EKSKLUZIVE/ Jaka: Absurde, buxheti dhe paketa fiskale nuk janë diskutuar me grupet e interesit

11 Nëntor 2023, 12:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nikolin Jaka

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka në një intervistë ekskluzive për Vox News, rendit në mënyrë të detajuar problematikat që ndesh ekonomia shqiptare sot.

Me argumenta shteruese Jaka sjell propozimet konkrete që duhet të ndërmerren për të nxitur e shpëtuar ekonominë shqiptare.

Buxheti dhe paketa fiskale 2024, dokumentet më të rëndësishme të vitit, sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, jo vetëm që nuk janë diskutuar me grupet e interesit, por janë njohur me to nëpërmjet medias.

Megjithatë ky institucion pasi ka diskutuar me sipërmarrësit sjell në këtë intervistë një sërë propozimesh konkrete që duhen të reflektohen në dokumentin zyrtar të qeverisë.

Po çfarë thotë Jaka lidhur me këto propozime?

Cilat janë incentivat kryesore që duhet të ndiqen nga qeveria? Si mund të shpëtohet emigrimi i të rinjve?

Cilat janë nevojat e sipërmarrjes dhe cilët janë sektorët që kërkojnë mbështetje?

Skanimi i mjeteve në dogana, amnistia fiskale, apo iniciativat konkrete që po ndërmerr DHTIT për një qasje të re ekomike.

I zbulojmë të gjitha në këtë intervistë të dhënë për Vox.

Zoti Jaka, tashmë kryefjala e fundvitit si vendimi më i rëndësishëm qeveritar është buxheti 2024 dhe paketa fiskale që e shoqëron atë. A jeni njohur ju si grup i drejtpërdrejtë interesi me ndryshimet që parashikohen këtë vit?

Buxheti për vitin 2024 dhe paketa fiskale, të miratuara nga qeveria dhe që aktualisht janë në proces diskutimi në komisionet parlamentare, nuk janë prezantuar jo vetëm tek DHTI-Tiranë, por edhe në organizatat e tjera të biznesit. Tingëllon tepër absurde që buxheti dhe paketa fiskale miratohen nga qeveria pa u konsultuar më parë me biznesin.

Sidoqoftë, DHTI-Tiranë është informuar nga mediat rreth këtij buxheti për vitin 2024. Nga analizat me shumë përgjegjësi me strukturat drejtuese dhe anëtarësinë e saj rreth këtij buxheti, konstaton se: paketa fiskale e prezantuar në këtë buxhet është tepër minimaliste, me disa ndryshime siç janë: disa përjashtime të TVSH-së, rritje e akcizës së cigareve, rritja e taksës së karbonit, si dhe ligji për tatimin mbi të ardhurat.

Nisur nga ky buxhet, i cili është miratuar nga qeveria dhe pa organizuar asnjë tryezë konsultimi më parë mund të konkludojmë se:

-Nuk e shohim këtë buxhet si një buxhet që mbështet ekonominë reale, ashtu siç po bëjnë të gjitha vendet e rajonit dhe ato të BE-së;

-Nuk gjejnë reflektim kërkesat tona të vazhdueshme për incentiva fiskale për industritë prodhuese, të cilat po përballen me krizën e rritjes  së çmimeve të energjisë, karburanteve, lëndëve të para;

-Tek ky buxhet ne prisnim reflektim të politikave  nxitëse, se si do të zbutet edhe emigrimi masiv i të rinjve, ku sipërmarrja po e ndjen në kurriz mungesën e fuqisë punëtore dhe specialistët e lartë që i mungojnë tregut të punës;

-Ky buxhet nuk mbështet bujqësinë dhe fermerin. Vazhdon skema e diferencimit të TVSH-së në hyrje-dalje. Subvencionet janë disa herë më të ulëta sesa nevojat e sektorit, duke vazhduar të renditemi të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor;

-Sipërmarrja shqiptare nga ky buxhet nuk shikon asnjë mbështetje me fonde buxhetore për të nxitur produktivitetin dhe prodhimin për eksport.

Prandaj, DHTI-Tiranë shumë shpejt do të dalë me disa propozime konkrete për paketën fiskale për vitin 2024 adresuar qeverisë.

