Projekti i Alabar/ Gënjeshtrat e qeverisë për Portin e ri Tregtar

28 Dhjetor 2022, 17:49Pikëpamje SHKRUAR NGA OLA XAMA
Edi Rama, Alabbar dhe Belinda Balluku

Nga Ola Xama

Nxitimi i qeverisë për të miratuar projektin e ri për shndërrimin tërësor të zonës së Portit të Durrësit pa nisur më parë ndërtimin e një porti tregtar zëvendësues hapi mjaft dyshime.

Pikëpyetjet nuk janë ngritur vetëm nga ata që arritën të bëjnë një matematikë të thjeshtë me planin e biznesit të dorëzuar nga Alabbar, por dhe nga kush vuri në punë logjikën: shumë mirë, atje ku është sot Porti do të bëhet fushë me lule, po mallrat nga do të kalojnë?

Mirë mallrat shqiptare do të kalojnë në rrugë tokësore dhe do të vijnë ose nga portet e Greqisë ose të Malit të Zi e Kroacisë, por ne kemi bërë dhe ca mbledhje qeverie me Kosovën për pikë doganore të përbashkët te Porti i Durrësit, kemi prerë disa herë shirita dhe firmosur marrëveshje e memorandume që i kujtojmë çdo 28 nëntor?

Po e lemë dhe Kosovën se mbase na mirëkupton siç bëri me traun te rruga e Kombit, po me premtimet që i kemi bërë nëpër Samite Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut se mund t’i lemë një kanal doganor në frymën e nismës të Ballkanit të Hapur si do t’ia bëjmë?

Këtyre pyetjeve që po shtoheshin dita-ditës, qeveria vendosi t’i paraprijë duke gënjyer disa herë. Hera e parë ishte kur tha se Porti i ri Tregtar do të jetë i shqiptarëve dhe pasuri e publikut dhe do të ndërtohet në zonën e Porto Romanos. Por kur prezantoi projektin, u pa se në fakt modeli do të ishte PPP dhe se shteti do të kishte më pak se gjysmën (46%) të aksioneve.

Gënjeshtra e dytë është ajo e projektit teknik dhe vlerës financiare. Në konferencën e madhe që u bë për lancimin e Portit të ri Tregtar u tha se do të kushtojë 390 milion euro. Çështja është që projekti i detajuar teknik nuk ka përfunduar akoma dhe detyrimi për t’u dorëzuar nga kompania Royal Haskoning është në fund të shkurtit.

Atëherë pyetja që lind është nga cili preventiv doli vlera 390 milion euro? Nga ai i mendjes së ministres apo drejtorit të Portit? Përse dy vjet më parë ministrja shprehej që porti i ri do të kushtojë 500 milion euro dhe sot që çmimet e ndërtimit janë dyfishuar vlera është ulur? Kush ka bërë qoftë edhe një porosi dollapi për shtëpinë e di shumë mirë që vlera fikse e tij nuk del pa dhënë përmasat, pa dhënë numrin e vidave apo sirtarëve që duhen, dhe kur çmimi nuk del dot për një orendi të thjeshtë, mendoni për një port.

Prandaj pyetja që ngrihet sot është çfarë do të kenë nesër si pasuri shqiptarët, përveç politikanëve gënjeshtarë? A do të kenë port tregtar? Me çfarë do të mburremi dhe konkurrojmë rajonin dhe në shërbim të cilit port kemi investuar paratë në infrastrukturë? Mos tentativat janë që në Shqipëri porti tregtar të jetë në Porto Romano, por të mbetet ai ekzistues në pronësi të një kompanie private dhe që në mes të pandemisë parlamenti i lejoi edhe aktivitetin në fushën e mallrave, përveç asaj hidrokarbure që kishte?

Video