Muli ra dëshmor, Ulsiu u fut nën tavolinë, jeta e Linditës nuk do jetë më e njëjta

22 Dhjetor 2022, 19:04Pikëpamje SHKRUAR NGA AGRON GJEKMARKAJ
Satira e Agron Gjekmarkajt për përplasjen në Kuvend

Sot pa menduar dy herë mund të thuhet që Zevendës Lideri Muli arriti apogjeun e tij. As në Grykë të Mezhgoranit dhe në Tendën e Qypit nuk është konsumuar një e tillë zulmë. Mbase herët fort ndër mote, në Termopile po.

Me tragjizëm të dukshëm i kalitur me ide të mëdha, me trimëri epike i priu pjesës që nuk është shitur as blerë të PD -së drejt betejës.

Jorida tendosej në pikëllim por nuk qau siç ajo di ku shpirti i gjithkujt këputet. Madje me një vështrim të kreshpëruar dhe fjalë të dlira qetësoi Luan Baçin e ndezur flakë nga padrejtësitë e epokës.

Gaz Bardhi si klerik i lartë i paqes jepte e merrte që konflikti mes stoikëve dhe të tulaturve, të futej në hullinë e paqes.

Zëvendës Lideri me retorikë të hijshme ku e vërteta dhe e lavdishmja shkëlqenin si gjerdan fishekësh në brezin heroik luftoi derisa ra dëshmor. Në fund e përjashtuan. Jeta e Linditës pas këtij akti nuk do jetë më e njëjta.

Ata e larguan nga salla po Muli është në zemrat tona qelibar i rrethuar me dashuri që s’ka vendim që i çan muret e saj si bedena. Por ato bëma dhanë efektet e veta.

Ulsiu u fut nën tavolinë dhe herë pas here pyeste a mbaroi? Jooo i gjegjej Bela dhe i fap përmbysej në çast. Niko i bërë sa një grusht vuri një helmetë në krye nga ato të ushtrisë që të mbrohej nga ndonjë kopaçe që mund ti vinte nga Albana. E hoqi vetëm kur ja behu Margariti  e cila e këshilloi të pinte pak ujë. Pas dy gllënkave sikur u ndie më mirë. Elva pyeste veten me mërmërimë pse është bërë sa një grusht Niko trimi dhe nuk gjente xhevap!

Çuçi në fillim u pa ulur në karrige po më pas su vu më re, kishte dalë jashtë barkaz. Karrikja e Babos kurrë nuk kishte qenë në rrezik kësodore. Bela mbante me gajret ministreshat e frigura. Të ikim tha Ibrahimi, të shpëtojë kush të mundet nga ky gazep. Ajo i tha “jeta jepet po karrigia e Babos kurrë”. Toni i lutej Zotit nga poshtë me psalmet e Davidit. Vështrimi i Mulit binte mbi sallë si mynxyrë. i madh e i vogël dridhej.

Etilda me tis mërzie mbuluar pyeste Majkon a mos ky është fundi i Botës apo një termet i rradhës? Eh, eh kokën plot thinja tundte ish Kryeministri dhe rënkonte ky është fundi i tmerrshëm dhe jo tmerri pa fund. Çyrbja erdhi vonë pasi lufta kishte mbaruar por ndihej ende athtira e barutit. Një ofshamë lëshoi “ah për nur të Allahut, ç’ti bëj Babos se e ka shpirtin det po kësaj binaje i dilte tymi me kohë”!

Braçe i cili ka një vit që thotë me mbani se do hidhem nga ballkoni u mallëngjye dhe vendosi të mos hidhet.

As Mimi di Puçini me berretën e saj dimërore nuk qe për fat të keq duke lënë një bosh që kërkon të mbushet. Bora erdhi nga e vona dhe e kuptoi që ky është momenti i duhur për tu hutuar.

Teta Gerta pasi u shua zjarr i luftës nuk kishte asgjë për të djegur po pyeste Ikonomin se çfarë do gatuaj për festa?! Kur ajo i tha gjel deti me përshesh një hukame gëzimi ktheu jetën mes nesh! Atëherë kur nuk pritej Babo erdhi i përzhitur nga plagët që të vetët kishin marrë. Xhelali ngrohej nga flaket që na përpinë. Kollarja dhe shamiza e re e Dash Sulës nuk ranë në sy dhe estetika mori plagët e veta. Lufta e kësaj dite na ka ndryshuar përgjithmonë. Salianji erdhi me vonese. i thashë historia të kaloi pranë po ti mungove atë çast!! Tao pa bërë asgjë mbeti dëshmitar i saj.

Video