Shqiptarët paguan 3.5 miliardë lekë sigurime në dy muaj

29 Mars 2024, 12:14Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqiptarët paguan 3,5 miliardë lekë për t’u siguruar gjatë dy muajve të parë të 2024-ës, ndërsa tregu regjistroi një rritje vjetore prej 8,14%. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, në rritje ka qenë edhe numri i kontratave të sigurimit të lidhura, që gjatë kësaj periudhe  arriti në 204,626.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.28% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.72% dhe risigurimi me 0.003% .Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.64% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.36% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-shkurt 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,286 miliardë lekë, ose 19.03% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën regjistruan një vlerë prej 815 milionë lekë. Primet e sigurimit në këtë kategori arritën në rreth 2 miliardë lekë, ose 9.76% më shumë.

Produkti MTPL e brendshme, pati një rritje prej 11.24% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, shoqëruar gjithashtu edhe me rritje vjetore të numrit të kontratave prej 11%.

Produkti Karton Jeshil pati një ulje prej 1.59% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, çka u shoqërua me rritje të numrit të kontratave prej 21.93%. Vëllimi i primeve të shkruara bruto për sigurimin kufitar pati një rritje 7.23%, ashtu si edhe numri i kontratave me 9.19%.

Video