Fasoneritë thellojnë krizën, Pro-Eksport Albania: Deri tani kanë shkurtuar 3 mijë vende pune

6 Shkurt 2024, 09:23Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga fabrikat e këpucëve dhe veshjeve fason  në qytetet, si: Shkodër, Vau i Dejës, Has, Laç, Fushkrujë, Krujë, Elbasan, Gramsh dhe Bilisht nga fillimi i muajit janar dhe deri më sot janë janë shkurtuar 3,000 vende pune sipas Kryetarit të Shoqatës së Pro-Eksport Albania, Edvin Prençe.

“Situata është kritike, për mos të thënë apokaliptike nga mbyllje të përditshme të bizneseve dhe shkurtime të vendeve të punës. Kemi raport lufte ekonomike me rreth 500 vende pune në jave në të gjithë Shqipërinë (nga data 4 Janar 2024 deri më sot rreth 3,000 vende pune të shkurtuara)”, pohon ai.

Sipas tij shkak i shkurtimeve të vendeve të punës është rënia e kursit të këmbimit dhe si pasojë humbja e konkurrueshmërisë, mungesa e theksuar për likuiditet të bizneseve për të rinovuar impiantet prodhuese dhe blerjen e lëndëve të para dhe diversifikimin e klientelës aktuale Europiane.

Prençe shton se zonat më të prekura janë ato rurale, në të cilat impakti social është më i lartë.

“Shkurtimet e vendeve të punës kanë nisur në fabrikat e prodhimit të këpucëve, veshjeve intimo dhe më pas kriza ka vijuar në të gjitha fabrikat e veshjeve fason”.

Në harkun e një viti monedha europiane është zhvlerësuar 9%. Nënçmimi i euros ka ndikuar te aktiviteti i eksportuesve fason të cilët punojnë me norma të ulëta fitimi dhe gjenden në pamundëis financiare për të investuar drejt përmirësimit teknologjik të fabrikave. Prej drejtuesve të fabrikave shpesh herë është ngritur shqetësimi se në mungesë të krahut të punës duhet të investojnë në inovacion, në mënyrë që ulin varësinë nga burimet njerëzore dhe të mund të realizojnë produkte që shiten shtrenjtë në tregjet huaja.

Për këto shqetësime përfaqësuesit e sektorit fason kanë vijuar dialogun me përfaqësues të institucioneve drejtuese për zgjidhjen e situatës si dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen, me zbatimin e paketës Manifakturë të propozuar nga PEA e cila do të mundësonte orientimin dhe kalimin e sektorit në prodhues konkret Made in Albania, pra drejt ciklit të mbyllur.

Duke ju referuar takimit të zhvilluar në mesin e muajit janar me kryeministrin Edi Rama mes tyre është dakortësuar për të filluar ndërhyrjet me disa masa që do të mundësonin zgjidhjen e problematikës së sektorit, si:

· Nxitja e transformimit për proceset e prodhimit duke u mbështetur blerjen e makinerive të industrisë 4.0 si dhe te gjithë investimeve nëpërmjet rritjes se indeksit te amortizimit nga 20% ne 40%. Në këtë mënyrë lehtësojmë barrën tatimore dhe kompanitë do te kenë më shumë likuiditet në një kohë më të shkurtër për ta riinvestuar.

· Krijimi i një fondi kreditimi të ngjashme me Garancinë Sovrane 1 si dhe mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, sipas kontratave me porositësit.

· Rimbursimi i TVSH-s, përmes një kanali të dedikuar për kompanitë e kësaj industrie në një kohë më të shkurtër se 10 ditë. Në këtë mënyrë u mundësohet kompanive likuiditet imediat pa shumë burokraci.

· Përmirësimi i klimës së biznesit.

· Aplikimi i ligjit për të ndaluar shitjen e markave të falsifikuara.

· Marrëveshje e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe vendeve prodhuese të lëndëve të para siç janë Pakistan, Bangladesh e India etj (të cilët aktualisht kanë korsi preferenciale me vendet Europiane për taksat doganore) dhe prodhimet tona u nënshtrohen taksave doganore.

Eksportet e tekstile e këpucë ranë me 15% në dhjetor

Industria e tekstileve e këpucëve, që punon me material porositësi (fason) dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend (kryesisht shtresave me të ardhura të ulëta), kaloi një situatë të vështirë në 2023, e ndikuar nga rritja e kostove (kryesisht të punës) dhe sidomos rënies së euros.

Në 2023-n, ky sektor realizoi shitje prej 126 miliardë lekësh, me rënie prej 6.6% me bazë vjetore. Tendenca rënëse vijoi dhe në dhjetor, me -15.4%.

Sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok e Egjipt.

Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 104-105 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.

Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 29% të totalit.

 

 

Video