Pse Qeveria po u bën apel qytetarëve që të investojnë në bono thesari?

15 Nëntor 2022, 14:15Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Si ndër të paktat herë në histori, Kryeministri i Shqipërisë doli në një deklaratë publike ku u bëri apel qytetarëve se si duhet të orientojnë investimet e tyre. Kjo nuk është hera e parë që qytetarëve shqiptarë u kërkohet në mënyrë direkte që të investojnë paratë e tyre në tituj qeveritarë.

Hera e parë që ështe bërë një apel i ngjashëm, ka qenë në Luftën e Parë Botërore, kohë kur në Shqipëri u emetuan bonot e luftës nga Perandoria Austro-Hungareze. Hera e dytë, ishte ajo në fillimvitet ’20 kur u emetua huaja e parë e brendshme e Shqipërisë që synonte të krijonte të ardhura për arkën e shtetit që përballej me vështirësi serioze.

E hera e tretë ku u bë një apel i ngjashëm ishte gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar, ku u emetuan 4 hua për zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës e ku qeveria iu drejtua direkt me apel qytetarëve që të investojnë në to.

Pas viteve ’90, investimi në bono e obligacione ka qenë një praktikë e zakonshme ekonomike, së cilës nuk i është bashkangjitur ndonjë apel i jashtëzakonshëm.

Por cilat mund të jenë arsyet për të cilët kryeministri këtë herë iu drejtoi apel direkt qytetarëve?

Arsyeja e parë është padyshim sepse bonot dhe obligacionet qeveritare aktualisht përbëjnë një alternativë të mirë investimi, me norma të larta fitimi e krejtësisht të sigurta.

Arsyeja e dytë është se rritja e vazhdueshme e normave të interesit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është reflektuar me ndryshimin e sjelljes investuese të aktorëve të tregut. Nëse në 6 muajt e parë ishin individët që po investonin në tituj qeveritarë dhe bankat i rrinin larg, në pjesën e dytë të vitit situata është përmbysur. Janë individët që po i qendrojnë larg titujve dhe bankat që kanë shtuar ndjeshëm investimet.

Një arsye tjetër e fortë është se qeveria ka një mosrealizim të ndjeshëm të huamarrjes së brendshme këtë vit.  Në fund të shtatorit, huamarrja neto në tregun e brendshëm rezultoi rreth 4 miliardë lekë, nga 33 miliardë e planifikuar në total për vitin 2022. Mosplotësimi i shumave të shpallura për emetim në gjysmën e parë të vitit ka sjellë spostimin në gjysmën e dytë të një shumë relativisht të lartë të financimit të deficitit.

Arsyeja e katërt lidhet me situatën në tregjet ndërkombëtare. Këtë vit, Shqipëria ka reduktuar me 3.5 miliardë lekë huamarrjen në tregun e jashtëm, si pasojë e shërbimit të borxhit në vlerë më të lartë sesa disbursimet e fondeve nga jashtë.

Arsyeja e pestë është se në këto kushte, qeveria është detyruar që t’i përshtatet kërkesave të tregut. Edhe pse strategjia e borxhit publik parashikonte ristrukturimin e borxhit në instrumente afatgjata, kërkesa reale e tregut është në fakt për instrumente afatshkurtëra, kryesisht te titujt 3, 6 dhe 12 mujorë.

Më herët ishte planifikuar mbyllja e me 31 dhjetor të këtij viti e sporteleve të Bankës së Shqipërisë për individët por pak javë më parë vendimi u shfuqizua, duke krijuar sërish mundësinë e investimit të individëve./ Marrë nga scan

Video