Kryeministri Edi Rama ka zbritur në terren në prezantimin e këtij projekti. A do të ketë një tryezë diskutimesh me grupet e interesit dhe a ka një kërkesë zyrtare nga qeveria për të pasur reflektim të kërkesave të biznesit, kryesisht në paketën fiskale?

-Deri në këtë moment, ne nuk kemi asnjë sinjal, ftesë apo kërkesë nga qeveria shqiptare për të diskutuar rreth paketës fiskale 2024.

Cilat janë kërkesat e biznesit për t’u reflektuar në paketë dhe a keni tashmë një propozim konkret për atë që doni të keni prezente në buxhetin e vitit tjetër?

Nga anëtarësia e saj, DHTI-Tiranë ka marrë shumë kërkesa dhe propozime, duke shpresuar se do të gjenin reflektim në paketën fiskale 2024. Po listojmë disa nga ndryshimet e rëndësishme ligjore që mendojmë se duhet të gjejnë reflektim në paketën fiskale 2024 si më poshtë:

i)  Skema e kompensimit të TVSH-së së fermerëve

Heqja e përqindjes së kompensimit të TVSH për agropërpunuesit në blerjet që ato bëjnë tek fermerët solli :

-  Ngarkesë të lartë të TVSH për agropërpunuesit, të cilët automatikisht në treg taksohen me një taksë neto prej 20% mbi shitjet, pa asnjë të drejtë të zbritjes;

-  Rënie të ardhurave të fermerëve, të cilëve iu hoq shuma që përfitonin si kompensim prej agropërpunuesve;

-  Mos kreditimi i TVSH solli uljen e interesit të përpunuesve dhe prodhuesve vendas, duke gjetur mundësi tek importet.

-  Heqja e kompensimit u bë pa asnjë analizë ekonomike e financiare, duke rikthyer rënien e interesit për të dokumentuar transaksionet, rrjedhimisht duke ndikuar në rritjen e informalitetit.

Propozimi:

-Në Ligjin nr.92/2014 “Për TVSH”, norma e TVSH-së për sektorin e agropërpunimit të bëhet 5%-7%, siç e kanë aktualisht vendet e rajonit dhe një pjesë e vendeve të BE;

-Përfshirja e të gjithë operatorëve në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në skemën e TVSH-s, pavarësisht xhiros së deklaruar vjetore.

ii).Heqja e akcizës për  gazin e lëngshëm. Taksa ekzistuese e akcizës 6 lekë/litri aktualisht rëndon në koston e një pjese të madhe të prodhuesve që përdorin gazin e lëngshëm  si lëndë djegëse për prodhim industrial.

Në të gjithë rajonin dhe vendet e BE-së, industria përpunuese është e përjashtuar nga akciza e gazit dhe i njëjti model duhet të implementohet edhe në vendin tone.

iii).Akordim i të drejtës së zbritjes së TVSH për karburantet.

Shpenzimet e karburanteve zënë një peshë të ndjeshme në kostot e çdo biznesi, si në atë të administrimit edhe të prodhimit e shpërndarjes, aq më tepër që tashmë ka rreth dy vjet që rritja e çmimit të karburantit nuk po njeh më kurbë rënëse.

Por, bizneset shpeshherë janë të penalizuar sa i takon zbritjes së TVSH që kanë paguar për blerjet e karburanteve të nevojshme për aktivitetin e tyre ekonomik. Akoma përdoren disa normativa të vendosura në mënyrë empirike para 15 vitesh. Për konkretizim, janë shumë veprimtari prodhuese që konsumojnë lëndë djegëse të natyrës karburant dhe u njihet zbritja me vetëm 2%.

Propozimi:

Në udhëzimin nr.6, datë 30.01.2015“Për TVSH”, të bëhet rishikimi i të gjitha normativave të lejimit të zbritjes  së karburanteve, sidomos ato të natyrës “të tjera”, ku përfshihen shumë aktivitete prodhuese e tregtare.

v) Hartimi dhe implementimi i Ligjit për Amnistinë Fiskale.

