"Është një periudhë ku duhet shumë kujdes për të menaxhuar dhe orientuar jetën e fëmijëve"
Kjo ka qenë një javë e mbushur me emocione për të gjithë nxënësit që janë rikthyer në bankat e shkollës, për ata që janë ulur për herë të parë, por edhe për mësuesit.
Sot vendosëm të flasim me një mësuese të lindur që ka ndikuar pozitivisht në jetën e shumë e shumë nxënësve gjatë gjithë karrierës së saj si mësimdhënëse.
Në këtë bisedë me Nora Malaj do të përqendrohemi te figura e mësuesit, duke treguar se si ka ndryshuar reputacioni i tij ndër vite, do të kuptojmë po ashtu edhe ndryshimin e brezave.
"Për brezin tim, mësuesi ishte i shenjti. Ti kur kaloje në rrugë, djalë apo vajzë po të ishe, do të nxirrje duar nga xhepat nëse shihje mësuesen, apo mësuesin që të kalonte dhe do ta përshëndesje me respekt".
Nuk duhet të harrojmë se i vetmi profesion që nuk ka ish, është mësuesi. Askush nuk thotë ish- mësuesi im, por; ky apo kjo ka qenë mësuesja ime. Dhe unë këtë e kam ndjerë gjatë gjithë kohës, për gati rreth 40 vjet"- tregon Malaj.
Për zysh Norën mënyra se si shihet kjo figurë sot, natyrshëm, ka ndryshuar:
"Natyrisht që sot të jesh mësues duhet përtej mësimdhënies tëpërballesh edhe me sfidat e kohës, pasi fëmijët dhe prindërit e sotëm, janë të një kohe tjetër dhe ne sjellje të tjera. Ata janë produkt i kohës ku kanë lindur dhe po rritem. Sot prindërimi është kthyer si një nga sfidat më të mëdha të kohës dhe bashkë me të edhe gjyshërimi".
Ps:Kur del nga një bisedë me zysh Norën edhe pse mund të jesh në humor jo të mirë për shkak të trafikut, parkimit, halleve e përditshme, ndihesh më e qetë dhe kupton se sa i rëndësishëm është komunikimi, forma që zgjedh për të treguar apo edhe këshilluar.
-Zonja Malaj si e kujtoni ditën e parë të shkollës?
Eh, kanë kaluar shumë kohë deri atëherë, gati plot 53 vjet po unë e kujtoj sikur ka qenë sot, me shumë emocion dhe nostalgji. Në kohën tonë uniforma ishte përparëse e zezw me jakë të bardhë. Ne, në atë kohë kishim penë me kallamar dhe me bojë. Një nga lëndët më të bukura ishte bukurshkrimi. Unë ndiqja shkollën e muzikës, ndaj dhe çdo ditë kisha përtej mësimit edhe studimin. E kujtoj me mall e nostalgji dhe mësuesen time të parë, mësuese Shpresa Krujën, e ëma e doktoreshë Jera Kruja , që vetëm pak muaj ka që është ndarë nga jeta. Vitet e para të shkollimit kanë shënjuar shumë te unë. Po mësuese Jera dhe mësuese Zini e pianos do të ngelen ndër figurat më të dashura të miat. Ato më mësuan dashurinë për shkollën dhe më motivuan sesa e bukur dhe sesa rëndësi ka shkolla dhe studimi. Për mua ngelen të gjithë mësuesit dhe pedagogët njerëzit më të rëndësishëm të jetës sime, të cilët kanë ndikuar në formimin tim, qytetarë, në edukimin tim dhe në ndjeshmërinë time për ta dashuruar këtë profesion misionari.
-Me siguri vini re që kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë, apo emocionet e nxënësit mbeten të njëjta?
