
Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk beson se administrata tatimore në Shqipëri do të jetë në gjendje që të mbledhë një pjesë të mirë të borxhit të akumuluar ndër vite, ndaj i sugjeron fshirjen e tij.
FMN ka publikuar një raport me rekomandime drejtuar Tatimeve shqiptare, pas një periudhe konsulencash të zhvilluara në fillim të vitit të kaluar, të thirrur në atë kohë nga ish-drejtorja e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.
Në raport thuhet se niveli në rritje i detyrimeve të prapambetura tatimore duhet të stabilizohet dhe të ulet, të zgjerohet skema e përdorimit të pagesës së kësteve tatimore dhe duhet të zgjidhet çështja e borxhit të arkëtueshëm.
Sipas raportit, deri në shtator 2020, numri i tatimpaguesve që kishin detyrime të prapambetura ishte 171 mijë nga të cilët 96 mijë janë aktivë dhe stoku total i borxhit ishte 122 miliardë lekë prej të cilit 83 miliardë lek (70 mln euro) e kanë bizneset jo aktive. FMN thotë se ekziston një nevojë kritike për të shlyer borxhin e paarkëtueshëm kur është joekonomike të ndiqet, ose nuk mund të rikuperohet ligjërisht.
Rekomandimi tjetër thotë se Drejtoria e Tatimeve duhet të ketë më shumë autonomi dhe fleksibilitet në në përzgjedhjen e stafit, shpërndarjen e punës dhe ndryshimet organizative, pa pasur gjithmonë nevojë për miratimin e ministrit. Niveli i aftësive dhe kompetencave teknike në të gjithë fuqinë punëtore duhet të përmirësohet sidomos në fushat e kontrollit tatimor, analitikës së të dhënave, zbatimit të borxhit tatimor, funksioneve të Zyrës së Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe interpretimit të ligjit tatimor.
Gjithashtu, FMN kërkon që rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar për bizneset të kryhet pa kushte paraprake, të përmirësohet administrata tatimore në drejtim të pavarësisë dhe përzgjedhjes së stafit dhe të menaxhohen më mirë grupet kryesore të rrezikut.