Si do funksionojë bashkimi i blegtorëve për qumështin?

1 Prill 2024, 09:32Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ndërsa aplikimet për përfitime nga subvencionet në bujqësi janë hapur më 27 Mars, është publikuar edhe udhëzimi përkatës që specifikon kriteret e përfitimit.

Referuar udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtar, në rastin masave të mbështetjes në blegtori, fermerët kur aplikojnë si Shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor, duhet patjetër të kenë nënshkruar një kontratë paraprake për shitjen e qumështit.

Konkretisht tek kriteret, thuhet se përfitues mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, SHBB- ja, person fizik ose juridik. Aplikanti duhet të ketë NIPT aktiv.

Në rastin  e aplikimit si grup fermerësh, aplikimi quhet i  vlefshëm vetëm nëse të gjithë anëtarët e grupit kanë  NIPT me status aktiv.  Aplikanti (fermer i ndividual/grup fermerësh)  duhet të ketë në tufën bazë jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, të matrikulluara. Apo në rastin e tufave me dele dhe dhi, jo më pak se 100 krerë.

Sipas udhëzimit, në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet  të kenë marrëveshje dakordësie/bashkimi të anëtarëve të grupit të fermerëve, e cila ngarkohet në sistem në momentin e aplikimit. Në marrëveshje përcaktohet numri total i krerëve për çdo anëtar dhe si grup, si dhe përfaqësuesi i grupit që bën aplikimin.

Në udhëzim thuhet se në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet  të kenë kontratë për shitjen e qumështit, midis grupit  të fermerëve dhe një subjekti të licencuar grumbullues/përpunues të qumështit.

Kontrata parashikon që sasia e qumështit të shitur të jetë jo më pak se 30% të prodhimit që realizon grupi (bazuar në rendimentin mesatar në  shkallë qarku, me referencë të dhënat e INSAT-it).

Çdo anëtar i grupit të dorëzojë në AZHBR jo më pak se një faturë/autofaturë shitje të qumështit. Udhëzimi përcakton se sasia e qumështit e pasqyruar në të gjithë faturat e  dorëzuara nga grupi i fermerëve të jetë jo më pak se 30% të prodhimit vjetor.

Kafshët e tufës bazë duhet të jenë të regjistruara në sistemin e identifikimit dhe  regjistrimit të kafshëve-RUDA. Përfituesi nuk duhet të jetë debitor ndaj Ministrisë së Bujqësisë-së dhe Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Video