Natyrisht shumë gjëra kanë ndryshuar, se edhe shoqëria vetë ka evoluar. Jetesa sot është ndryshe nga ajo kohë. Unë kam lindur në 1964 dhe sistemi i edukimit kishte disiplinë dhe korrektesë. Familja ishte shumë, po shumë e konsoliduar dhe mjedisi ishte i sigurt dhe i garantuar. Ne jemi rritur si thuhet në atë kohë ‘me çelës ne qafë” dhe nuk vinin gjyshërit apo prindërit të na merrnin. Çdo gjë ishte e sigurt dhe e kontrolluar dhe fqinji ishte siç edhe thuhej ‘I pari vëlla”, që të ndihmonte apo përkujdesej, në rastin e familjeve që kishin gjyshe apo gjyshër në shtëpi. Po përtej kushteve që ishin tjetër gjë dhe mendësia ishte tjetër gjë, emocioni mbetet po i njëjti. Për brezin tim, mësuesi ishte i shenjti. Ti kur kaloje në rrugë, djalë apo vajzë po të ishe, do të nxirrje duar nga xhepat nëse shihje mësuesen apo mësuesin që të kalonte dhe do ta përshëndesje me respekt.
Respekti nuk ishte i imponuar vetëm, por edhe fitohej, pasi edukimi fillonte që në sistemin parashkollor me figurën e edukatores e më pas të mësuesit. Nuk kishte emocion më të bukur sesa kur mësuesi të kalonte dorën në flokë për të të ledhatuar dhe për të të vlerësuar. Më kujtohet njëherë, isha në klasë të tretë dhe mësuesja më kishte kërkuar disa vjersha fëminore që unë kisha krijuar për t”i lexuar te radio Tirana, te emisioni për fëmijë. Atë ditë unë isha ‘heroina” e shkollës, e cila krenohej me mua, për përfaqësimin dinjitoz që kisha bërë. Nuk do ta harroj sesi më digjnin faqet atë ditë nga “turpi”, dhe gëzimi ishte aq i madh, saqë natën nuk më zinte gjumi nga emocionet…
Kam kaluar një fëmijëri dhe një rini të mrekullueshme dhe përtej prindërve, që i kisha të bekuar dhe të shkolluar jashtë, shkolla ka qenë burim frymëzimi dhe bekim për mua. Ajo më edukoi ta dua librin dhe të shoh te mësuesi , përtej figurës së tij, njeriun empatik, që të frymëzon. I tillë ka qenë profesori im i nderuar Mihallaq Luarasi, që më nxiti dashurinë për letërsinë në gjimnaz. Bekime e mirënjohje mësuesve të mi dhe atyre që më nuk jetojnë.
-Teksa vija re sot, nxënësit të emocionuar në oborret e shkollave, shihja po ashtu mësuesit, të cilët përveç emocioneve i pret një punë e madhe. A kemi kohët e fundit një mosvlerësim aq sa duhet të figurës së mësuesit?
Personalisht, por edhe studimet psikologjike thonë se mësuesia është profesioni më i vështirë dhe me një ngarkesë shumë të madhe emocionale. Jo çdokush behët mësues. Ai që do të përzgjedh këtë profesion, duhet të mendohet mirë për peshën e përgjegjësisë që ka. Nuk është e thjeshtë të përballosh këtë tranzicion tejet të zgjatur që ndikon te shoqëria, te raportet ndërpersonale dhe që e bëjnë ushtrimin e këtij profesioni edhe më të vështirë. Mendoj se tashmë është momenti që mësuesit të kenë një status të veçantë, në mënyrë që figura e tij të mos denigrohet dhe të paragjykohet. Një mësues i mirë duhet të zotëroj dijen në mënyrë të tillë, që të jetë i pagabueshëm dhe njëkohësisht shoqëria dhe institucionet shtetërore ta vlerësojnë dhe ta promovojnë atë, duke e kthyer në një figurë unike dhe e mirë paguar. Nuk duhet të harrojmë se i vetmi profesion që nuk ka ish, është mësuesi. Askush nuk thotë ish- mësuesi im, por ky apo kjo ka qenë mësuesja ime. Dhe unë këtë e kam ndjerë gjatë gjithë kohës , për gati 40 vjet.
-Ju thatë që ka ndryshuar shumëçka. Mësuesit përballen me nxënës, të cilët shpesh ju kthejnë fjalën me arrogancë e mos më tepër, gjithashtu edhe prindërit e tyre. Si një njeriu me shumë përvojë cila është këshilla që do t'ju jepje nxënësve, prindërve, por edhe mësuesve?
