
Nga 1 Janari i vitit 2024 të gjithë personat fizikë do të përfshihen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Nëse më parë personat fizik që kishin një xhiro vjetore nga 0 në 2 milionë lekë ishin të përjashtuar nga TVSH, tashmë nga 1 Janari do të bëhen objekt i pagesës së saj. Kjo ka sjellë një shqetësim për ata persona që ushtrojnë një aktivitet tregtar dhe janë të regjistruar si persona fizikë, pasi kjo do të sjellë një kosto shtesë për ta që në shumicën e rasteve bëhet e papërballueshme. Pasi me persona fizikë janë të regjistruar ato biznese të vogla që kanë një qarkullim tregtar minimal, ku janë të vetëpunësuar ose kanë anëtare të papaguar të familjes.
Në fillim të këtij viti në ndryshimet ligjore që u përfolën, flitej që kjo kategori do të ishte e përjashtuar deri në vitin 2029, por më vonë në prezantimin e ligjit që ministrja e Financave të asaj kohe, Delina Ibrahimaj bëri në Kuvend, u shpreh se dhe kjo kategori do të përfshihej në skemën e TVSH-së.
Madje sipas saj përmes këtij projektligji synohej një reformim i plotë i sistemit tatimor shqiptar dhe i hapet rruga një kapitulli të ri në legjislacionin fiskal, duke i dhënë fund ndryshime të shpeshta që i ishin bërë ligjit të mëparshëm, të cilat ndër vite kishin krijuar hapësira për evazion apo keqinterpretime.
Ministrja shprehej se projekti që më pas u kthye në ligj dhe nis zbatimin në janar të vitit 2024 ka tre objektiva kryesorë, të cilët janë:
"Krijimi i një sistemi tatimor vetëdeklarativ bashkëkohor ku individi dhe entiteti paguan pjesën e ndershme të tatimit mbi të ardhurat që realizon, dhe kërkon kthimin e këtij kontributi në formën e përfitimeve dhe shërbimeve të përmirësuara publike;
rritja e kontributit në buxhetin e individëve dhe entiteteve nëpërmjet tatimit të të ardhurave, duke balancuar peshën e tatimeve indirekte;
ofrimin e një sistemi tatimi më të ndershëm dhe më të gjithëpranuar".
Ministrja theksoi faktin se me ligjin e ri nuk rritet në asnjë rast barra fiskale për të punësuarit. “Nëpërmjet këtij ligji ne do të ulim më tej barrën fiskale, sepse tashmë kemi ndërmarrë një angazhim që ne nuk duam ta tatojmë pagat e ulëta. E pikërisht nëpërmjet këtij ligji ne do të rrisim pragun e të ardhurave të patatueshme për individët nga 40 mijë lekë që është sot në 50 mijë lekë, nga hyrja në fuqi e ligjit”, tha Ibrahimaj.
Ndryshimet legjislative për këtë kategori në të vërtetë janë bërë të shpeshta sa herë është bërë buxheti i vitit apo paketa fiskale. Një herë janë futur në këtë skemë një herë janë përjashtuar nga ajo. Konfuzioni dhe rrisku që sjell për ta mbetet i madh, duke sjellë kështu mbylljen e aktiviteteve të vogla që mbajnë familjet.
Çfarë parashikon konkretisht udhëzimi për zbatimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”
Udhëzimi i botuar në Fletoren Zyrtare, nëpërmjet shembujve konkretë, përcakton se përmes ligjit të ri, të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi tatohen sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi tatohen sipas normave respektive 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.
Përmes ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.
“Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë:
a) 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor;
b) 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit”, thuhet në Udhëzimin e përgjithshëm “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Udhëzimi gjithashtu përcakton se nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën.
“Për qëllime të zbatimit të kësaj pike, llogaritja e detyrimit tatimor, sipas këtij paragrafi, do të bëhet nga vetë i vetëpunësuari që plotëson këto kritere, në deklaratën tatimore vjetore të tij. Në rastet kur të ardhurat që përfitohen sipas këtij paragrafi, paguhen rregullisht çdo muaj, llogaritja e tatimit nga vetë i punësuari bëhet në bazë mujore.
Nëse kontratat ndërmjet të vetëpunësuarit dhe të porositësit të shërbimit janë vjetore, por pagesa bëhet me këste, p.sh. dy apo tri herë në vit, e ardhura e përfituar shtrihet për të gjitha periudhat tatimore të cilave u takon (muajt) dhe tatimi llogaritet sipas shumës së të ardhurës së çdo muaji. Ndërkohë për efekt të deklarimit të të ardhurave nga biznesi, kjo e ardhur do të deklarohet zero në deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi, duke qenë se kjo e ardhur konsiderohet e ardhur nga punësimi. Rregulla sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vetëpunësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar. Ky paragraf zbatohet pavarësisht nëse i vetëpunësuari ofron shërbime i vetëm, apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar”, thuhet në udhëzim.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.