Sekreti i Homerit

25 Dhjetor 2022, 10:33Pikëpamje SHKRUAR NGA MONIKA STAFA

Në letërsinë mitologjike Iliada dhe Odisea janë kryeveprat e mendimit dhe heronjtë homerikë janë frymëzimi im kur nis të shkruaj. Pavarësisht princërve aq të bukur e shtatlartë të mbledhur në historitë e Homerit, një prej tyre gjithmonë më ka bërë të mendoj më gjatë.

Ai është Odisea. Një vepër e tërë kushtuar këtij burri, pas të cilit thuhet se Homeri fshihte një sekret, megjithëse e përshkroi atë jo aq të bukur, jo aq shtatlartë dhe as shumë të pasur.

Po cfarë sekreti fshihte Homeri pas tij?

Bota është e mbushur me sekrete. Nuk dihet ende se kur lindi sekreti i pare. Por mund të hamendësojmë se ai u krijua atëherë kur mendja e njeriut u bë më dinake. Dhe emblema e një mendje dinake në historinë e njerëzimit është Uliksi apo Odisea, sic ne jemi mësuar ta përmendim.

Kohë më parë kam mësuar se disa gjëra është më mirë t'i ruajmë fshehur ndër vete, pavarësisht prej çmimit që ato kanë. Kjo sepse nëse një ditë ato zbulohen, si cdo sekret tjetër mund të ndryshojë plotësisht jetën tonë.

Ne heshtim sepse të rrëfesh do të thotë të pranosh frikën që kemi.

Sekretet na mbrojnë.

E mira e tyre është se ne jemi gjithmonë ata/ato që i mbajmë fshehur. Dhe në cdo kohë mund të vendosim nëse duam apo jo t’i zbulojmë. Sigurisht që nuk mund të parashikojmë pasojat që kjo gjë do t’u shkaktojë të tjerëve ndaj dhe kjo është arsyeja përse duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë.

Mos ky është një shkak përse Homeri ka fshehur veten tek një prej personazheve më karizmatikë të tij, sic është Odisea? A është kjo cfarë fshihet pas asaj fasade të përsosmërisë?

Cdo njeri ka sekretet e tij. Është vetëm çështje kohe për të zbuluar se cilat janë ato.

Sekretet marrin shumë forma dhe ato janë kudo. Disa janë të vogla, si të thuash një gënjeshtër të bardhë ose të përgjosh pas dere.

Të tjerat janë më të rënda, si pabesia dhe tradhtia. Dhe disa sekrete janë aq të tmerrshme sa duhet të fshihen në një skutë të thellë dhe të errët brenda vetes, sepse nëse do të zbuloheshin ndonjëherë, me siguri do të copëtonin një familje.

Por pse ne i fshehim ato duke e ditur se e vërteta mund të dalë një ditë në dritë?

Mos ndoshta frika e përballjes me të vërtetën na e bllokon arsyetimin, shpjegimin apo dhe sqarimin e rrethanave?

Sekreti është një formë e gënjeshtrës.

Që në moshë shumë të vogël jemi mësuar të mos fshehim sekrete, sepse ato të bëjnë një person të keq. Por kjo është vetëm gënjeshtra e parë. Ne e dimë se sekretet na ndihmojnë të mposhtim frikën tonë. Ato projektojnë një imazh të përshtatshëm tonin tek të tjerët. Me pak fjalë, sekretet na ndihmojnë të mbijetojmë.

Dhe prandaj ato u krijuan.

Ndoshta ky ishte dhe Sekreti i Madh i Homerit, thonë shkencëtarët, që me teoritë e tyre brilante mbështeten kryesisht në fakte të brendshme të tekstit por edhe në rezultate të arkeologjisë bashkëkohore.

Por duke qenë ekspertë, atyre u mungon ajo kthjelltësi mendimi apo ai frymëzim i çastit, që i davarit imazhin e qartë dhe që nuk ka se si të fshihet.

Letërsia na jep gjithmonë shpresë përse ato duhen mbajtur fshehur. “Familja Tajd” i shkrimtares angleze Hannah Richell ka plot sekrete. Por a mund të falen vërtet fajet, sekretet e ruajtura prej kohësh?

Dhe edhe nëse arrin t'i falësh, a mund të mësosh vërtet të duash përsëri?

Video