Natyrisht që sot të jesh mësues duhet përtej mësimdhënies të përballesh edhe me sfidat e kohës , pasi fëmijët dhe prindërit e sotëm , janë të një kohe tjetër dhe ne sjellje të tjera. Ata janë produkt i kohës ku kanë lindur dhe po rritem. Sot prindërimi është kthyer si një nga sfidat më tëmëdha të kohës dhe bashkë me të edhe gjyshërimi. Janë tërësi marrëdhëniesh që shpeshherë futen në një rreth vicioz dhe në ketë moment roli i mësuesit bëhet domosdoshmëri për nxitjen e mendimit kritik të fëmijët, për qetësimin e tyre, në ciklet rritjes, për motivimin e tyre dhe për orientimin drejt të ardhmes. Aq më tepër kur flasim për një shoqëri si kjo jona që për fatin e keq po kalon një depresion social. Ku modelet për fat të keq ç'modelojnë dhe kur shoqëria ende është në udhëkryq. Është një periudhë ku duhet shumë po shumë kujdes për të menaxhuar dhe orientuar jetën e fëmijëve. Duhet këshilluar jo me arrogancë, duhet mësuar duke i frymëzuar, duke iu nxitur kureshtjen dhe kërshërinë për sfidat që i presin, duke i motivuar dhe duke i mbështetur. Asnjëherë, për asnjë arsye nuk duhen krahasuar por duhen vlerësuar. Por nuk duhet harruar thënia latine: “ Çdo gjë që e kalon masën kthehet në të kundërtën e saj”. Ndaj këshilla ime është gjella me kripë e kripa me masë. Secili prej nesh duhet ta bëj me përkushtim punën e tij në emër të dashurisë për njeriun.
-Ndoshta gjithmonë ka ekzistuar , por jemi në një periudhë kur bullizimi që i bëjnë nxënësit njëri- tjetrit është i lartë, për dukjen, për veshjen… Si duhet të shohin bashkëmoshatarët njëri- tjetrin dhe pse nuk duhet t”I lëndojnë ata?
Sot, më shumë sesa kurrë shkolla duhet të jetë vendi ku kultivohet ndjenja e kolektivitetit, mirësia, respekti dhe jo paragjykimi, bullizmi, dhuna, fjalori jo i përshtatshëm, i cili në këtë kohë është bërë pjesë e komunikimit dhe zhargonit ndërmjet adoleshentëve. Është e nevojshme që ta luftojmë dhe të parandalojmë të keqen, për të garantuar një të ardhme më të mirë për fëmijët. Duhet të nxisim, sipërmarrjen, garën mes njërit - tjetrit, por duke bashkëpunuar në grup . Është shumë po shumë e rëndësishme të nxisim leximin e librave, të nxisim debatin dhe diskutimin me vlerë, t”ju rrëfejmë fëmijëve ngjarje frymëzuese dhe motivuese. T’i mësojmë sesi të planifikojnë ditën, sesi të kenë objektiva në jetë, sesi ta duan të bukurën , jo atë që është sipërfaqësore, por ajo që është e vërtetë. T’ju mësojmë fëmijëve sesa e rëndësishme është jeta dhe t’i ndihmojmë të filozofojnë rreth saj e të krijojnë një botë ku ëndrra nga realiteti një hap e ndaj,por varet se me kë e bënë e kush të rri pranë. Nëse ne investojmë fort te e dobishmja, e shëmtuar, e keqja dhe bullizmi nuk do kenë vend në jetën e fëmijëve. Të MOS harrojmë se arsimi është investimi më fondamental që i bëjmë shoqërisë. Ndaj duhet të këtë mësues misionarë që e shohin arsimin si investimin më kryesor për gjeneratën e së ardhmes. Bekuar qofshin mësuesit, prindërit dhe fëmijët tanë. Nderi i kombit fillon te të moshuarit dhe përfundon te fëmijët.
*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.