DHTI-Tirane i qëndron propozimit për hartimin e një ligji  të mirëstrukturuar të amnistisë fiskale, pasi do të jetë një mbështetje për ekonominë. 

Është shumë e rëndësishme që Amnistia Fiskale të mundësohet në një bashkëpunim të ngushtë me sipërmarrjen private dhe grupet e interesit, në mënyrë që efektet e saj të ndikojnë pozitivisht në ekonominë shqiptare.

Përtej dekurajimit që Amnistia Fiskale në tërësi iu bën sipërmarrësve të ndershëm, ky ligj duhet të gjejë instrumentet e duhura që sipërmarrja informale të humbasë të gjitha shpresat për të vazhduar aktivitetin e saj në informalitet.

Nëpërmjet këtyre propozimeve presin nga qeveria shqiptare ngritjen e një grupi pune me ekspertë të përbashkët të sipërmarrjes private dhe institucioneve përgjegjëse për ekonominë, për pikat e propozuara më sipër.

Ajo çfarë thuhet me zë të lartë është rritje rrogash apo indeksim pensionesh. Por në të vërtetë ka një paketë fiskale shoqëruese nga ku shihet që do të mbahen të ardhurat e buxhetit vitin e ardhshëm. Çfarë do të thotë kjo për biznesin? Cilat janë pikat që ju kontestoni?

DHTI-Tiranë është në unison me qeverinë për rritjen e pagës minimale në të gjithë sektorët e ekonomisë. Pagat dhe stimujt e tjerë motivues po zhvillohen nga të gjitha bizneset, në mënyrë që punonjësit të ndjehen të motivuar për punë.

Por, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kjo barrë e rritjes së kostove për efekt të rritjes se pagës minimale të mos rëndojë vetëm te biznesi.

Kur flasim për rritje rrogash në sektorin publik. A mund të ecë dhe biznesi paralelisht me këto rritje. Ka ndonjë stimul fiskal nga qeveria, apo çdo gjë mbahet nga vetë biznesi?

Ofruesi i rëndësishëm i kualifikimit është sektori privat, janë ndërmarrjet ato që ofrojnë punë dhe kurse të veçanta kualifikimi nëpërmjet praktikave, intershipeve dhe trajnimit në punë.

Qeveria duhet që të mbështesë sipërmarrjen, duke e shoqëruar me lehtësira fiskale dhe mbështetje financiare për kualifikimin dhe nxitjen e punësimit. Nga ana tjetër, është e nevojshme që industritë prodhuese të mbrohen nga ekonomia informale dhe konkurrenca e pandershme në treg.

Biznesi kërkon që politika të ndërmarrë nisma konkrete për kualifikimin e fuqisë punëtore që t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.

DHTI-Tiranë pret nga qeveria që të krijojë incentiva për të nxitur kompanitë për punësimin e të rinjve të kualifikuar sipas nevojave të tregut të punës, p.sh.: shteti të marrë përsipër të mbulojë pagesën e kontributit të sigurimeve shoqërore për 3 vitet e para, bizneset të pranojnë për praktikë 6-mujore nxënës e studente ku shteti të mbulojë përsëri kontributin e sigurimeve shoqërore gjatë periudhës së praktikës së punës.

Në atë çfarë shihet në relacionin e projektbuxhetit më shumë flitet në teori apo në strategji afatmesme. Në të vërtetë a ka një strategji afatmesme që mbështet sektorë të caktuar të sipërmarrjes? A keni ju konkretisht sektorë që kanë nevojë të jenë pjesë e strategjive konkrete dhe këto jo vetëm në letër?

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka vlerësuar pozitivisht miratimin e dokumentit të “Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit për periudhën 2021-2027”.

Edhe pse ky dokument ka në themel një vizion për “një ekonomi shqiptare konkurruese”, po mbyllet viti 2023 dhe nga këndvështrimi i sipërmarrjes nuk shikojmë aksione konkrete që do të çojnë në realizimin e këtyre objektivave të parashikuara nga kjo strategji. Sfida reale e ekonomisë duhet të jetë ndërtimi i një ekonomie konkurruese me fuqi të lartë eksportuese.

