte të reja mbështetëse për bujqësinë, sipas skemës IZHVAT III.
Vetë Ballukja tha se diaspora shqiptare duhet të promovojë më shumë investimet e huaja në Shqipëri, të hapin llafin nëpër miq e shokë që I Gjati e ka bërë Shqipërinë xhenet, të bëjnë sa më shumë klikime në fejsbukun e saj dhe të shefit, pastaj të kërkojnë të drejtë vote.
“Por mua s’më mbetet qejfi për klikimet, rëndësi kanë lekat,” theksoi Ballukja me sytë që lëshonin xixa sa herë zinte ngoje paratë. “Se unë dakord jam që të ruajmë Arbërishten, por më parë duhet të mbarojmë Rrugën e Arbrit. Ju e dini, atje terreni është i paparashikueshëm dhe na duhen ca miliona euro plus,” shtoi duke i shkuar goja lëng për valutën e huaj…
…Për ta shmangur këtë temë të sikletshme, në përfundim organizatorët ftuan gjithë të pranishmit t’ja merrnin një avazi patriotik, dhe salla ushtoi nga tingujt e këngës:
“Ramadani viza-viza
Vjen dhurata nga vapori
Ha banane dhe Bulqiza
Thonë se janë nga Ekuadori”
Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike anti-thjatro