Në ditën e gënjeshtrave u çelën “dyert” e basteve sportive online. Si do të funksionojnë?

1 Prill 2024, 12:51Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bastet online janë kthyer sërish në një realitet formal për individët që i preferojnë ato.  Ndryshimet ligjore të shumëdebatuara kanë hyrë në fuqi duke çelur zyrtarisht “dyert”  e një industrie fitimprurëse për buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër duke formalizuar këtë sektor, që deri më tani ka funksionuar në të zezë, pavarësisht se me ligj nuk duhej të ekzistonte.

Çdo subjekt i interesuar për të ushtruar këtë veprimtari, do duhet të aplikojë për licencë, pasi të përmbushë një sërë kriteresh të vendosura në ligj.  Konkretisht,  subjektet që kërkojnë të pajisen  me licencë në kategorinë “Baste sportive online”, duhet të jenë shoqëri aksionare, me seli në Shqipëri dhe të regjistruar në QKB; të kenë një shumë kapitali  jo më pak se 40 milionë lekë; të deklarojnë  burimin e kapitalit që do të  investohet për ushtrimin e veprimtarisë; të ketë përvojë në fushën e  lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të  BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet, si dhe subjekti aplikues ose të paktën njëri nga  aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit  financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.

Për të dhënë garanci për fituesit e lojërave të fatit, organizatori i kategorisë “Baste sportive online” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 milionë lekësh, por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Ndryshimet ligjore forcojnë rregullat për ushtrimin e këtij aktiviteti si dhe japin më shumë siguri për lojtarëve.

Sipas ligjit të ri,  Ministria e Financave, do të ketë nën kontroll çdo informacion për shumën e luajtur, pasi çdo lojtar duhet të regjistrohet në platformë nëpërmjet ID-së dhe të gjitha transaksionet mes tij dhe kompanisë do të kryhen nëpërmjet sistemit bankar.  Të dhënat për lojtarët, do të mbahen për tre vjet në një regjistër të posaçëm nga të gjithë organizatorët e lojërave të fatit, si masë për të kontrolluar pikërisht shumat që do mund të qarkullohen nëpërmjet këtij aktiviteti.

Video