Sipërmarrja i kërkon qeverisë që në zbatim të strategjisë të sigurohet një paketë masash mbështetëse, të cilat duhet të garantojnë konkurrueshmërinë e produkteve “made in Albania” në tregjet rajonale dhe të BE-së.

- Masat mbështetëse duhet  të garantojnë tregues të matshëm për konkurrueshmërinë dhe internacionalizimin e sipërmarrjes, me  rritjen e numrit të kompanive shqiptare në tregun global; rritjen e eksporteve veçanërisht në tregjet e reja, për të zënë një hapësirë më të madhe të produkteve dhe shërbimeve në zinxhirin global të vlerës. 

 -Kërkohet thellimi i masave dhe suporti financiar, duke u përqendruar në sektorin e industrive prodhuese, agropërpunimit, bujqësisë, energjisë dhe transportit, teknologjisë dixhitale, me synimin për t’u përballur me krizën e rritjes se çmimeve në tregun botëror dhe masa afatgjata që synojnë rimëkëmbjen ekonomike në tërësi;

-Konkurrueshmëria e SME-ve shqiptare në tregun global është e kushtëzuar edhe në nivelin e zhvillimit të inovacionit.

- Nevoja për reformimin e sistemit universitar me konceptet dhe praktikat që ta bëjnë “një model i mbështetjes së sipërmarrjes”, për të nxitur inovacionin dhe zhvillimin me sukses të ideve dhe projekteve sipërmarrëse.

-Zhvillimi i kapitalit njerëzor. Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar sot konsiderohet si një ndër barrierat kryesore të sipërmarrjes, sidomos atyre që punojnë në sektorët prodhues, duke ndikuar në uljen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së produkteve/shërbimeve që ofrohen për tregun.

Zoti Jaka prej vitesh ju e keni kontestuar mënyrën e skanimit në dogana duke e konsideruar atë si një faturë të lartë për biznesin. Në një audit të fundit të KLSH-së flitet për në një vlerë rreth 105 milionë euro marrë kjo vetëm nga buxheti i shtetit. Po biznesit sa i ka kushtuar kjo dhe çfarë sugjeroni të bëhet me koncesionin e skanimit?

DHTI-Tiranë prej kohësh i ka propozuar qeverisë heqjen  e tarifës së skanimit për të gjitha automjetet që transportojnë mall në vlerë më të vogël se 2000 euro. Për një automjet me vlerë totale 1001 euro në total mall, paguhen 25 euro skanim, i cili nuk kryhet e nuk është kryer ndonjëherë.

Zoti Jaka edhe një pyetje të fundit. Sipas jush cilët janë sektorët e sipërmarrjes që duhet të jenë prioritarë në planin afatshkurtër dhe a ka DHTIT një strategji konkrete se cilën sipërmarrje duhet të mbështesë në këto momente?

DHTI-Tiranë mbështet veprimtarinë e saj në platformën 4-vjeçare të drejtimit të DHTI-Tiranë 2023-27, e cila zbërthehet në objektiva dhe masa konkrete që realizohen çdo vit. Ajo fokusohet në sektorët kryesorë të sipërmarrjes, që përbëjnë edhe bazën e anëtarësisë së saj, si në sektorin e industrisë prodhuese, energjisë, ndërtimit, turizmit, transportit dhe shërbimeve në tërësi.

Strategjia e saj afatshkurtër është: Nje reagim i fuqishëm i zërit të biznesit, jo vetëm si DHTI-Tiranë, por do na bashkohen edhe organizata të tjera partnere, për të dalë me nje deklaratë konkrete për rishikimin e paketës fiskale 2024, duke i kërkuar qeverisë ndryshime ligjore fiskale të fokusuara në mbështetjen e industrisë prodhuese në tërësi dhe sektorit të bujqësisë, të cilat duhet të kenë ndikim në zbutjen e pasojave  të efektit zinxhir të rritjes së çmimeve në tregun global, jo vetëm për bizneset e vogla, por edhe ato të mëdha që po përballen me vështirësi financiare, me mungesa likuiditeti etj, pasi ndodhemi në një udhekryq të pasigurt në këndvështrimin e qëndrueshmërisë së biznesit dhe konkurrueshmërisë së tij.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video