Paradoksi, produktet me çmime fikse të Qeverisë u rritën më shumë në maj

8 June 2022, 18:38Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Paradoksi, produktet me çmime fikse të Qeverisë u rritën

Shqipëria regjistroi rritjen më të fortë mujore të çmimeve prej dy dekadash tashmë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, inflacioni për muajin maj u ndal në 6.7 për qind.

Produktet që kanë pësuar rritjen më të fortë, janë edhe ato për të cilat Qeveria ka ngritur bord për të caktuar çmimet.

Sipas INSTAT, inflacioni u udhëhoq nga transporti, i lidhur drejtpërdrejt me çmimet e karburanteve. Inflacioni në transport u ndal në 21.7 për qind. Grupi i dytë me rritjen më të fort gjatë majit ishin ushqimet dhe pijet joalkoolike me 11.7 për qind.

Ironike është se për të dyja këto kategori, Qeveria ka ngritur një bord që cakton çmimet. Në mbledhjen e fundit, ky bord e çoi çmimin e një litri naftë 258 lek për litër.

Ndërkohë, për ushqimet, mielli, drithërat dhe vaji shënuan rritjen me gati 30 për qind në krahasim me muajin prill, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Edhe për këto produkte, që konsiderohen të shportës, Qeveria ka ngritur bord për caktimin e çmimit të shitjes.

Në të gjitha rastet, njoftimet e bordeve shoqërohen me kërcënime se kushdo që shet produktet e mësipërme mbi çmimin tavan të përcaktuar nga ta do të penalizohet rëndë, përfshirë këtu gjobat, apo heqjen e licencave për tregtarët e shitjes me pakicë të karburanteve dhe të ushqimoreve.

Por, siç duket të gjithë tregtarët janë të kënaqur me fitimin e siguruar nga çmimi i vendosur nga bordet, pasi të paktën në pjesën e karburanteve ka pika që e shesin atë poshtë çmimit tavan të përcaktuar prej tyre.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video