Tunelet e Kërrabës dhe Kardhiqit, ankimohet vlerësimi për mbikëqyrjen

26 Korrik 2023, 12:38Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dy procedura prokurimi të Autoritetit Rrugor Shqiptar që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e mirëmbajtjes së dy tuneleve në akset rrugore në vend kanë përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Bëhet fjalë për mbikëqyrjen e “Mirëmbajtje Tuneli i Kërrabës (2023-2027)” me një fond limit 13 milionë lekë si dhe “Supervizion Mirëmbajtja e rrugës Kardhiq-Delvinë, Loti-7 (Tuneli)” me fond limit 9 milionë lekë. Këto procedura janë të lidhura me dy të tjera siç është mirëmbajtja e tunelit të Kërrabës me fond limit 379 milionë lekë apo 3.5 milionë euro si dhe mirëmbajtje e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë me fond limit 86.8 milionë lekë apo rreth 850 mijë euro.

Të dy procedurat janë ankimuar nga e njëjta kompani pranë  Komisionit të Prokurimit Publik dhe sipas të dhënave faza për të cilën ka pretendime është ajo e vlerësimit. Kjo nënkupton që operatori në fjalë nuk është dakord me vendimin që ka marrë Komisioni i Vlerësimit rë Ofertave pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në procedurën e mbikëqyrjes së mirëmbajtjes së tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë nga të dhënat e APP kanë marrë pjesë të paktën katër kompani dhe vetëm dy prej tyre janë kualifikuar. Kompania ankimuese duket se ka pasur ofertën më të ulët ndërkohë që fituese është shpallur një tjetër kompani për një vlerë prej 9 milionë lekë.

Në procedurën e dytë që lidhet me mbikëqyrjen e mirëmbajtjes së tunelit të Kërrabës sipas të dhënave të marra nga APP në garë kanë marrë pjesë po dy kompani dhe sërish fituese është shpallur kompania me ofertën me të lartë teksa duket se kjo është arsyeja e ankimimit të kompanisë tjetër. Oferta fituese është sa 99.9 për qind e fondit limit të prokuruar nga ana e ARRSH ndërsa ajo e skualifikuar është sa 96.3 për qind të fondit limit.

Më herët në qershor një tjetër ankimim sa i takon ARRSH u paraqit në KPP dhe këtë herë për “Supervizion punimesh Plotësimi i punimeve te mbetura ne aksin Porto Romano – Durrës Loti 3”. Vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka qenë aktiv në hapjen e një sërë procedurave të prokurimit këtë vit që përfshijnë akse të rëndësishme për ndërtim apo projektim dhe me fond limit disa dhjeta milionë euro. Të tilla janë Ura e Cerencit-Peshkopi, nyja e Bërzhitës dhe lidhja me autostradën Tiranë-Elbasan, plotësimi i punimeve në aksin Porto Romano-Durrës, studim projektim, ndërtim rruga Berat-Ballaban, studim projektim aksi Elbasan-Lekaj (Korridori  8)

Video