Atalanta Zeqiraj është caktuar gjyqtare e seancës paraprake për dosjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë.
SPAK e çoi dosjen 2 ditë më parë për gjykim dhe do të jetë gjyqtarja Zeqiraj që do të vendosë nëse do të nisë gjyqin apo dosja mund të kthehet në SPAK për plotësim hetimesh.
SPAK thotë se janë manipuluar 10 tenderë me vlerë 400 mln euro pa TVSH, tenderi për Tunelin e Llogarasë, 7 lotet e Unazës së Tiranës, loti 3 i rrugës Porto-Romano–Durrës dhe tenderi për rikonstruksionin e godinës të Albcontrol. Vetëm për tunelin e Llogarasë, SPAK llogarit një dëm ekonomik prej rreth 80 milionë eurosh në buxhetin e shtetit.
Sipas SPAK, Balluku si ministre e Infrastrukturës, i ndiqte tenderët nga shpallja deri te përzgjedhja e fituesit, ndërsa vartësit përshtatnin kriteret për të favorizuar kompanitë e paracaktuara. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë në 9 raste, pasi për tenderin e Albcontrol vepra është parashkruar. Ndaj saj rëndojnë edhe akuzat për korrupsion në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në lidhje me dy vila të sekuestruara në Palasë dhe Dhërmi, me vlerë totale rreth 1.8 milionë euro.
Mes të pandehurve janë 22 ish-vartës të Ballukut, përfshirë Ervis Berberin, i akuzuar për shkelje të barazisë në 9 tenderë, si dhe ish-drejtorët Gentian Gjyli e Erald Elezi. Sipas SPAK, ndërtuesit Arbër Abazi dhe Pandeli Carapuli ia dhanë Ballukut vilat në këmbim të tenderëve, ndërsa ish-futbollisti Igli Tare akuzohet për pastrim parash në dy raste, pasi dyshohet se Balluku fshehu në emër të tij dy vilat.