
Parashikimi i Bankës së Shqipërisë për të ardhmen afashkurtër nuk është optimist. Guvernatori Gent Sejko tha në një takim me përfaqësues të FMN-së se inflacioni do të vijojë të mbetet mbi objektivin e bankës dhe kriza e çmimeve do të godasë rritjen ekonomike.
"Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet e mëparshme”, ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë Mbledhjes së Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington.
Sejko shtoi se inflacioni në Shqipëri pritet të qëndrojë mbi objektivin prej 3 për qind të Bankës gjatë vitit 2022, në pasqyrim të goditjeve që vijnë nga çmimet e rritura në tregjet ndërkombëtare, megjithatë, kjo goditje do të ketë efekte të përkohshme.
Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori tha se ai shfaqet i qëndrueshëm ndaj goditjeve dhe efekteve prej dy vitesh të pandemisë dhe se veprimtaria e tij vijon të zgjerohet mbështetur kryesisht nga depozitat, fitimi i tij është përmirësuar ndërsa likuiditeti mbetet i lartë. Falë planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe angazhimit të Bankës së Shqipërisë tashmë raporti i kredive me probleme ka shënuar vlerën më të ulët në 15 vitet e fundit, 5%.
Në vijim, Guvernatori theksoi se përballë rritjes së çmimeve të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë, politika monetare u përshtat duke synuar krijimin e kushteve të nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të ekonomisë.