Ndryshojnë rregullat për tenderët. Kur mund të aplikojnë institucionet?

23 Mars 2024, 11:36Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çdo institucion që ka më pak se 15 punonjës do të mund të zhvillojë tenderë vetëm me vlerë të vogël. Ndërkohë që, për tenderët që tejkalojnë kufirin e prokurimeve me vlerë të vogël, autoriteti apo enti kontraktor duhet t’i drejtohet organit epror, në rast se ka një të tillë. Nëse jo, kërkesa për zhvillimin e tenderit, me qëllim sigurimin e punëve, mallrave apo shërbimeve duhet t’i drejtohet organit qendror blerës.

Gjithçka përcaktohet në ndryshimet ligjore që tashmë kanë hyrë në fuqi, teksa Agjencia e Prokurimit Publik thotë se ky parashikim ka për qëllim t’u vijë në ndihmë atyre institucioneve që kanë në strukturën e tyre organizative një numër të vogël punonjësish dhe nuk kanë mundësi të ngrenë strukturat e nevojshme për zhvillimin e procedurave të prokurimit.

Po ashtu, APP iu kujton këtyre institucioneve që krijojnë elementin e regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, duhet të deklarojnë tek fusha “justifikimi për regjistrin” numrin e punonjësve në strukturën organike.

Ligji i ri ka sjellë edhe një sërë ndryshimesh të tjera në kryerjen e procedurave të prokurimit publik, jo vetëm për institucionet, por edhe për operatorët ekonomikë.

Sipas APP-së, qëllimi i këtij ligji është të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri, duke synuar përafrimin e mëtejshëm me Direktivat e Bashkimit Evropian.

Video