
Sipas të dhënave të rishikuara nga gazeta londineze Sunday Times, kompanitë greke të transportit detar kanë gjetur një mënyrë se si të shmangin sanksionet amerikane e europiane ndaj naftës e gazit rus dhe po vazhdojnë biznesin me fitime edhe më të mëdha se më parë.
Të dhënat e investigimit të “Sunday Times” tregojnë transferime të karburantit "nga anije në anije" në portin rus të Kavkazit, ku anijet ruse e shkarkojnë naftën në një anije tjetër që vjen nga një kompani neutrale ndaj sanksioneve dhe më pas hidhet te anijet e kompanive greke.
Gjetjet e gazetës treguan gjithashtu se portet greke ishin bërë një pikë e nxehtë, me transfertat në portin e Kalamatës që u rritën me 20 për qind në një muaj.
Sunday Times citoi një shembull të një anijeje me flamur rus, Vladimir Monomakh, që hyri në portin e Kavkaz më 1 mars, përpara se të transferonte naftën e saj te anija Minerva Emily, me flamur maltez, 25,000 tonësh, në pronësi greke, duke maskuar kështu origjinën e naftës.
Andreas Martinos, pronari i Minerva Marine po bën fitime të mëdha duke transferuar naftën ruse në përmes kësaj rruge. Por, nuk ka asnjë provë se ai po shkel e sanksionet dhe Minerva nuk po përpiqet që të fshehë veprimet e saj, tha Sunday Times.
Investigimi citoi gjithashtu gjithashtu të dhëna nga Lloyd's List që tregojnë se anijet në pronësi të miliarderit grek George Economou transportuan 1.9 milion ton naftë direkt nga katër porte ruse në prill.
Çmimet e naftës pas pushtimit rus të Ukrainës kanë arritur nivelet më të larta të 14 viteve. Moska mendohet se po fiton 800 milionë dollarë në ditë nga eksportet e naftës, ndërsa vendet perëndimore përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga energjia ruse.
Këtë javë, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje për të ndaluar mbërritjen e naftës ruse nga deti deri në fund të këtij viti, por furnizimet e dërguara përmes tubacioneve do të përjashtohen. Rusia furnizon pak më shumë se një të katërtën e naftës së BE-së.