Si u ndanë 320 milionë euro? Në fund të 2022, 240 milionë shkuan për faturat dhe rindërtimin

7 Janar 2023, 09:30Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto Ilustruese

34 miliardë lekë ose 300 milionë euro janë shpërndarë nga Buxheti i Shtetit në javën e fundit të Dhjetorit. Nëpërmjet një akti normativ, qeveria vendosi që të shpërndajë paratë e pa-shpenzuara përgjatë gjithë vitit. Kështu nga Thesari i Shtetit, 8 miliardë lekë ose 70 milionë euro u shpërndanë në atë që qeveria e quajti Pakoja e Madhe, me shpërblime për punonjësit e administratës dhe ndihma për njerëzit në nevojë.

12 miliardë lekë ose 100 milionë euro i shkuan Fondit të Rindërtimit, i cili edhe pse ka nisur tre vite më parë i duhen edhe 40 miliardë lekë për të përfunduar tërësisht.

Ndërkohë 14 miliardë lekë apo 120 milionë euro të mbetura, qeveria ka shlyer detyrimet dhe pagesa të prapambetura, por ajo që bie në sy është se tre institucione kanë kryer më shumë transaksione.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kryer mbi 1.4 miliardë lekë pagesa apo 12 milionë euro, ndjekur nga AKSHI me 707 milionë lekë ose 6.2 milionë euro dhe më pas FSHZH ka shpërndarë edhe 500 milionë lekë të tjera apo 4,4 milionë euro, përveç fondeve të rindërtimit.

Ndërkohë, KESH ka marrë 2 miliardë lekë apo 17 milionë euro kthim TVSH-je nga Drejtoria e Tatimeve, e cila sipas institucionit është një procedurë e zakonshme.

Autoriteti i Aviacionit Civil gjithashtu ka marrë një transfertë prej 2 miliardë lekësh, por zëri nuk është i specifikuar.  Ndërkohë bashkitë kanë marrë 1.2 miliardë lekë apo 10 milionë euro transferime nga buxheti për të shlyer detyrimet e tyre. Në krahasim me vitin e kaluar fondi për bashkitë ka pësuar rritje prej 3,5 miliardë lekësh.

1.2 miliardë lekë i janë transferuar kompanisë shtetërore Albgaz, pasi qeveria ka projekte ambicioze për të filluar shtrirjen e gazit me projektin e parë që fillon nga Korça.

Rreth 2 miliardë lekë apo 17 milionë euro qeveria i ka përdorur për rimbursimin e TVSH-së nga Tatimet dhe likuidim për pushimet e padrejta nga puna, ndërsa 850 milionë lekë i kanë shkuar fondit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

Rreth 2 miliardë lekë janë pagesa në vlera më të vogla  se 5 milionë lekë për institucione të ndryshme, ku dominojnë pagesat për ujësjellës kanalizimet./Tch

Video